Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” deklaroi se ajo që ndodhi në Parlament, ku programi i qeverisë u votua pa debat, në një seancë 25 minuta, ishte ngjarje pozitive, për të treguar që ky Parlament është “uturaku i Edi Ramës”.
Sipas Bushatit, nëse seanca do të realizohej normalisht do të krijonte përshtypjen e gabuar se kemi të bëjmë me Parlament të një vendi demokratik.
“Po sikur Rama të sillej si ëngjëll, këta duhet të bënin rolin e ëngjëllit? Të shkonin të diskutonin, ministrat të lexonin program, këta ta kundërshtonin dhe do mbaronte kjo senacë 25 orë dhe po ta shohësh këtë, thua qenka Parlament normal i një vendi demokratik. Kjo do të ishte farsa. Kjo do të ishte idiotësia. Sepse ky nuk është Parlament normal, nuk kemi kryeministër normal. Sot ndodhi, që Rama nuk duronte dot Klevis Balliun dhe Bardhin që bërtisnin dhe tha, meqë veshët e mi nuk janë në humor të dëgjojnë, votoni dhe mbylleni. Vrap Balla, votim tha! Vrap Niko Peleshi, votim!
Këta kanë kërkuar komision për McGonigal, do e hapë njeri? Po për charterin e Ramës? Jo. Këta janë ca pupacë kot në Parlament. Shyqyr që ndodhi kjo, sepse është fytyra e vërtetë e këtij Parlamenti. Parlamenti është uturaku i autokratit. Çdo njeri, edhe nga opozita, po u soll normal brenda uturakut kuptohet se çfarë është. Në këtë kuptim ka pak rëndësi nëse provokoi Klevisi me Gaz Bardhin apo Rama. Ky Parlament duhet delegjitimuar sepse vetëm kështu kuptojmë në çfarë sistemi jetojmë. Nëse opozita sillet si në vend demokratik, bën lojën e autokratit. Kjo është fytyra e këtij Parlamenti”, deklaroi Bushati.