Policia ka arrestuar dy persona në lidhje me plagosjen e Juxhin Hamajezit, ngjarje e ndodhur në muajin maj të këtij viti.
Në pranga kanë rënë Gjergji Lleshi dhe Lulzim Mejdani, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me autorin e dyshuar të plagosjes, Klodian Kallon.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, ata kanë refuzuar të japin deklarime për ngjarjen apo për personin e dyshuar si autor, duke deklaruar se do të flasin vetëm përpara gjykatës.
Juxhin Hamajezi mbeti i plagosur më 27 maj, pasi u qëllua me armë zjarri në këmbë. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një konflikti mes tij dhe Klodian Kallos, i lidhur me një borxh të pashlyer.
Hetuesit dyshojnë se konflikti ka nisur pas një marrëveshjeje për një automjet tip “Jaguar”, të cilin Hamajezi dyshohet se e kishte marrë dhe nuk kishte kryer pagesën për të. Përplasja mes palëve më pas ka përfunduar me plagosjen e tij.
Edhe Juxhin Hamajezi, edhe Klodian Kallo rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe rolin e secilit person të përfshirë.














