Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi se mbyllja teknike e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian nuk do të thotë se Shqipëria është më pranë anëtarësimit.
Sipas saj, integrimi matet me zbatimin e standardeve europiane në arsim, ekonomi, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e pronës, e jo me propagandën qeveritare.
Tabaku kritikoi qeverinë për ligje që, sipas saj, bien ndesh me frymën e BE-së, si ai për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura dhe koncesionet.
Ajo theksoi se qytetarët vazhdojnë të kërkojnë në protesta vlerat europiane, si barazia para ligjit, institucione funksionale dhe një ekonomi të drejtë.
Fjala e Tabakut
Sa larg apo sa afër jemi me Bashkimin Europian?
Kjo është pyetja që çdo qytetar shqiptar duhet t’i bëjë sot vetes, ndërkohë që lajmi dhe propaganda e madhe e qeverisë lidhen me mbylljen e tre kapitujve.
Kjo pyetje merr vlerë kur krahasojmë se ku ndodhet Shqipëria në raport me vendet e Bashkimit Europian dhe të rajonit.
A kemi arsim më cilësor? A kemi klasa me më pak nxënës? A zgjedhin të rinjtë të arsimohen në Shqipëri apo largohen jashtë vendit?
Këto janë pyetje të drejta, që bëhen çdo ditë në sheshin e protestës, në tryezat e familjeve shqiptare dhe nga nënat që detyrohen t’i largojnë fëmijët e tyre jashtë Shqipërisë për t’u arsimuar.
Dhe këto pyetje lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit.
Sot, vetëm 0.17% e buxhetit shkon për kërkimin shkencor, ndërkohë që objektivi është 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo tregon se jemi ende larg.
E njëjta gjë ndodh edhe me biznesin. Biznesit shqiptar mund t’i duhen 30 vjet që të përafrohet me standardet, produktivitetin dhe normat e bizneseve europiane. Edhe kjo tregon se jemi larg.
Larg Europës na mbajnë edhe ligjet që bien ndesh me frymën e Bashkimit Europian: ligji për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura, ndërhyrjet mbi tokat bujqësore, koncesionet e porteve dhe shumë ligje të tjera.
Të gjitha këto tregojnë se sa larg Europës jemi në realitet.
Mbyllja e kapitujve nuk do të thotë automatikisht se po shkojmë drejt Europës. Ajo është pjesë e një procesi teknik, që ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhë.
Ajo që na çon në Bashkimin Europian janë vlerat, standardet dhe normat europiane.
Vlera që, fatkeqësisht, shqiptarët sot po detyrohen t’i kërkojnë nga sheshi i protestës.














