Matthias Rüb – Frankfurter Allgemeine”
“Flamingot” në rrugët e Tiranës nuk po tërhiqen. As nuk largohen vetë, as nuk zmbrapsen nga topat e ujit apo gazi lotsjellës. Përkundrazi, prej më shumë se një muaji, protestuesit – të quajtur tashmë “Flamingot” – dalin pothuajse çdo mbrëmje në rrugë dhe grumbullohen përpara Kryeministrisë ose Parlamentit. Herë pas here janë regjistruar edhe përplasje dhe sulme ndaj forcave të policisë.
Të shtunën, me rastin e 62-vjetorit të lindjes së kryeministrit Edi Rama, dhjetëra mijëra qytetarë dolën në protestë. Ishte demonstrata më e madhe e organizuar deri më tani nga “Lëvizja Flamingo”, e cila tashmë e ka shtrirë protestën jo vetëm kundër projekteve të diskutueshme, por edhe kundër vetë Ramës. Situata politike ndodhet në një ngërç: protestuesit nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre, ndërsa kryeministri nuk tregon gatishmëri për të bërë lëshime.
Shkëndija e protestave u bë në fund të muajit maj, kur punonjës të një kompanie private sigurie ndërhynë me forcë ndaj aktivistëve të mjedisit pranë fshatit Zvërnec, në Lagunën e Nartës. Zona e mbrojtur ndodhet rreth 160 kilometra në jug të Tiranës, në deltën e lumit Vjosë përgjatë bregdetit Adriatik. Laguna është strehë dhe vend folezimi për dhjetëra specie shpendësh shtegtarë, si dhe për shumë lloje peshqish, molusqesh dhe organizmash të tjerë detarë. Flamingot, që i kanë dhënë emrin dhe simbolin kësaj lëvizjeje, jetojnë gjatë gjithë vitit në këtë lagunë. Gjatë protestave në Tiranë ato shfaqen kudo: në pankarta, si figura të fryra, si kamerdare, apo si instalacione artistike të punuara me dru dhe pupla plastike.
Aktualisht, në skajin jugor të lagunës po thahet një pjesë e zonës ligatinore dhe po ndërtohet rruga hyrëse për një resort luksoz. Edhe për ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake e pabanuar, është planifikuar një projekt tjetër turistik në segmentin luksoz. Në të dy projektet janë të përfshira kompani të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, si dhe partnerë nga Shqipëria dhe Katari.
Për të hapur rrugën zhvillimit turistik në zonën e Zvërnecit, Parlamenti shqiptar, i dominuar nga socialistët që prej vitit 2013, ndryshoi në vitin 2024 ligjin për mbrojtjen e natyrës dhe peizazhit. Sipas kritikëve, këto ndryshime dobësuan mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Investimet në segmentin luksoz tashmë konsiderohen “strategjike” për zhvillimin ekonomik të vendit dhe lejohen edhe në zona të mbrojtura, me kusht që të respektohen legjislacioni shqiptar dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Rama argumenton se Shqipëria duhet të zhvillojë turizmin e nivelit të lartë, duke qenë se sektori përfaqëson tashmë mbi një të pestën e ekonomisë së vendit. Sipas tij, investimet luksoze sjellin më shumë të ardhura dhe vende pune, ndërkohë që konsumojnë më pak territor dhe ushtrojnë më pak presion mbi mjedisin dhe infrastrukturën sesa turizmi masiv.
“Unë luftoj për investimet e huaja direkte në Shqipëri”, është shprehur Rama, duke theksuar se nuk mund të refuzojë projekte që parashikojnë investime me vlerë mbi katër miliardë euro, pasi ato, sipas tij, janë në interes të vendit.
Kritikët, ndërkohë, dyshojnë se disa anëtarë të qeverisë udhëhiqen kryesisht nga interesa personale dhe financiare. Për këtë arsye, protestat e “Flamingove” nuk kufizohen më vetëm te projektet në Zvërnec dhe Sazan, por janë shndërruar në protesta kundër qeverisë, korrupsionit dhe nepotizmit në Shqipëri. Një nga kërkesat kryesore të protestuesve është dorëheqja e kryeministrit.
Një projekt i ngjashëm luksoz i Jared Kushner ishte planifikuar edhe në Beograd, por ai mbeti pezull pasi qeveria serbe, përballë protestave të vazhdueshme studentore kundër korrupsionit dhe nepotizmit, hoqi dorë nga avancimi i tij.
Rama i ka refuzuar kërkesat për dorëheqje. Në intervista për media shqiptare dhe ndërkombëtare, ai ka deklaruar se Partia Socialiste mori në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 mandatin e 868 mijë votuesve për të qeverisur edhe katër vite të tjera dhe për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Sipas tij, nuk ekziston një krizë besimi ndaj qeverisë.
“Protestuesit nuk mund të zgjohen një mëngjes dhe të thonë se duan dorëheqjen e qeverisë. Kështu nuk funksionon. Duhet të prisni zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Rama më 1 korrik, në margjinat e Forumit Evropian të Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Bochum.
Kryeministri ka argumentuar gjithashtu se protestat nuk drejtohen vetëm kundër tij, por edhe kundër Donald Trump. Sipas tij, fakti që dhëndri i ish-presidentit amerikan dëshiron të investojë në Shqipëri ka shqetësuar shumë aktorë brenda dhe jashtë vendit. Rama është shprehur se Shqipëria është kthyer në “një skenë për të gjitha forcat anti-Trump”.
Së fundmi, ai i ka cilësuar protestat si dëshmi të pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe ka premtuar se do të dëgjojë ata qytetarë që protestojnë me motive të sinqerta. Megjithatë, deklaratat e tij më pajtuese tregojnë se ai e konsideron “Lëvizjen Flamingo” si sfidën më serioze ndaj pushtetit të tij që nga ardhja e socialistëve në qeveri në vitin 2013. Kjo sepse lëvizja mbështetet kryesisht nga të rinjtë, të cilët gjatë jetës së tyre kanë njohur pothuajse vetëm qeverisjen e Edi Ramës.














