Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ishte një nga emrat e përmendur nga protestuesit gjatë tubimit të zhvilluar sot.
Gjatë marshimit, protestuesit hodhën thirrje në adresë të deputetes socialiste, duke iu referuar rezultatit të saj në zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe mbështetjes që mori nga të burgosurit në IEVP Peqin.
“Sara Mila, ushtare e sulltanit, ke të fala nga burgu i Elbasanit”, ishte një nga thirrjet e dëgjuara gjatë protestës.
Protestuesit e ironizuan gjithashtu deputeten duke e quajtur “ushtare e sulltanit”, në referencë ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sara Mila ishte ndër kandidatët më të votuar të Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa rezultoi se mori edhe një numër të lartë votash nga personat e dënuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin.
Deputetja socialiste ka qenë më herët objekt i akuzave politike nga opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar atë si “deputete të krimit”, duke pretenduar lidhje me persona me rekorde kriminale. Këto akuza janë mohuar nga Sara Mila dhe janë kundërshtuar edhe nga Partia Socialiste.














