Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit, ku mbetën të plagosur tre persona në një lokal në lagjen “Vullnetari”.
Sipas të dhënave të fundit, në vendin e ngjarjes ekspertët e hetimit kanë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të zbuluar armën e përdorur dhe për të ndihmuar në identifikimin e autorit.
Tre të plagosurit, Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç dhe Renaldo Mance, 31 vjeç, kanë lënë spitalin vetëm pak orë pas marrjes së ndihmës mjekësore, pasi plagët e tyre fatmirësisht nuk rezultuan të rënda dhe nuk rrezikojnë jetën.
Burime bëjnë me dije se njëri prej tyre ka marrë një plagë në shpatull, një tjetër është qëlluar në këmbë, ndërsa personi i tretë ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi.
Ndërkohë, policia po heton disa pista për të zbardhur motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet për një larje hesapesh mes autorit dhe dy prej personave të plagosur, konkretisht Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance. Po ashtu, dyshohet se mes tyre ka patur një konflikt të mëparshëm, ç’ka e ka shtyrë autorin të ndërmarrë sulmin me armë.
Sipas raportimeve, në momentin e të shtënave, në lokal ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Pas dëgjimit të krismave, ai ka dalë nga ambienti dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë largimit, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale, por ka mundur të largohet dhe ende nuk është arrestuar. Ky i fundit, sipas burimeve, ka qenë i veshur me xhup dhe dyshohet se i maskuar me paruke.
Policia vijon kontrollet në zonë, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të atentatit dhe identifikimin e autorit.
LEXO EDHE:
Atentat në Elbasan/ 3 të plagosur, oficeri ndoqi autorin, ai hodhi armën dhe u arratis – EMRAT














