I gjithë bulevardi Dëshmorët e Kombit është veshur me flamujt shqiptarë dhe turq në pritje të vizitës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë.
Presidenti i Turqisë në vizitën zyrtare do të takohet me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, ndërsa pasdite do të përurojë xhaminë e Namazgjasë.
Sipas agjendës mësohet se presidenti turk do të pritet me ceremonia në presidencë në orën 11:40 – 12:40. Më pas do të vijojë takimi kokë më kokë me kreun e shtetit shqiptar. Pas kësaj ai do të takohet me kryeministrin Rama dhe pas takimi është parashikuar për në orën 13:00 konferenca për shtyp mes dy liderëve. Ndërsa në orën 16:30 – 17:30 do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Xhamisë e Namazgjasë.
Gjatë vizitës së liderit turk pritet të ketë bllokime të akseve kryesore në vend. Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar.
Të tjera rrugë të bllokuara do të jenë edhe bulevardi Dëshmorët e Kombit, rruga Ismail Qemali, Papa Gjon Pali dhe Ibrahim Rugova. Të gjitha rrugët janë në qendër.
Agjenda e Erdogan në Tiranë:
11:30 – 11:40/ Ceremonia e pritjes në presidencë
11:40 – 12:40/ Takim koke me koke me presidentin Begaj
12:40 – 13:40/ Mbledhja e Këshillit të bashkërendimit të nivelit të lartë
13:40 – 14:00/ Ceremonia e firmosjes së marrëveshjeve
14:00 – 14:30/ Deklaratë Erdogan- Rama
16:30 – 17:30/ Ceremonia e inaugurimit të Xhamisë
Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm e gjithë Tirana ishte në trafik të rënduar e cila me kalimin e orëve pritet të sjellë “paralizimin” e qarkullimit të automjeteve në akset kryesore të kryeqytetit.
- Xhamia e Namazgjasë, 30 milionë euro investim, vendfalje për 5 mijë besimtarë
Kjo ndërtesë e re fetare, puna për ndërtimin e së cilës nisi në vitin 2015, është realizuar me një investim prej afro 30 milionë eurosh. Me një kapacitet për të pritur mbi 5000 besimtarë, xhamia mbetet një nga projektet më madhore të këtij lloji në vend. Motivet klasike të saj janë të frymëzuara nga Xhamia Blu në Stamboll, duke u harmonizuar me elemente shqiptare që përngjajnë me shtëpitë e stilit tradicional të Beratit.
Gjatë vitit të kaluar, për shkak të konflikteve të brendshme midis qeverisë turke dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar, xhamia u mbajt e mbyllur. Presidenti Erdogan dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Pidan, gjatë vizitave të tyre në Shqipëri kanë theksuar se hapja e xhamisë do të bëhet pasi të sigurohen se komuniteti është spastruar nga përfaqësuesit me lidhje me organizatën e Fetullah Gylenit.
Administrimi i Xhamisë së Namazgjasë do të jetë nën përgjegjësinë e një bordi drejtues, por e paqartë mbetet mënyra e administrimit. Burime pranë Myftinisë së Tiranës bëjnë me dije se në krye do të jetë Myftiu Gazmend Teqja, por do të ketë edhe përfaqësues nga qeveria turke.