Një zjarr i përmasave të konsiderueshme është regjistruar në zonën mbi tunelin e Vlorës, duke rrezikuar banesat pranë zonës së Ujit të Ftohtë.
Flakët përfshinë sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ndërsa për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë u përhapën me shpejtësi, duke iu afruar zonës së banuar dhe asaj turistike.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, për vënien në kontroll të flakëve. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz apo në objekte.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri u regjistrua edhe në zonën e Qafë Thanës, ku flakët përfshinë një pjesë të kodrinave.
Sipas dyshimeve paraprake, zjarri mund të jetë shkaktuar nga djegia e disa gomave, ndërsa edhe kjo vatër u neutralizua nga shërbimet zjarrfikëse.














