Nga Boldnews.al
Kur Gjykata Kushtetuese, me anën e dy vendimeve në kohë të ndryshme, legjitimoi masën e sigurimit dhe ndaluese për deputetin Sali Berisha, shumica e majtë, mes të cilëve edhe Belinda Balluku, me shumë mundësi kanë fërkuar duart.
Kishte shumë juristë që besonin se Gjykata Kushtetuese kalibroi mekanizmat e saj për të prodhuar një “kostum” të shtrembër dhe jashtë standardit për liderin e opozitës. Të njëjtët besonin se ai “kostum” u përgatit me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Ndoshta nuk është krahasimi më i përshtatshëm, megjithatë, Gjykata Kushtetuese mund të konsiderohet si një fabrikë, e cila, si rregull, ka detyrimin që të prodhojë “kostume të njëjta”, pavarësisht individit që do ta përdorë.
Ndaj, kjo gjykatë, do të duhet që “kostumin” e përgatitur për Berishën, t’ia veshë edhe zv.kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Beteja” e Ramës për Ballukun
Gjykata e Posaçme e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), në dt. 19 nëtor 2025, caktoi masën e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe masën ndaluese “pezullimi i ushtrimit të detyrës” për Ballukun, në kuadër të një hetimi penal për “Shkelje të barazinë në tenderave”, në procedurën me vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Ndërkohë që vendimi i Gjykatës është i zbatueshëm drejtëpërdrejtë, kryeministri Edi Rama deklaroi në 21 nëntor 2025 se kishte vendosur që të ankimonte “pezullimin nga detyra” të zëvendëses së tij në Gjykatë Kushtetuese, nën argumentin se GJKKO i kishte marrë kompetencat e tij se kreu i qeverisë për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Me këtë lëvizje, Rama e kaloi topin në tavolinën e gjyqtarëve kushtetues. Këta të fundit, do të duhet të nxjerrin nga dollapi i tyre “kostumin” e përgatitur për Berishën. Por, si ishte ai “kostum” dhe çfarë pasojash sjell në rastin e Ballukut?
Rama kërkon “kostum të ri” për Ballukun
Në objektin e kërkesës për çështjen “Balluku”, kryeministri, si subjekt që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, kërkon prej saj (1) “Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës mes Kryeministrit dhe Gjykatës së Posaçme për pezullimin e një ministri”; dhe (2) “Interpretim i nenit 103 të Kushtetutës (Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit).

Saktësisht, të njëjtat kërkesa kishte edhe 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (subjekt që vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese), kur, në 15 Dhjetor 2023, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese (1) “zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Kuvendit dhe GJKKO për kufizimin e lirisë së deputetit Sali Berisha dhe (2) “Interpretim i nenit 73/2 të Kushtetutës (imuniteti i deputetit).
Pra, kërkesa aktuale e Kryeministrit Rama është e njëjtë me kërkesën e dy viteve më parë të 1/5 së deputetëve të opozitës. Kjo do të thotë se edhe zgjidhja e rastit “Balluku” pritet të kalojë në të njëjtën rrugë me atë që u trajtua rasti “Berisha”.
“Cirku” i parë i shumicës në Kushtetuese
Mbledhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin 273, dt. 20.12.2023, vendosi “moskalimin e çështjes në seancë plenare”, me votim 8-1 .
Shumica e gjyqtarëve kushtetues, në të cilën bënin pjesë Holta Zaçaj (kryetare), Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Sandër Beci, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marjana Semini dhe Fiona Papajorgji, vendosën të mos e legjitimonin 1/5 si subjekt që vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në konflikt kompetencash, me argumentin se ajo çështje (pra masa e sigurimit ndaj deputetit Sali Berisha) “nuk përbënin konflikt kompetencash mes Kuvendit dhe Gjykatës së Posaçme”.

Gjithashtu, shumica e trupës gjykuese rrëzoi kërkesën e 1/5 së deputetëve për masën e sigurimit ndaj Berishës, duke vleruar se ato (pra masat e sigurimit) janë thellësisht personale dhe, për këtë arsye, ato mund të ankohen vetëm nga individët.
“Vendimet gjyqësore të kundërshtuara, duke qenë se i drejtohen një deputeti konkret janë ngushtësisht personale, për rrjedhojë kundërshtimi i tyre eventualisht edhe pranë Gjykatës, pas shterimit të mjeteve të zakonshme të ankimit, është në të drejtën e atij individi interesat e të cilit cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë”.
Një gjyqtar në pakicë
Në atë vendim, gjyqtarja e vetme në pakicë ishte Sonila Bejtja, e cila mbajti qëndrim tërësisht të kundërt me kolegët e saj, duke mbështetur idenë se rasti i Berishës duhej të kalonte për shqyrtim në themel.
Gjyqtarja Bejtja ka argumentuar se Kushtetuta i ka njohur të drejtën 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e drejtë nuk mund t’i mohohet ligjvënësve.
“Kushtetuta ia ka dhënë këtë të drejtë vetëm jo më pak se një të pestës së deputetëve. Ajo jo më kot ka njohur të drejtën e këtij subjekti për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues dhe jurisprudenca kushtetuese ka analizuar arsyet se përse ky grupim vjen në këtë gjykim në ndryshim nga çdo grupim tjetër parlamentar, pa pasur nevojë të argumentojë dhe justifikojë interesin e tij në çështjen konkrete…”, argumenton gjyqtarja në pakicë, duke mbajtur qëndrimin se Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtonte në themel kërkesën e deputetëve të opozitës.
Megjithatë, vendimi i shumicës mbeti në fuqi dhe, rrjedhimisht, deputeti Sali Berisha u detyrua të ndiqte të gjithë shkallët e gjyqësorit individualisht e, në fund, në 29 Korrik 2024, ai i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me ankim individual.
“Cirku” i dytë i shumicës në Kushtetuese
Berisha kërkoi shpalljen anti-kushtetuese të masës të sigurimit (detyrim për paraqitje) dhe masën ndaluese (ndalim daljes jashtë shtetit), të vendosura ndaj tij nga GJKKO, pa marrë autorizimin nga Parlamenti.
Me vendimin nr. 81, dt. 21 nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, pranoi pjesërisht kërkesën e Berishë, duke shfuqizuar masën “ndalim për dalje jashtë shtetit”.
Por, edhe në këtë rast, shfuqizimi nuk u bë për shkelje të parimit të proporcionalitetit në aplikimin e masës dhe anti-kushtetutshmërinë e saj pa marrë autorizim nga Parlamenti, por vetëm për faktin se gjykatat më të ulta nuk e kishin argumentuar si duhet aplikimin e asaj mase ndaluese.

Në fjalë të tjera, për shumicën e gjyqtarëve kushtetues, Holta Zaçaj, Marsida Xhaferllari, Sandër Beci, Marjana Semini dhe Gent Ibrahimi, nëse gjykatat e nivelit më të ulët do të kishin qenë më argumentuese, atëherë masa “ndalim për dalje jashtë shtetit” ndaj Berishës nuk do të ishte aspak problem.
Dy gjyqtarë të tjerë që kanë dalë pjesërisht kundër, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska, ishin akoma më radikalë. Ata mendonin se masa “ndalim për dalje jashtë shtetit” ndaj Berishës ishte tërësisht e përligjur.
Gjyqtarja Bejtja: Masa për Berishën, antikushtetuese
Ndërkohë, gjyqtarja e fundit në pakicë, Sonila Bejtja, sërish ka mbajtur një qëndrim tërësisht të kundërt nga shumica, duke argumentuar se mungesa e Autorizimit nga Parlamenti e bën nul të gjithë procedurën e masave kundër Sali Berishës.
Sipas saj, urdhërimi i kërkuesit për të mos u larguar jashtë territorit të vendit pa vendim të gjykatës e ka asgjësuar tërësisht lirinë e tij kushtetuese të lëvizjes jashtë shtetit, duke e bërë nul atë dhe duke përbërë kjo ndërhyrje, në thelb, heqje të kësaj lirie. Kjo nënkupton se në lidhje me këtë masë sigurimi …duhej të ishte kërkuar në çdo rast autorizimi i Kuvendit në përputhje me parashikimet e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës.”

Në një përmbledhje për rastin “Berisha” rezulton se:
– Gjykata Kushtetuese nuk ka legjitimuar si ankues entitetin 1/5 e deputetëve, megjithëse Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë në mënyrë të pakufizuar, duke argumentuar se “nuk ka konflikt kompetencash mes Kuvendit dhe Gjykatës së Posaçme” dhe se ankimi, për këto çështje, duhet të jetë individual.
– Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar masën “ndalim për dalje jashtë shtetit”, jo për shkak të mungesës së autorizimit nga Parlamenti, por vetëm për faktin se nuk ishte argumentuar siç duhet.
Rikthehemi te Rama-Balluku
Tashmë, në diskutim është kërkesa e kryeministrit Rama ndaj Gjykatës Kushtetuese për “pezullimin e Belinda Ballukut” dhe “ndalimin për dalje jashtë shtetit”.
Kushtetuta parashikon se Kryeministri, ashtu si edhe 1/5 e deputetëve, janë në listën e subjekteve që mund të vendosin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për “konflikt kompetencash”.
Por, duke qenë se Gjykata Kushtetuese, me interpretimin e saj, e nxori jashtë loje entitetin “1/5 e deputetëve”, atëherë, rrjedhimisht, duhet të mbajë të njëjtin standard edhe për kërkesën e entitetit tjetër, “Kryeministrit”, për kërkesën e tij për Belinda Ballukun.
Nga ana tjetër, Kryeministri, duke iu referuar nenit 103 të Kushtetutës, që barazon imunitetin e ministrit me atë të deputetit, ka ankimuar si jo-proporcionale edhe masën “ndalim për dalje jashtë shtetit” ndaj zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Por, edhe për këtë lloj mase, Gjykata Kushtetuese, në rastin e Berishës, nuk ka ngritur asnjë pretendim për anti-kushtetutshmërinë e saj. Kushtetuesja u kufizua vetëm tek mungesa e argumentimit për aplikimin e asaj mase.
Ndaj, duket se rruga që po ndjek Edi Rama për të mbrojtur vartësen e tij kryesore, Ballukun, do të duhet të kalojë në të njëjtat ujëra. Bazuar në lëvizjet e fundit, kërkesa e kryeministrit do të shqyrtohet nga të paktën 6 gjyqtarë kushtetues (Marsida Xhaferllari, Sandër Beci, Fiona Papajorgji, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marjana Semini), të cilët më herët kanë rrëzuar argumentat pro-Berishës.
Mbetet për t’u parë nëse këta individë do të marrin kthesën 180 gradë kur të shqyrtojnë ankesën e Ramës për Ballukun. Nëse ndodh kështu, do të përbëjë një dëshmi të qartë se Gjykata Kushtetuese merr vendimet bazuar në emrin e ankuesit.














