Nga Ilir Kalemaj
Si në rastet e dhënies së çmimeve OSKAR, BAFTA dhe të ngjashëm, Rama si njëherazi skenarit, regjisor, por edhe aktor kryesor, u kujdes të jepte një koreografi që kishte për qëllim të hutonte pritshmëritë, të çorodiste kundërshtarët, të mahniste publikun dhe të rrokte vëmendjen ndërkombëtare.
Në funksion të kësaj të fundit që gjetja e Diellës si ministre e inteligjencës artificiale e cila e arriti të vetmin qëllim pra që mori vëmendjen e medias ndërkombëtare si katër vjet më parë me përqindjen e grave në kabinet apo para një viti me idenë e hedhur kuturu për shtetin bektashi.
Përtej kësaj fare pak risi, pasi ishin ose emra të ricikluar, ose mbajtës portofolesh pa ndonjë meritë apo spikatje të veçantë, ose emra që mund të jenë pa përvojë dhe ngelen në kufijtë e eksperimentit duke gjykuar nga CV profesionale. Ndonjë përjashtim vetëm sa e përforcon rregullin, por ajo që është më e rëndësishmja është që kaluan tangent ato që duhet të kishin marrë vëmendjen kryesore të debatit publik.
Së pari, që zoti Rama foli si monark në tentativë dhe jo kreu i një ekzekutivi të përkohshëm duke folur për ndryshime kushtetuese si reforma e re territorial-administrative, reduktimin e numrit të deputetëve pra edhe i zonave zgjedhore apo ndryshimet sipas oreksit të kodit zgjedhor, duke synuar kësisoj çimentimin në pushtet përmes ndryshimit të njëanshëm të rregullave të lojës. Gjithashtu e hapi asamblenë me shkarkimin de facto të Veliaj dhe konfirmimin e pasardhëses së tij ndërkohë që vetëm pak ditë më parë kishte shkaktuar dorëheqjen e Dredhës në Vlorë apo dhe kryebashkiakët e Matit, Beratit dhe së fundmi Cërrikut pa përmendur dorëheqjet e detyruara masive të stafeve të bashkive në kundërshtim të plotë me parimin e decentralizimit dhe Kartës së Autonomisë Lokale. Duke e futur Tiranën me shpejtësi në zgjedhje krah bashkive të tjera që po provokon zgjedhje të parakohshme synon të ri-gllabërojë çdo pol alternativ pushteti duke shfrytëzuar çdo mekanizëm përfshirë ata ekstraligjorë si përdorimin e administratave lokale dhe qëndrore si qendra grumbullimi votash, trafik influence, përdorimin e grupeve kriminale etj.
Gjithsesi, qeveria Rama 4 ka përballë sfida të rëndësishme dhe komplikime që do ja vështirësojnë fort jetën pavarësisht entuziazmit pas-elektoral të ithtarëve më emocionalë. Le t’i rendisim shkurtimisht disa prejt tyre. Së pari, do të ketë përballë një opozitë të fortënë bindje ndonëse jo në numra që duket se ka vendosur të përdorë aulën parlamentare, denoncimet ndërkombëtare, debatin publik etj., të kombinuar me protestat dhe forma të tjera jashtë-institucionale që do ja vështirësojnë jo pak jetën mazhorancës aktuale që ka dhe tepsinë dhe timonin për herë të dytë krejt për veti.
Pavarësisht siç duken gjërat sot, zgjedhjet e pritshme lokale në të paktën gjashtë bashki, pritet të sjellin një ekuilibër të ndarjes së pushtetit lokal i cili duam apo nuk duam në një sistem neopatrimonial si rasti shqiptar gjeneron rentë të konsiderueshme që vihet në funksion të maksimizimit të burimeve të partive politike që i kontrollojnë ato. Minimalisht pritshmëria që disa prej këtyre bashkive që sot i kontrollon partia në pushtet të ndërrojnë kah për shkak të zullumit që po trashet pa u këputur.
Së dyti, është thënë dhe stërthënë që fushata është poezi dhe qeverisja është prozë por Rama duket se bën fushatë gjatë gjithë ciklit qeverisës. Gjë që do ta ketë të vështirë mandatin e katërt. Shumë premtime të parealizuara përgjatë12 viteve, gërryerja nga konsumi i pushteteve, njëzet e gjashtë vite të pandërprera në politikë aktive që e bëjnë të vështirë të rishpikë veten për herë të disatë, konsumi i jashtëzakonshëm në raport me ndërkombëtarët, ku së fundmi vlen të përmendim edhe kritikat dhe shigjetimet nga mediat europiane si ato franceze apo gjermane, janë të gjitha kosto që zbehin goxha sharmin politik por edhe nxjerrin në pah vështirësitë që do të ketë qeveria Rama përgjatë këtij mandati ku bast kryesor ka vënë integrimin e Shqipërisë në BE. Bast që pavarësisht kontureve të reja gjeopolitike dhe erërave të favorshme për shkak të frymës pro-zgjerim nga Brukseli, është larg një garancie të paktën përgjatë këtij mandati që në rastin më të mirë do të përmbyllet në 2029-ën. Kuptohet nëse nuk do të ketë skandale të forta, stuhi ndërkombëtare që mund të rezonojnë me protesta të forta lokale ngjashëm si në Serbi apo detyrim për qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme.
Së treti, pavarësisht asfaltit elektoral, punësimeve elektorale në administratën publike, ndarjes së rentës publike në prag fushate, ppp-të korruptive të dhëna oligarkëve të caktuar, burimet janë të fundme, deficiti është thelluar, borxhi në status kuo, rritja ekonomike është ngadalësuar, varfëria në rritje konstante dhe polarizimi është thelluar. Të gjitha këto do të çojnë në mënyrë të paevitueshme në rritje taksash dhe barre fiskale e cila do shënjojë paevitueshmërisht shtresën e mesme e cila është jashtëzakonisht vulnerabël dhe kështu siç është. Për të parashikuar ç’mund të ndodhë me këtë skenar, mjaft të sjellim ndërmend skenarin kolumbian që po ndodh ditët e fundit. Nepali së fundmiështë në flakë pikërisht për shkak të ngritjes së taksave për shtresën e mesme atje nga qeveria aktuale, korrupsionit të shumëpërhapur dhe asaj që i hodhi kripë plagës apo benzinë zjarrit dhe që ishte edhe ndalimi i rrjeteve sociale ku qytetarët shprehnin pakënaqësitë.
Së katërti, nëse ka nja maksimë për zhvillimet politike në këto tre dekada në Shqipëri është se katër vitet e para të qeverisjes është qeverisur përgjithësisht mirë, katër vitet e dyta përgjithësisht keq. Vetëm imagjinata mund të rrokë si mund të qeveriset katër vitet e katërta pas një mandati të tretë nga i cili mbahen mend kryesisht akuzat për korrupsion ndaj anëtarëve të kabinetit apo kryebashkiakëve, skandalet e shumta dhe dajret e inaugurimeve të rrugëve të lëna rruge dhe me kosto faraonike.
Siç do thoshte kryeministri si mjeshtër i batutave në kësi rastesh, me gjasa kolltukofagët do të vazhdojnë të majmen ndërsa populli do të marrë noc rrokun. Veçanërisht ajo shtresa më vulnerabël, me pensionet më mizerabël në Europë dhe që vazhdojnë me kokëfortësi stoike të hedhin votën “plumb për armikun” me një arsye të munguar të shkaktuar nga dekada të tëra trushpëlarje përgjatë një nga regjimet më totalitare që ka njohur Europa dhe më gjerë.
Ndër faktorët e tjerë që mund të jenë pengues për një mandat të katërt të suksesshëm janë konsumi i mëtejshëm dhe i paevitueshëm që sjell përqendrimi i pushteteve në një dorë, pakënaqësitë e brendshme që do të fillojnë gradualisht të ngrenë kryet, mungesa e aftësisë për t’u hapur ndaj shoqërisë civile, mendimit akademik dhe shtresës së talentuar të teknokratëve, duke qenë më tepër se ç’duhet partiakë në selektimet e kuadrit, gjë që do të sjellë dhe një gërryerje të legjitimitetit dhe mungesë të politikave publike efektive. Përzgjedhjet e fundit të kabinetit janë një konfirmim më shumë i kësaj logjike që edhe kur flitet për dikë të ri në qeveri, i ri apo e re ishte vetëm mosha, por mungonte ekspertiza, rezymeja, përputhshmëria e kandidatit me postin etj.
Nga ana tjetër, humbja e ritmit, mungesa e vizionit, intrigat e pallatit (kryeministror), paaftësia për të adresuar problemet akute që ka vendi si trendi demografik dhe plakja e popullsisë, largimi i trurit dhe emigrimi pa kthim, boshatisja e pjesës më të madhe të Shqipërisë duke u përqendruar në boshtin Tiranë-Durrës, shëndetësia pa perspektivë dhe arsimi në derexhe, sistemi i drejtësisë që nuk të jep vend për asfare optimizëm dhe demokracia hibride që po rrëshqet në autoritarizëm konkurrues, përçon një peizazh të zymtë për të ardhmen e afërt. Gjithashtu, mungesa e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, sjell një kosto jo aq për klasën sunduese në vend, se sa për shoqërinë në përgjithësi që ju ikën duarsh një instrument kontrolli dhe llogari-dhënie që do ndihmonte në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.