Tërmeti dëmtoi 130 njësi industriale/ Konfindustria apel qeverisë

Foto ilustruese

Konfindustria, mbështetur në të dhënat e deritashme të drejtpërdrejta operative vlerëson, se mbi 130 njësi industriale janë dëmtur nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 kryesisht në Qarkun e Durrësit.

Konfindustria vlerëson, se është e domosdoshme, që Qeveria, Kuvendi i Shqipërisë, institucionet shtetërore të rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 ti kushtojnë rëndësi aktivizimit të programeve financiare dhe fiskale të ndihmës ndaj bizneseve në përgjthësi dhe industrive në vecanti.

Masa e parë më e shpejtë do të ishte raportimi para Kuvendit të Shqipërisë nga ana e AMF/Agjencisë së Mbikqyrjes Financiare për vlerën e plotë të dëmeve dhe grafikun kohor të shlyerjes së pagesave të dëmeve të siguruara nga ana e shoqërive të sigurimit.

“Shumica e industrive të sipërpermendura kanë kryer sigurimin e biznesit të tyre. Shtyrjet në kohë, vonesat e qëllimta dhe shmangia e detyrimit ligjor për të paguar vlerat e plota financiare nga shoqëritë e sigurimeve do të sillnin pasoja të jashtëzakonshme deri në falimentim për bizneset e prekura rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Gjithashtu, është e nevojshme përgatitja e një pakete të plotë ndihme fiskale, financiare për bizneset në zonat e prekura si dhe vlerësimit të mundësive të aktivizimit të programeve të ndihmës nga BE për rastet e fatkeqësive natyrore”, vlerëson Konfindustria.

LEXO EDHE  Loja e Ramës me kompetencat e Presidentit/ Ja si po tenton të kontrollojë edhe KLSH

Sipas saj, shkalla e dëmtimit të industrive në zonat e prekura shtrihet nga shkatërrimi i plotë ose i pjesshëm i konstruksionit të ndërtesave, njësitë teknologjike, makineritë, pajisjet, prodhimi i gatshëm dhe lëndët e para. Vlera e plotë e dëmeve të industrive është në plotësim e sipër, por llogaritet në dhjetra milionë euro.

Një pjesë e industrive kanë pezulluar punën dhe e kanë të pamundur rifillimin në një kohë të shpejtë. Problematike paraqitet gjëndja edhe me fuqinë punëtore, si pasojë e dëmtimeve të shtëpive të banimit.

Lajm i mirë është gjendja relativisht e qëndrueshme e sistemeve të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të bizneseve.

Konfindustria vlerëson, se ndërmjet të tjerave janë dëmtuar rëndë edhe industri të rëndësishme në nivel kombëtar si p.sh në sektorë të mekanikës, aluminit, letrës, plastikës, etj. Kompanitë në fjalë punësojnë me qindra punonjës.

Gjithashtu shprehet shqetësimi se vonesat në rivënien në punë të sipërmarrjeve të mësipërme, rrezikojnë seriozisht mbylljen përfundimtare të tyre dhe lënien pa punë të fuqisë puntore.