Kuvendi ka miratuar me 108 vota pro dhe asnjë kundër ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Në këto ndryshime përfshihet mbulimi i plotë i shpenzimeve postare për votën e diasporës, duke garantuar që emigrantët të mos paguajnë për kthimin e fletëve të votimit në Shqipëri.
Po ashtu, përfshihet edhe afrimi i afateve për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të dërgohet në kohë jashtë vendit.
Një tjetër ndryshim është që numërimi i votave të diasporës të bëhet nga KQZ me përfshirjen e komisionerëve politikë.
- PS-PD bien dakord, hiqet nga rendi i ditës votimi për Avokatin e Popullit!
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë rënë dakord që të shtyjnë votimin për avokatin e popullit.
Berisha kërkoi që të votohej Besim Ndregjoni, gjë për të cilën PS nuk ishte kundër asnjë emri, por tha se duhet të ketë një konsultim.
Berisha: “Në detyrimin e këtij parlamenti të votojë për avokat të popullit përfaqësuesin e asaj shtrese që përjetoi kalvarin më të egër barbaritë më të mëdha në të gjithë Europën. Shekuj dhe mijëvjeçar burgje dhe vite rinie të humbura. Mijëra e mijëra jetë të këputura në mes nga skuadrat e pushkatimit. Kampet e përqendrimit dhe gulagët e regjimit të shkuar janë një rast për këtë parlament për të emëruar pikërisht avokat të të drejtave të shqiptarëve, të drejtave themelore, një përfaqësues të shquar të tyre, një përfaqësues të shquar të një prej familjeve më të nderuara të Dibrës, dhe mendoj se nuk ka nevojë të përdoren votat sekrete, por të votoni Besim Ndregjonin edhe si një akt ndjese detyrimi, ndjese për atë që ka ndodhur, për dramën e tmerrshme që ka përjetuar shtresa e tyre”
Peleshi: “E njohim dhe të gjithë e dimë traditën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i takon Kuvendit të zgjedhë, por propozimet i takojnë opozitës dhe diskutohet për të arritur një emër konsesual. Duhet thënë që edhe në respekt të emrave. Duhet ti japim seriozitet procesit, mos ta lemë në seancë, thuhet një emër. Nuk kemi një vendim politik, përsa kohë ka munguar ky proces, nëse s’do kemi një rezultat për një emër të caktuar, ftoj opozitën të ndërtojmë procesin siç është traditë për të arritur me konsensus me një emër. S’jemi kundër asnjë emri, të ndërtojmë procesin dhe flasim për propozimet tuaja”
Berisha: “Në rast se është problemi për konsultim më të thelluar, mos e hidhni në votë, të bëhet një konsultim mes palëve dhe të vijmë ta votojmë. Kemi besim të plotë se ai kandidat nderon atë post dhe në rast se ju thoni, të marrim kohën të ulen palët dhe të biem dakord për këtë përfaqësues”
Peleshi: “Jemi dakord për ta hequr nga rendi i ditës dhe të ndërtojmë procesin sic është tradita”
- Kuvendi shkarkon nga detyra të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së
Kuvendi i Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Gjatë seancës së sotme, Kuvendi shkarkoi me shumicë të thjeshtë votash të 11-të anëtarët e Këshillit, duke filluar nga Gëzim Podgorica, deri te Milena Selimi.
Gëzim Podgorica – 89 vota pro, 5 abstenim, 4 kundër
Genc Përmeti – 91 vota pro, 0 abstenim, 4 kundër
Leka Bungo – 95 vota pro, 5 abstenim, 3 kundër
Albert Minga – 88 vota pro, 6 abstenim, 6 kundër
Ardita Reçi – 92 vota pro, 3 abstenim, 3 kundër
Dionis Papadhimitri – 92 vota pro, 3 abstenim, 2 kundër
Edmond Tullumani – 96 vota pro, 1 abstenim, 3 kundër
Engjëll Ndocaj – 94 vota pro, 4 abstenim, 4 kundër
Ilir Keko – 89 vota pro, 3 abstenim, 11 kundër
Mevlan Shanaj – 64 vota pro, 12 abstenim, 15 kundër
Milena Selimi – 93 vota pro, 3 abstenim, 4 kundër
Kujtojmë se Kuvendi nisi presionin ndaj institucionit drejtues të operatorit të vetëm publik në vend pasi Këshilli Drejtues me shumicë votash skualifikoi nga gara për drejtor të përgjithshëm të RTSH-së 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësonin kriteret për kualifikim.
Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.
Nga gara u skualifikuan kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
I vetmi që doli kundër kësaj vendimmarrje ishte kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo. Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri nisi 6 muaj pasi dha dorëheqjen drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza, zgjedhja e të cilit gjithashtu u kontestua për shkak të karrierës së tij të gjatë politike pranë Partisë Socialiste.
Peza u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën.
Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti me një formulë ku dy partitë kryesore përzgjedhin kandidatët e tyre të preferuar.
- Çfarë ndodhi më parë?
Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi duke folur për propozimin e PD-së për votimin e diasporës me kartë identiteti të vendit ku jetojnë e ‘quajti hile, për të hedhur në erë votën e diasporës.”
Një aventurë e rrezikshme që kërcon votën e emigrantëve, kështu e ka konsideruar deputeti i PS, Pandeli Majko, konsensusin e arritur mes PD e PS, për t’iu drejtuar komisionit rregullator të KQZ lidhur me votimin me pasaporta të huaja të shtetasve shqiptarë.
“Mua kjo më mban shumë erë, dhe më mban një erë që s’dua ti vë emrin. Do jetë një arsye që votimi për emigrantët të bllokohet do jetë e papërgjegjshme që ky propozim të shkojnë në komisionin rregullator të KQZ. Tejkaluam krizën në një sallë me 5 veta. Shpresoj tek ndërgjegja kolektive e KQZ që të mos ndërmarrin hapin aventuresk, se me demek nuk u realizua kërkesa Propozimi juaj mund ta shtyjë jo vetëm komisionin rregullator dhe integritetin e procesit zgjedhor në drejtim të paditur. Shpresoj që KQZ të mos jetë në nivelin të ndërmarrë aktin aventuresk e të bllokojë të drejtën e 100 mijë shtetasve” tha Majko.
- Bardhi: Cilido që ka një dokument biometrik identifikimi ka të drejtë të votojë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se “lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PD mbështet ndryshime që nuk janë as të PD dhe as të PS, por të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, që lidhen me dy aspekte teknike të procesit për të garantuar votën e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.
Bardhi theksoi se cilido që ka një dokument biometrik identifikimi ka të drejtë të votojë dhe Kodi Zgjedhor nuk specifikon se dokumenti biometrik do të duhet të jetë shqiptar apo i SHBA-së. Ai deklaron se vota e shqiptarëve që kanë dokumente të vendit ku jetojnë nuk rrezikojnë zgjedhjet në Shqipëri.
“Zgjedhjet i dëmton përdorimi i administratës shtetërore në zgjedhje. Ti që drejtues politik i qarkut Dibër i ke dhënë urdhër çdo punonjësi të sjellë listë me 10 emra të votuesve jashtë vendit, sepse nëse nuk i sjell 10 emrat i rrezikohet vendi i punës dhe kjo e rrezikon integritetin e zgjedhjeve dhe jo vota e emigrantëve që nuk kanë dokument biometrik shqiptar, por kanë vendit ku jetojnë”, tha ai.
- Zhupa kërkon shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH
Kryetarja e Komisionit të Mediave, Ina Zhupa, mori fjalën në foltoren e Kuvendit ditën e sotme, teksa lexoi edhe projektvendimin e Komisionit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas gjetjeve të konstatuara në raport dhe abuzimeve të shumta në procedurën e përzgjedhjes së drejtorit, por edhe ato nepotike e financiare.
Deputetja e PD lexoi një listë me shkelje të gjetura, të dëgjuara edhe gjatë ballafaqimit në Komision ditë më parë të Këshillit me deputetët në Kuvend. Zhupa i kërkoi kolegëve në sallë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit për këto shkelje të rënda, si një vendim unanim i Komisionit, përfshi edhe anëtarët e mazhorancës.
“Pas 3 vitesh beteje u pa ajo që ne kemi thënë. Edhe mazhoranca u bind tani. Zgjedhja e anëtarëve apo drejtorëve të Këshillit të RTSH-së ishte me shkelje dhe ne e kemi thënë. U zgjodh Alfred Peza me shkelje dhe tani këto shkelje janë konstatuar. Komisioni ynë arriti në këtë përfundim. Këshilli i RTSH ka kryer një sërë shkeljesh për zgjedhjen e drejtorit të ri, që nga përzgjedhja e kandidatëve deri te votimi, si ai online nga Vietnami dhe mbajtur shënim, por e deklaruar votë e fshehtë. Po me këtë pseudovotim të fshehtë vendosën të mos fusin ata që plotësonin kriteret dhe të zbatonin atë që nuk thotë ligji”, tha deputetja.
Më tej ajo renditi disa nga shkeljet më të rënda, si mungesa e dokumenteve, anashkalimi i ligjeve dhe deri te konflikti i interesit.
“Këshilli nuk kërkoi për kandidatët zbatimin e ligjit për një dokument nga Autoriteti i Dosjeve nëse kandidatët ishin spiunë apo informatorë të Sigurimit të Shtetit. Ka shpallur vonesë të pajustifikuar, duke e mbajtur postin vakant prej kohësh. Shumica e anëtarëve ishin mpleksur me konflikte interesi në lidhje me detyrën aty. Disa kishin punësuar familjarët aty, të tjerë merrnin projekte, teksa ishin anëtar te RTSH., Disa merrnin shpërblime për veten, thua se ishin në tokën e babait dhe jo në Këshill të RTSH. Aty janë abuzuar dhe shpenzuar 23 milionë euro në vit, me qoka, shkarkime, emërime, hiq e vër, me kosto dyfish të mëdha, me gjyqe që fitohen dhe paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. Me drejtorë që abuzojnë që janë akuzuar. Mbante vetëm vetëveten dhe nuk i shërbente interesit publik”, u shpreh Zhupa.
- Berisha – Gonxhes: Trego fitimet e kompanisë tënde me emrin e djalit
Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, e ka quajtur ministrin Blendi Gonxhe, vëlla siamez me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Berisha i kërkon Gonxhes të tregojë sa janë fitimet e kompanisë së tij që e ka me emrin e djalit. Ai shton më tej se djali i tij është përfituesi kryesor i ligjeve dhe rregullave që nxjerr Gonxhe.
“Ky këtu është vëlla siamez me lubi Ballukun. Shiheni pak, të gjithë aty. Sikur të ishte ndarë mëdysh nuk dalin ndryshe. Më dëgjo pak tani se çfarë ka ky. Ky zotëri, në vitin 2023 duke dyfishuar dhe trefishuar të gjitha shërbimet, iu mori taksapaguesve shqiptarë 35 milionë euro. Ky zotëri, dyfishoi çmimin e prodhimit për leje drejtimi, nga 1 mijë në 2 mijë lekë. Për testin praktikë çmimin e rriti me 800 lekë. Çmimin për lejen e drejtimit të kategorisë B e rriti me 2200 lekë, për kategoritë e tjera 2800 lekë, përkatësisht, nga 500 dhe 600 që ishin.
Ja, kush është ky. Por a e dini kush është përfituesi kryesor i tij? Djali i këtij me kompaninë e transportit ndërkombëtar. I biri, fiks, i këtij hajduti me çizme që mbani ju. Po, po. I biri i tij është përfituesi kryesor i ligjeve dhe rregullave që nxjerr ky. A e dini sa ka shpenzuar ky për rikonstruksionin e zyrave? 7.5 milionë rikonstruksion. Ç’jeni kështu mor, ju nuk keni asgjë me socialistët. Po si mund të ndërtohet ndërtesa me 7.5 milionë në një garë të çmendur për të vjedhur dhe vetëm për të vjedhur.
A e dini ju planin e tij? 60 milionë euro shpërdorime, dhe po ndërton pistën e formulave uno, duke shkelur çdo ligj, duke shkelur çdo rregull, ky hajdut që ka vetëm standardin e lubisë. Ndërton pistën me para të taksapaguesve jashtë çdolloj buxheti shtetëror, jashtë çdolloj rregulli. Ja, ky që flet këtu.
Dil, thuaj pak njëherë. Sa janë fitime të kompanisë tënde me emrin e djalit? Prandaj o zotëri, ia thashë atij Peleshit, por ai e ka gojën të mbyllur. Se në një kohë kur i lini pensionistët me 160 euro, në kohë kur lini të sëmurët me sëmundje të rënda pa ilaçe, në një kohë kur lini ndihmë ekonomike qesharake, shpenzoni për shishen e verës 33,600 euro, për vazon tek kryeministria 5 milionë, për charter 20 milionë, për garderobë 870 mijë. Vetëm njëra zonjë, po t’i marr ato zonjat tjera unë. Po nuk jeni ju, se janë ministre ato. Të dini ju blerjet online të tyre, turpëroheni. Nuk kanë kufij!
Ai iku u zhduk, se ia kam këtu të gjitha të dhënat atij. Do mbroj padiskutim interesin e qytetarëve. Se të bësh djalin me kompani transporti kur je vetë drejtor i Përgjithshëm t ëShërbimeve të Transportit, a ka vjedhje më të madhe se kjo? Më thoni pak? Çfarë doni tjetër?”– tha Berisha.
- “Të vij aty dhe të zvarris”/ Noka sërish sherr me Ballën: Mbylle se të erdha…
Seanca e sotme parlamentare duket se është vazhdimi i të enjtes së kaluar. Ashtu si katër ditë më parë, edhe sot kjo seancë është shoqëruar me debate të ashpra, deri në tensione dhe kërcënime.
Ndërkohë që Sali Berisha fliste, nga vendi ndërhynte edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Në këtë moment reagoi edhe Falmur Noka, i cili ishte duke filmuar kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte live në rrjetet sociale.
Noka i kërkoi Ballës që të mos flasë: “Rri Taulant, Tao pusho, mos të vij aty. Pusho të them, mos fol. Mbylle se të erdha aty, të vij të zvarris po të erdha aty”.
- Berisha: Lubi Balluku u zhduk pasi përcolli Veliajn në qeli
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Belinda Balluku është zhdukur që pas arrestimit të Erion Veliajt dhe nuk del më.
Teksa fliste në foltoren e Kuvendit, por Live në Facebook, pasi seanca ishte ndërprerë, kreu i PD hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama.
Po ashtu, Berisha hodhi dyshime se kryeministri Edi Rama nuk i hapi telefonin kreut të bashkisë kur në zyrë i shkuan oficerët e BKH.
“Thirreni Edi Ramën, mos paguanim ju çmimin e tij, mos u bën parzmore. Lubia është zhdukur, pasi e përcolli Erion Veliajn atje ku e nisën nuk del më. Do ju bëj një pyetje: Edi Rama pse nuk ja hapi telefonin Erion Velisë. Thirreni këtu sekretarin e përgjithshëm të bashkisë, kur i shkoi BKH me fletë arresti. Njeriu i parë që telefoni Veliaj ishte Rama, por një telefon që nuk ra kurrë. Thonë që 4 ditë më parë i fshinë edhe statusin Maznikut sepse Mazniku i detyruar për ti dalë zot Erionit i bëri një status për Erionin, por u zhduk statusi brenda minutave. Tjetër ministër status nuk ka bërë”, tha Berisha.
Kreu i grupit të PS, Niko Peleshi ka folur në Kuvend për draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Peleshi sqaroi se në draftin që ka kaluar sot për votimin nuk përfshihet votimi i emigrantëve shqiptarë me karta të huaja, një kërkesë e ngritur nga opozita.
“Nuk është pjesë e këtij drafti propozimi lidhur me karta të huaja. S’kemi asgjë kundër kësaj pjesë të diasporës, që është rreth 7-8%. Këtu u ngritën pretendime të drejta nga kolegët e grupit parlamentar, lidhur me verifikueshmërinë e kartave të identitetit të një shtetit tjetër, databaset e një shteti tjetër që ne nuk i kemi. Për të sqaruar edhe shqiptarët, nuk është pjesë e paketës së sotme. Është një çështje që i takon KQZ, u bëj thirrje ta shikojnë me kujdes që mos të cenohet integriteti i një procesi, për herë të parë në histori po bëhet e mundur vota e diasporës”, tha Peleshi.
- Bylykbashi: Mbi 34 mijë personave u është refuzuar kërkesa, KQZ t’i ndihmojë për t’u regjistruar
Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi gjatë fjalës së tij sot në Kuvend tha se 34 295 emigrantëve, u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhje.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, nga foltorja e Kuvendit, teksa foli për votën e emigrantëve tha se KQZ duhet që të ndihmojë emigrantët që u është refuzuar kërkesa për tu regjistruar që të votojnë në zgjedhje.
“Janë 34 295, gati 19%, pra gati 1/5 e zgjedhësve që kanë bërë kërkesë, por u është refuzuar e drejta për t’u regjistruar për probleme ndoshta dokumentare, pra një në pesë u është refuzuar. E kanë shprehur dëshirën, vullnetin ta kenë dhe kontaktin me Shqipërinë, por në këtë moment nuk e kanë. KQZ duhet patjetër dhe kjo duhet të jetë kërkesë e qartë e këtij Kuvendi, të merret në mënyrë të fokusuar për kohën që ka mbetur duke i kontaktuar një për një, për t’i ndihmuar që të bëjë të mundur regjistrimin e tyre.
Madje data 4 mars që nuk është fundi i afatit ligjor, nuk duhet ta pengojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por deri në përmbushjen e 60-ditëshit përpara ditës së zgjedhjeve, që është diku nga data 11 mars të merret me secilin prej këtyre. Këta e kanë bërë kërkesën, për këta nuk është më çështje afati data 4 mars, duhet të ndihmohen, patjetër shumica dërrmuese prej tyre e kanë dokumentacionin. KQZ nuk duhet të fshihet pas procedurave të ftohta, por duhet t’i kontaktojë. Një në 5 është i refuzuar. Nëse KQZ do të ndjekë këtë linjë pasive, këto 34 mijë persona nuk do të votojnë dot”, tha ai.