Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratës së Komisioneres së Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos, lidhur me situatën politike në Shqipëri.
Në një deklaratë zyrtare, PD shprehet se qëndrimi i komisioneres bazohet në “informacione të rreme” të paraqitura nga kryeministri Edi Rama dhe nuk pasqyron realitetin në vend.
Sipas opozitës, deklarata e Kos injoron krizën e thellë politike dhe sociale që, sipas saj, ka përfshirë Shqipërinë, ndërsa i shërben interesave të kryeministrit Rama në vend që të ndihmojë në zgjidhjen e situatës.
“Lidhur me Deklaratën e Komisioneres për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, zonjës Marta Kos, për krizën e rëndë që po kalon vendi ynë, Partia Demokratike shpreh shqetësimin dhe thekson se ajo është e bazuar në informacionet e rrejshme paraqitur nga miku i saj Edi, dhe jo në realitetin ekzistues në vend.
Ajo deklaratë injoron krizën e rëndë që ka mbërthyer Shqipërinë dhe i shërben Edi Ramës dhe jo zgjidhjes së krizës, përkundrazi e acaron dhe e thellon edhe më shumë.”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.
Më tej, PD rithekson mbështetjen për pesë kërkesat e protestuesve, duke i cilësuar ato si kushte të domosdoshme për një zgjidhje paqësore të krizës politike në vend.
“Partia Demokratike mbështet plotësisht 5 kërkesat e drejta të protestuesve si kushte për zgjidhjen paqësore të krizës.”
Cfarë tha Kos?
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se qeveria shqiptare ka garantuar Komisionin Evropian se projekti turistik, i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, do të respektojë standardet mjedisore evropiane.
“Kemi marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen”, tha Kos.
Komisionerja vuri në dukje se “projekti duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në Kapitullin 27 të negociatave të anëtarësimit, që lidhet me mjedisin.
Reagimi I Ramës pasi Kos i “rrahu shpatullat”
Kryeministri Edi Rama është shprehur se Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ që lidhet me projektet në Sazan dhe Zvërnec.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se të gjitha procedurat janë të dokumentuara dhe i janë bërë të njohura institucioneve evropiane, ndërsa i referohet edhe deklarimeve të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila një ditë më parë foli për respektimin e standardeve dhe procesin në zhvillim.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkroi Rama në rrjetet sociale.














