Partia Demokratike mbajti pasditen e kësaj të marte (10 shkurt 2026), protestën e tretë kombëtare para Kryeministrisë, për të kërkuar largimin e Edi Ramës, pas skandaleve që përfshinë qeverinë e tij.
Protesta nisi fillimisht në mënyrë paqësore në orën 17:00, ku 6 përfaqësues të Partisë Demokratike morën fjalën, mes të cilëve edhe kryedemokrati, Sali Berisha.
Pa sqaruar edhe këtë herë një skenar të qartë të PD-së për ‘rrëzimin’ e Edi Ramës, Berisha deklaroi se këtë të fundit do ta largojnë qytetarët ose do të largohet vetë.
Ai e cilësoi Ramën si armiku kryesor i Shqipërisë, ndërsa deklaroi se muaji shkurt sipas tij do të jetë muaji që PD-ja do çlirojë Shqipërinë.
“Ky armik i egër na qeverisi për 45 vite pavarësisht krimeve të tij. Po sot çfarë po ndodh me Shqipërinë? Nëse shekullin e kaluar u mbajtëm peng 45 vite, në këtë shekull me një shpejtësi krejt tjetër Shqipëria përballet me pasoja akoma më katastrofike. Prandaj shkurti është muaji që do çlirojmë Shqipërinë”, – tha Berisha ndër të tjera.

Pasi Berisha mbylli fjalën e tij, situata u tensionua, ku dhjetëra qytetarë hodhën molotovë drejt godinës së Kryeministrisë.
Siç mund të shihet edhe në pamjet e mëposhtme, Kryeministria është ndezuar nga flakët e zjarri, pasi qytetarët të revoltuar kanë hedhur mjetet piroteknike drejt godinës në shenjë revolte.

Sakaq, efektivët e policisë, të cilët kishin formuar kordon para godinës qeveritare, kanë përdorur autobotin me ujë për të shuar flakët. Pas shpërthimeve qytetarët kanë nisur të largohen nga sheshi në thirrjet “Rama ik”, ndërsa janë përplasur edhe me policinë.

Gjithashtu protestuesit kanë tentuar të heqin barrierat metalike, ndërsa pas largimit nga Kryeministria janë drejtuar drejt Parlamentit.
Ata zhvendosën protestën e tyre aty, ndërsa në shenjë revolte breshëri molotovësh janë hedhur sërish në drejtim të godinës.
Si pasojë e molotovëve është përfshirë nga flakët një makinë e cila ishte e parkuar anës rrugës, një kosh mbeturinash, si dhe kanë pësuar djegie 16 efektivë policie, disa prej të cilëve kanë përfunduar në Spitalin e Traumës.



Sakaq veprime të dhunshme ka pasur edhe nga ana e Policisë. Si pasojë e tensioneve me efektivët një qytetar pretendoi se ishte goditur në kokë dhe për pasojë kishte mbetur i plagosur. Ai deklaroi për mediat se një nga policët e ka goditur në kokë, duke i shkaktuar plagë.

Ndërkohë policia gjithashtu ka bërë edhe disa shoqërime me dhunë në komisariat. Siç raportohet protestuesit janë tërhequr zvarrë për tu shoqëruar në furgonin e policisë. Nga ana e protestuesve u hodhën molotov dhe lëndë piroteknike, ndërsa policia reagoi duke hedhur gaz lotsjellës.

Gjithashtu i dëmtuar mbeti edhe deputeti, Bledion Nallbati, i cili ka përfunduar në spital. Ai ka pretenduar se policia e ka dhunuar dhe e ka goditur me shkop gome. Si pasojë ai ka pësuar dëmtime ndërsa ka përfunduar në QSUT.

Ndërkohë, molotovët dëmtuan edhe një operator të mediave, i cili u përfshi nga flakët. Ai kishte hipur mbi makinë dhe po raportonte nga protesta, kur një sasi lënde piroteknike shpërtheu pranë tij, duke bërë që të përfshihet nga flakët. Si pasojë ai është nisur drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërkohë Berisha deklaroi se molotovi ishte hedhur nga Policia.

Sakaq i dëmtuar mbeti gjithashtu edhe një shtetas i huaj, i cili thuhet se ishte gazetar dhe ndodhej në protestën te Parlamenti.
Pasi qytetarët hodhën molotov drejt godinës dhe policia ju kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës, ai ka mbetur i dëmtuar ndërsa është shprehur “oh my god, what is going on” – “o zot çfarë po ndodh”. Pas kësaj ai është asistuar nga qytetarët të cilët i kanë ardhur në ndihmë.

Pas tensioneve dhe përplasjeve me policinë qytetarët janë larguar dhe protesta është mbyllur. Ndërkohë nga selia blu, Sali Berisha deklaroi se PD nuk do ti ndalë protestat, ndërsa njoftoi se më 20 shkurt do të mbahet protesta e radhës.
Ndërkohë, protesta e PD-së ka bërë jehonë edhe në mediat e huaja, të cilat kanë deklaruar ndër të tjera se këto protesta kërcënojnë pushtetin e Ramës, qeverinë e të cilit e cilësojnë si të zhytur në skandale.
LEXO EDHE:














