Në fushatën elektorale për bashkinë e Himarës, kryeministri në krah të kandidatit socialist Vangjel Tavo, u premtoi himariotëve regjistrimin e pronave brenda tetorit. Edhe pse afati ka kaluar, institucionet përgjegjëse nuk japin llogari mbi ecurinë e procesit duke shkelur ligjin për të drejtën e informimit. Ekspertët e shohin si premtimin e radhës elektoral mbi pronat- thembrën e ‘Akilit’ në Shqipëri.
Më 2 gusht, dy ditë para zgjedhjeve të pjesshme vendore të Bashkisë Himarë, kryeministri Edi Rama u shfaq në krah të kandidatit socialist Vangjel Tavo duke premtuar zgjidhje për një nga problematikat më të mprehta të bregdetit, pronësinë. Pak orë përpara se t’i drejtoheshin kutive të votimit, Rama u premtoi himariotëve regjistrimin e të gjitha pronave brenda vjeshtës.
“… deri në fund të tetorit të tëra shtëpitë do të jenë të regjistruara. Mund të jesh në Australi dhe e merr.”, premtoi kryeministri Rama.
Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 4 gushtit në Himarë, kandidati socialist Vangjel Tavo u shpall fitues me 5022 vota, kundrejt 3545 votave të marra nga koalicioni ‘Bashkë fitojmë’me kandidat Petraq Gjikurinë.
Pas zgjedhjeve…
Në fund të muajit tetor Faktoje.al kërkoi informacion zyrtar mbi ecurinë e regjistrimit të pronave në Himarë.
Prej gati dy muajsh institucionet përgjegjëse refuzojnë të përgjigjen duke shkelur ligjin për të drejtën e informimit. Bashkia e Himarës e delegoi kërkesën pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë.
‘Në bazë të legjislacionit për pronat, institucioni përgjegjës për regjistrimin e pronave është ASHK, Drejtoria Vlorë, dhe jo Bashkia Himarë.’, sqaroi koordinatori për të drejtën e informimit pranë Bashkisë Himarë.
Por kërkesa deleguar pranë Kadastrës së Vlorës ka rënë në vesh të shurdhër. Duke shkelur çdo afat ligjor, ASHK e Vlorës nuk përgjigjet mbi ecurinë e regjistrimit të pronave në Himarë.
Shkeljet janë adresuar pranë zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Deri më 17 dhjetor Faktoje.al nuk ka dijeni se në çfarë faze ndodhet procesi i ankimimit për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë. Sipas ligjit, zyra e Komisionerit detyron institucionin publik të japë informacionin e kërkuar përndryshe institucioni sanksionohet.
Teksa zyrtarisht institucionet heshtin, fakt është që regjistrimi i pronave në Himarë nuk ka përfunduar sikurse u premtua.
Kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo e konsideron procesin të mbyllur. Por ai thekson se kanë mbetur pa certifikatë pronësie vetëm ata banorë që nuk kanë aplikuar.
“Çdo aplikim për marrjen e titullit të pronësisë të para 90’ është trajtuar. Janë një numër i vogël banorësh që kanë marrë lejen e legalizmimit por nuk kanë aplikuar për certifikatë dhe që nuk e kanë finalizuar procesin. Sistemi është i hapur se mund të jenë emigrantë dhe vijnë për festa.”, thotë Tavo për Faktoje.al.
Sipas tij, brenda javës banorët do të lajmërohen për të tërhequr dokumentet e pronësisë.
Pronat, ‘thembra’ e Akilit
Kryetari i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, e sheh me shumë interes procesin e regjistrimit të pronave, veçanërisht për zonën e bregdetit.
“Regjistrimi duket si pjesa më pa interes por është shumë domethënëse për të gjithë vendin, veçanërisht për zonën e bregdetit”, thekson Vorpsi.
Ai shton se regjistrimet fillestare në rang vendi nuk kanë përfunduar ende, dhe kjo është një problematikë që nuk është e kufizuar vetëm në bregdet.
“Pra, jo vetëm në zonat e bregdetit ku ka problematika, por edhe në zonat malore,” pohon ai për Faktoje.al.
Vorpsi e konsideron këtë proces si një çështje me shumë faktorë ndikues, e cila nis me Kadastrën.
Në anën tjetër, studiuesi Afrim Krasniqi thotë se qeveria ka dështuar në reformën e organizimit territorial dhe legjitimimin e pronës private.
“Qeveria aktuale është në mandatin e tretë dhe për sa kohë ka mbi 10 vjet në detyrë dhe vazhdon të bëjë premtime deri diku është një lloj pranimi i dështimit të saj në reformën e organizimit territorial dhe legjitimimit të pronës private në Shqipëri,” thekson Krasniqi.
Ai argumenton se, pas kaq shumë viteve në pushtet, premtimet e përsëritura të qeverisë nuk mund të cilësohen më si premtime të sinqerta, por si një përpjekje për të tërhequr votues gjatë periudhës elektorale.
“Kur e njëjta qeveri për më shumë se një dekadë vazhdon të bëjë premtime që i ka premtuar dhe ditën e parë kur ka ardhur në pushtet, praktikisht kjo është një përpjekje të tërhequr votues në fushatë elektorale,” thotë Krasniqi, duke e cilësuar këtë si keqpërdorim të pozitës zyrtare për qëllime elektorale.
Përfundimi
Nisur nga verifikimi i bërë, premtimin e kryeministrit Edi Rama se brenda tetorit do të regjistroheshin të gjitha pronat e Himarës, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.