Parlamenti mblidhet këtë të enjte, 23 korrik, në seancën e fundit plenare të këtij sesioni, përpara ndërprerjes së punimeve deri në muajin shtator.
Organizatorët e protestës qytetare u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në orën 08:30 në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të marshojnë drejt Kuvendit, ku në orën 10:00 nis seanca plenare.
Sipas tyre, protesta do të zhvillohet për të kundërshtuar miratimin e disa projektligjeve, mes të cilave edhe Paketa e Maleve, për të cilën ata pretendojnë se cenon interesin publik dhe hap rrugën për tjetërsimin e pronave. Protestuesit kanë deklaruar se do të përpiqen të pengojnë deputetët të votojnë këtë nismë.
Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu se protesta do të shoqërohet me aksione simbolike, përfshirë hedhjen e vezëve dhe miellit ndaj deputetëve në hyrje të Kuvendit, pavarësisht masave të sigurisë që pritet të marrë Policia e Shtetit.
Kjo nuk është hera e parë që protesta qytetare zhvillohet përpara Kuvendit. Në tubimet e mëparshme janë regjistruar incidente me hedhje vezësh dhe mielli ndaj deputetëve dhe automjeteve të tyre, si edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.














