Kur punonjës të policisë private të maskuar nisën të tërhiqnin zvarrë në Zvërnec protestuesin Eduart Subashi më 30 maj, pak kush mund ta parashikonte se ato pamje do të shndërroheshin në pikënisjen e një lëvizjeje që 45 ditë më vonë vijon të mbledhi qindra protestues çdo mbrëmje në qendër të Tiranës.
Ai që lindi si një reagim kundër një projekti turistik në një zonë të mbrojtur nuk mbeti vetëm tek Zvërneci. Me kalimin e ditëve, protesta nisi të marrë formë të re duke sjellë në qendër të debatit mbrojtjen e mjedisit, transparencën në vendimmarrje, administrimin e pasurive publike dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit e pagëzuan atë si “Revolucioni i Flamingove”, duke marrë emrin e shpendit simbol të lagunës së Nartës, habitati i të cilit konsiderohet i rrezikuar nga projekti për ndërtimin e strukturave akomoduese turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Megjithëse projekti për Zvërnecin u lidh gjerësisht në rrjetet sociale me Jared Kushner dhe Ivanka Trump – dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan Donald Trump – deklaratat e tyre publike dhe dokumentet tregojnë se interesin e kanë për projektin në ishullin e Sazanit dhe jo drejtpërdrejtë në Zvërnec. Ndërkohë, investimi në Zvërnec po zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e lidhur me një rrjet kompanish shqiptare të angazhuara në blerjen e pronave dhe negociatat me banorët.
Qeveria shqiptare e ka mbështetur projektin si një investim strategjik për zhvillimin e turizmit elitar pavarësisht kundërshtimeve nga banorët, organizatat mjedisore dhe ekspertët. Nga ana tjetër dokumentet e një hetimi të Prokurorisë të Posaçme (SPAK) ngrenë dyshime se një pjesë e pronave në gjurmën e projektit u siguruan përmes një skeme të dyshuar falsifikimi dokumentesh pronësie, tjetërsimi dhe transaksionesh me vlerë mbi 200 milionë euro, të cilat po hetohen edhe në funksion të dyshimeve për pastrim parash dhe të lidhura kryesisht me biznesmenin Artur Shehu.
Dhuna që ndezi një lëvizje
Paraditja e 30 majit mblodhi në Zvërnec të Vlorës banorë, aktivistë dhe mbrojtës të mjedisit, të cilët kundërshtuan rrethimin me tela të një pjese të zonës në kuadër të projektit të parashikuar për shërbime turistike. Protestuesit argumentuan se rrethimi kufizonte aksesin në tokat e tyre dhe një hapësirë me vlera të veçanta natyrore. Në qendër të shqetësimeve u vendos edhe flamingoja, shpendi që prej vitesh identifikohet me lagunën e Nartës dhe që më vonë do t’i jepte emrin vetë protestës.
Përplasja mes protestuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë “Major Security” shënoi kthesën e parë të lëvizjes, fill pasi ata u dhunuan brutalisht nga rojet private, që i tërhoqën zvarrë dhe i hodhën sprai me piper. Pamjet ku një banori i Zvërnecit dhe me qëndrim në Greqi, Eduart Subashi u tërhoq zvarrë, u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, u transmetuan nga mediat shqiptare dhe u pasqyruan edhe në ato ndërkombëtare, duke nxitur reagime të gjera publike. Ngjarja solli edhe reagime institucionale dhe Policia e Shtetit pezulloi drejtorin e Policisë së Vlorës, ndërsa dy punonjës të “Major Security” u arrestuan dhe po gjykohen për veprimet e tyre. Megjithëse vetë efektivët e Policisë së Shtetit megjithëse ishin prezentë ditën e protestës nuk ndërhynë për të ndaluar rojet private që të dhunonin protestuesit.
Në ditët më pas, protesta doli përtej kufijve të Zvërnecit. Aktivistët e zhvendosën protestën në Tiranë, duke e kthyer atë në një marshim të përditshëm. Çdo mbrëmje, qytetarët mblidhen në Sheshin “Skënderbej” dhe marshojnë drejt Kryeministrisë, ku një mikrofon dhe një foni e thjeshtë është bërë zëri i protestës.

Zhvendosja e protestës në Tiranë solli edhe reagimin e parë të kryeministrit Edi Rama. Duke iu përgjigjur protestuesve, ai mbrojti projektin në Zvërnec dhe argumentoi se debati nuk lidhej me cenimin e zonës së mbrojtur, por me zgjedhjen e modelit të zhvillimit turistik që duhet të ndjeki Shqipëria. Rama u shpreh se investime të tilla janë të domosdoshme për rritjen e cilësisë së turizmit, ndërsa pyetjeve mbi mënyrën se si ishte përzgjedhur projekti dhe procedurat e ndjekura nuk iu përgjigj.
“Kryeministria” si qendra e gravitetit
Në fillim të qershorit protesta nisi të merrte një formë të re, që vendosi një aks të lëvizjes së protestuesve midis sheshit përpara Kryeministrisë dhe shesheve qendrore të kryeqytetit. Ajo u zgjerua në debatin publik dhe nuk mbeti më e lidhur vetëm me kundërshtimin e një projekti turistik apo me mbrojtjen e një zone të vetme natyrore. Aktivistët, studentët, pedagogët, artistët, prindërit dhe qytetarë të profesioneve të ndryshme ndajnë në shesh historitë, shqetësimet dhe arsyet pse janë bërë pjesë e protestës. Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që marrin pjesë në një protestë publike.
Me kalimin e ditëve, pjesëmarrja u zgjerua edhe në qytetet e tjera të vendit, kryesisht në Durrës, Vlorë, Korçë dhe Berat. Krahas aktivistëve të angazhuar prej vitesh në mbrojtjen e mjedisit, protestës iu bashkuan gjithnjë e më shumë të rinj, familje me fëmijë dhe qytetarë që nuk ishin identifikuar më parë me protesta apo organizime publike. Prania e tyre i dha lëvizjes një profil më të gjerë shoqëror, ndërsa marshimet e përditshme u kthyen në një hapësirë ku diskutohen jo vetëm çështjet e mjedisit, por edhe mënyra e qeverisjes, transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje.
Nga dita në ditë protesta zgjatej në orar, duke nisur nga ora 18:00 dhe duke u mbyllur në mesnatë, me një pjesëmarrje masive prej mbi 7 orësh në rrugët e kryeqytetit. Kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec u shoqërua me thirrje për rishikimin e politikave që lidhen me investimet strategjike, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe administrimin e pasurive publike. Kjo shënoi edhe momentin kur protesta nisi të perceptohej jo më si një reagim lokal, por si një lëvizje qytetare me kauza më të gjera.
Në sheshin para Kryeministrisë spikateshin masivisht të rinjtë e “Gjeneratës Z”, të cilët vijojnë çdo natë pas protestës aty një marshim masiv në rrugët e Tiranës, duke u tërhequr vetëm pasi afrohet mesnata dhe rikthehen në shesh ditën tjetër.
Nga rrugët e Tiranës zhvillimet për Zvërnecin përfunduan deri në Bruksel dhe u reflektuan edhe në raportin vjetor të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ku eurodeputetët shprehën shqetësim për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, kërkuan rishikimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe bënë thirrje për një moratorium mbi lejet dhe punimet e reja deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës. Ky interes institucional u shoqërua edhe me praninë në terren të një grupi eurodeputetësh, të cilët morën pjesë në protestën në Tiranë dhe vizituan më pas Zvërnecin për t’u njohur nga afër me situatën dhe pasojat e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur.
Një protestë, shumë zëra
Me kalimin e javëve, “Revolucioni i Flamingove” pushoi së qeni vetëm protesta e qytetarëve që kundërshtojnë ndërhyrjet në Zvërnec. Çdo mbrëmje, në Sheshin “Skënderbej”, zërat që marrin mikrofonin përfaqësojnë gjithnjë e më shumë kauza nga qytete të ndryshme të vendit, të bashkuara nga shqetësime të përbashkëta për mënyrën se si menaxhohen territori, pasuritë publike dhe proceset e vendimmarrjes.
Mes tyre spikat çdo natë Luçiana Kokaj, që fillimisht ishte zëri zyrtar i protestës që e hapte dhe bënte thirrjet mbi kërkesat e protestuesve. Ajo është nga fshati Rrjoll në Velipojë dhe prej vitesh ka emigruar në Itali. Luçiana u rikthye në Shqipëri për të kërkuar të drejtat mbi tokat që sipas saj familja i ka trashëguar ndër breza dhe që preken nga projekti i resortit turistik “Blue Borgo”. Ajo ka lënë angazhimet personale në Italit dhe pothuajse çdo mbrëmje merr fjalën në protestë, duke e lidhur kauzën e Rrjollit me kërkesat e qytetarëve për më shumë transparencë në tërësi, mbrojtjen e pronës dhe pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje.
Protestës i janë bashkuar edhe banorët e Durrësit që prej muajsh kundërshtojnë projektin TID Durrës. Një nga zërat më të dëgjuar është arkitektja Entela Koja-Spahivogli, përfaqësuese e banorëve, e cila është bërë një nga figurat më të pranishme në tubimet e përditshme. Në fjalimet e saj, ajo ngre shqetësimet e komunitetit për mungesën e transparencës rreth projektit dhe ndikimin që ai mund të ketë mbi qytetin, duke e sjellë kauzën e Durrësit si pjesë e mozaikut të kërkesave të lëvizjes popullore.

Me kalimin e ditëve, marshimi i përditshëm vazhdon të mbledhi qytetarë dhe aktivistë që vijnë me kauza të ndryshme, nga mbrojtja e zonave të mbrojtura, te çështjet e pronësisë, zhvillimit urban dhe transparencës në vendimmarrje. Kjo e ka kthyer “Revolucionin e Flamingove” në një hapësirë ku bashkëjetojnë kërkesa të ndryshme qytetare, të lidhura nga një ide e përbashkët, mbrojtja e interesit publik dhe kërkesa për një proces vendimmarrjeje më të hapur.
Protestë me një imazh kreativ
Marshimi drejt Kryeministrisë është kthyer në një ritual të përditshëm, ndërsa mënyra se si zhvillohet e dallon nga protestat e zakonshme në Shqipëri për nga organizimi kreativ dhe dhjetëra qytetarë e turistë që bashkohen me valën e marshimit gjatë rrugës.
Çdo mbrëmje, pjesëmarrësit mbajnë pankarta të punuara me dorë, vizatime, karikatura dhe instalacione artistike që ndryshojnë pothuajse çdo ditë, duke e transformuar protestën në një hapësirë ku arti dhe mesazhi ecin paralelisht. Një “qilim” prej kartonash shërben si një atelje provizore për fëmijët që mbërrijnë me prindërit dhe pikturojnë aty me orë të tëra.
Flamingoja rozë, shpendi që i dha emrin lëvizjes, është bërë simboli më i njohur i saj. Ajo shfaqet në pankarta, vizatime, maska dhe objekte të krijuara nga vetë protestuesit, duke përfaqësuar jo vetëm mbrojtjen e Lagunës së Nartës, por edhe idenë se natyra dhe hapësirat publike janë një e mirë e përbashkët.
Ndryshe nga protestat tradicionale, ku fjalën e kanë zakonisht drejtuesit politikë apo organizatorët, në “Revolucionin e Flamingove” mikrofoni mbetet i hapur. Çdo mbrëmje, pjesëmarrës të profesioneve dhe moshave të ndryshme marrin fjalën për të ndarë historitë, shqetësimet dhe arsyet pse zgjedhin të jenë pjesë e protestës. Në këtë mënyrë, ajo është shndërruar edhe në një hapësirë dialogu mes tyre.
Një tjetër element dallues është pjesëmarrja e familjeve. Prindër që mbajnë fëmijët për dore apo në karroca, të rinj, studentë dhe pensionistë marshojnë krah njëri-tjetrit, duke krijuar një panoramë që rrallë është parë në protestat e viteve të fundit. Për shumë prej tyre, prania e fëmijëve është një mënyrë për të treguar se kërkesat e tyre lidhen edhe me të ardhmen e brezave që duan të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.
Humori është bërë po ashtu pjesë e identitetit të protestës. Përmes ironisë, krijimeve artistike dhe pankartave kreative, protestuesit përcjellin mesazhet e tyre në një formë që shpesh tërheq vëmendjen e kalimtarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale, duke i dhënë protestës një gjuhë komunikimi të ndryshme nga ajo e protestave tradicionale.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë kanë përdorur vazhdimisht rrjetet sociale për të publikuar deklarata, foto dhe materiale të tjera lidhur me protestën. Në një pjesë të këtyre publikimeve, protestuesit janë portretizuar në mënyrë kritike, ndërsa mesazhet e shpërndara synojnë të kundërshtojnë pretendimet e tyre dhe të delegjitimojnë lëvizjen përmes targetimit të figurave të caktuara që marrin pjesë në të.
Jehona përtej bulevardit
Ndërsa marshimet e përditshme vijonin në Tiranë, protesta nisi të gjejë jehonë edhe përtej kryeqytetit. Krahas tubimeve të përnatshme, organizatorët thirrën protesta me pjesëmarrje kombëtare, ndërsa qytetarë dhe aktivistë organizuan protesta mbështetëse edhe në kryeqytetet kryesore nga Evropa në Mbretërinë e Bashkuar dhe më tej në SHBA.
Një nga momentet me pjesëmarrjen më të lartë ishte protesta e ditës së 20-të, kur në Tiranë mbërritën shqiptarë nga diaspora për t’iu bashkuar marshimit. Teksa ata që jetojnë jashtë vendit po vijojnë me organizimin e protestave simbolike dhe me përhapjen e mesazheve që e kanë çuar jehonën e lëvizjes edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Përballja me Policinë e Shtetit
Krahas marshimeve të përditshme në mbrëmje, protestuesit organizuan edhe protesta para Kuvendit në ditët kur zhvilloheshin seancat parlamentare, me synimin për t’i çuar kërkesat e tyre drejtpërdrejt përballë institucioneve vendimmarrëse. Pikërisht në dy prej këtyre protestave u shënuan përplasjet më të forta me Policinë e Shtetit, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan dhe u arrestuan.
Përplasja më e madhe ndodhi pas protestës së 2 korrikut, kur Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 19 protestuesve dhe procedimin penal të 12 të tjerëve, duke i akuzuar për kundërshtim të punonjësve të policisë, dëmtim të një automjeti policor dhe sulm ndaj deputetëve. Më katër korrik Gjykata e Tiranës liroi nga qelia të 19 të arrestuarit, ndërsa për një pjesë të tyre caktoi masa më të lehta sigurie.
Arrestimet dhe pretendimet për ushtrim dhune ndaj protestuesve nxitën reagimin e 24 organizatave të shoqërisë civile, të cilat kërkuan një hetim të pavarur, të paanshëm dhe efektiv për çdo pretendim të besueshëm për keqtrajtim, si edhe garantimin e së drejtës për mbrojtje dhe tubim paqësor. Organizatat i bënë thirrje institucioneve që të dokumentojnë çdo rast të dyshuar dhe të shmangin deklarimet që mund të paragjykojnë hetimet.
Pavarësisht përplasjeve, arrestimeve dhe debateve që i shoqëruan, protesta nuk u ndërpre. Marshimet e përditshme vijuan edhe në ditët pasuese, ndërsa organizatorët këmbëngulën se lëvizja do të mbetet paqësore dhe e hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet.

Në mbrëmjen e ditës së 44-ët të protestës, një nga temat që u përsërit në fjalimet e qytetarëve ishte vazhdimësia e lëvizjes. Pas diskutimeve në rrjetet sociale se protestat mund të ndërpriteshin gjatë muajit gusht për të rinisur në shtator, protestuesit e hodhën poshtë publikisht këtë mundësi.
Njëri pas tjetrit, qytetarët që morën fjalën përpara Kryeministrisë përsëritën të njëjtin mesazh: “Protesta nuk do të ndalet” dhe më tej se, “Ky shesh është fundi i qeverisë”, ishte një nga thirrjet e tjera që u dëgjua mes protestuesve.
Protesta “e padukshme” paralele
Përtej raportimeve të qindra mediave profesionale, televizioneve, gazetave, agjencive ndërkombëtare të lajmeve dhe platformave të verifikimit të fakteve që dokumentuan zhvillimet në terren, protesta për Zvërnecin u shoqërua nga një fushatë paralele dezinformimi në rrjetet sociale. Ndryshe nga raportimet e bazuara në ngjarjet e protestës, kjo fushatë nuk synonte të informonte mbi atë që ndodhte në shesh, por të ndërtonte një version alternativ të protestës si anti-perëindimore dhe të destinuar për audiencat jashtë Shqipërisë.
Analizat e Amforës treguan se në platforma si “X” u përhapën narrativa të fabrikuara që e shkëputën protestën nga konteksti i saj real. Kundërshtimi ndaj projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit u zëvendësua me pretendime se protesta lidhej me vendosjen e kolonëve izraelitë në Shqipëri, ndërsa në raste të tjera u paraqit si pjesë e investimeve me interes të drejtpërdrejtë të Familjes Trump. Këto narrativa nuk mbështeteshin në fakte apo dokumente të verifikuara, por në riciklimin e teorive konspirative dhe interpretimeve të pabazuara.
Objektivi i këtyre narrativave nuk ishte publiku shqiptar, i cili kishte mundësi të ndiqte zhvillimet përmes mediave vendase dhe pranisë së protestës në terren, por përdoruesit ndërkombëtarë të rrjeteve sociale. Në përmbajtjet e analizuara spikatën veçanërisht narrativa me tone antisemite dhe antiperëndimore, të përhapura nga kanalet e ekosistemeve të propagandës iraniane dhe ruse.
Përmes pretendimeve të pabazuara për një plan të supozuar të vendosjes së kolonëve izraelitë në Shqipëri dhe interpretimit të projektit si pjesë e një agjende të fshehtë perëndimore, këto llogari synuan ta zhvendosnin debatin nga kundërshtimi ndaj zhvillimit të projektit turistik në një narrativë gjeopolitike. Këto mesazhe nuk u mbështetën në fakte të verifikueshme, por ricikluan teori konspirative dhe narrativa të njohura dezinformuese, të përdorura shpesh nga rrjete që promovojnë mesazhe në përputhje me interesat propagandistike ruse dhe iraniane për të ushqyer mosbesimin ndaj institucioneve demokratike dhe aleancave perëndimore. /Amfora.al













