Në 26 nëntor bëhen plot 7 vite nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2029, por përsëri procesi i rindërtimit po ecën me ritme shumë të ngadalta dhe nuk ka një afat kur do të mbyllet.
Një nga arsyet pse rindërtimi vijon të zvarritet është se fondet e parashikuara për këtë program vijojnë të mos realizohen plotësisht dhe kjo kryesisht nga bashkitë. Të dhënat e buxhetit faktik 2025 tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e fondeve të rindërtimit nuk është përdorur gjatë vitit dhe është mbartur sërish në buxhetin e vitit 2026.
Për vitin 2025, Fondi i Rindërtimit u planifikua në masën 5 miliardë lekë. Ky fond ishte parashikuar për të mbuluar kostot e projekteve të miratuara, por të pafinancuara nga vitet e mëparshme, si dhe për projekte të reja, nëse do të kishte hapësirë të mbetur. Por deri më 31 dhjetor 2025, fondi rezulton i përdorur me vendime të Këshillit të Ministrave vetëm në masën 36%.
Në vlerë, gjatë vitit 2025 u akorduan 1.54 miliardë lekë për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe 189.5 milionë lekë për njësitë e qeverisjes qendrore. Kjo do të thotë se, nga fondi i planifikuar prej 5 miliardë lekësh, pjesa më e madhe nuk u shpërnda gjatë vitit përmes VKM-ve.
Problemi bëhet më i dukshëm kur shihet realizimi faktik i fondeve nga institucionet zbatuese. Për bashkitë, gjatë vitit 2025 u akorduan 1.5 miliardë lekë fonde të reja për projekte specifike, ndërsa 7.3 miliardë lekë ishin fonde të papërdorura të trashëguara nga viti 2024. Nga këto fonde, njësitë zbatuese shpenzuan 3.1 miliardë lekë, ose vetëm 35.2% të fondeve të akorduara. Diferenca u mbart në buxhetin e vitit 2026 si transfertë e pakushtëzuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Krahasuar me vitin 2024, ritmi i zbatimit ka qenë edhe më i dobët. Në vitin 2024, Fondi i Rindërtimit u planifikua fillimisht në 7 miliardë lekë dhe më pas u rrit në 9 miliardë lekë. Deri në fund të vitit 2024, i gjithë fondi prej 9 miliardë lekësh ishte përdorur me VKM, ku 8.19 miliardë lekë shkuan për bashkitë dhe 805.7 milionë lekë për institucionet qendrore. Megjithatë, edhe atë vit realizimi faktik nuk ishte i plotë: bashkitë shpenzuan 7.7 miliardë lekë, ose 53% të fondeve të akorduara bashkë me fondet e trashëguara nga viti 2023.
Pra, në vitin 2025, jo vetëm fondi i planifikuar ishte më i ulët se në 2024, 5 miliardë lekë kundrejt 9 miliardë lekëve pas ndryshimeve buxhetore, por edhe realizimi nga bashkitë ra nga 53% në 35.2%.
Në nivel bashkish, realizimi më i lartë në vitin 2025 u shënua nga Kavaja, e cila shpenzoi 421.8 milionë lekë nga 636.5 milionë lekë, ose 66% të fondeve. Pas saj renditet Kamza, me 119.4 milionë lekë të shpenzuara nga 261.5 milionë lekë, ose 46%, dhe Mirdita me 72.3 milionë lekë nga 164.8 milionë lekë, ose 44%.
Kruja realizoi 487.6 milionë lekë nga 1.2 miliardë lekë, ose 40%, ndërsa Tirana, që kishte edhe fondin më të madh në dispozicion, shpenzoi 1 miliard lekë nga 2.9 miliardë lekë, ose 37%. Vora realizoi 33%, ndërsa Durrësi dhe Kurbini shpenzuan secila vetëm 28% të fondeve të akorduara. Më dobët rezultojnë Shijaku dhe Rrogozhina, me nga 19% realizim, ndërsa Lezha shpenzoi vetëm 22.2 milionë lekë nga 181.9 milionë lekë, ose 12%.
Krahasimi me vitin 2024 tregon rënie të ndjeshme në disa nga bashkitë kryesore të prekura nga tërmeti. Tirana kishte realizuar 2.6 miliardë lekë nga 5.3 miliardë lekë në vitin 2024, ose 49%, ndërsa në vitin 2025 realizoi 37%. Durrësi ra nga 59.2% në 2024 në 28% në 2025. Kurbini, që në vitin 2024 kishte realizuar 75% të fondeve, në 2025 realizoi vetëm 28%. Edhe Vora ra nga 63% në 33%, ndërsa Kamza nga 66% në 46%.
Realizimi i fondeve nga njësitë e qeverisjes qendrore
Rënie të fortë pati edhe realizimi i fondeve nga njësitë e qeverisjes qendrore. Në vitin 2025, për këto institucione u akorduan 189.5 milionë lekë, nga të cilat u shpenzuan vetëm 26.9 milionë lekë, ose 14.2%. Pesha kryesore i përkiste Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili shpenzoi 23.2 milionë lekë nga 185.9 milionë lekë të akorduara, ose vetëm 12.5% të planit. Ministria e Brendshme realizoi 100% të fondit të saj, por bëhet fjalë për një shumë shumë më të vogël, rreth 3.69 milionë lekë.
Në vitin 2024, realizimi nga institucionet qendrore kishte qenë shumë më i lartë. Nga 805.7 milionë lekë të akorduara, u shpenzuan 555.7 milionë lekë, ose 69%. Edhe atë vit, pjesën kryesore e kishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me 518.2 milionë lekë të shpenzuara nga 768.2 milionë lekë të akorduara, ose 67.4% të planit.
Të dhënat tregojnë se Programi i Rindërtimit, megjithëse është krijuar si instrument i veçantë për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019, vijon të ketë probleme në zbatim. Fondet nuk arrijnë të shpenzohen brenda vitit, një pjesë e tyre trashëgohet nga një buxhet në tjetrin dhe procesi mbetet ende i hapur për bashkitë dhe institucionet zbatuese.
Më konkretisht, kjo do të thotë se edhe në fund të vitit 2025, rindërtimi nuk është mbyllur financiarisht. Përkundrazi, fondet e papërdorura janë mbartur sërish në vitin 2026, duke treguar se programi, i nisur pas tërmetit të nëntorit 2019, vijon të prodhojë kosto, vonesa dhe detyrime buxhetore edhe disa vite më pas./ekofin.al














