Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin, Klajdi Lleshi, 21 vjeç pasi akuzohet se grabiste automjete për t’i shitur më pas te persona me precedent kriminal, të cilët i përdornin për kryerjen e veprave të tjera penale.
Sipas Policisë, i riu ka vjedhur 4 automjete, një në Gjoricë të Bulqizës dhe tre në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe sende personale në një automjet, po në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar automjetet e vjedhura të markave Benz, Toyota, Volkswagen dhe Ford Focus.
“Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se 21-vjeçari ka vjedhur 1 automjet në Bulqizë edhe tre automjete të tjera në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe sende personale në një automjet, po në lagjen nr. 15, Durrës.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar automjetet e vjedhura të markave Benz, Toyota, Volkswagen dhe Ford Focus’,- thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ndërsa hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas vijojnë.














