Një ditë pas protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës, tre protestues u vunë në pranga nga Policia, teksa akuzohen për shkaktimin e dhunës.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, në një intervistë për Ora News deklaroi se ata po mbahen të arrestuar pas asnjë motiv, ku sipas tij, janë të pafajshëm. Këlliçi tha se e gjithë Policia e Shtetit u ngrit në këmbë për kapjen e dy 18-vjeçarëve dhe anëtarin e një Kryesie dege.
Ndërkohë, reagimet e ambasadave perëndimore në vendin tonë, që mbrojtën korrupsionin e Veliajt dhe u shqetësuan për një molotov të hedhur në derën e Bashkisë së Tiranës, Këlliçi i konsideroi si qesharake. Ai tha se ato flasin për dhunë, por edhe Policia e konfirmoi se nuk ka asnjë person të lënduar.
“Aktualisht Kevin Vidrica, Bernard Metalia dhe Franc Kaloshi mbahen në komisariat pa asnjë motiv. Madje Franc Kaloshin që është anëtar kryesie në Laprakë e kanë arrestuar në Lushnje. E kanë gjetur ditën e djeshme, është qesharake. A thua se po kërkojnë ndonjë drejtor të 5D-së. E gjithë Policia e Shtetit në këmbë për të kapur dy 18 vjeçarë dhe një anëtar të kryesisë së PD-së Laprakë që kanë protestuar kundër vjedhjes dhe banditëve së kryetarit të bashkisë Tiranë që qëndrojnë në zyrë.
Në mënyrën më të turpshme dhe qesharake, reagimet e selive diplomatike ditën e djeshme flasin për një dhunë që është ushtuar në protestën ditën e djeshme ku dhe vetë në deklaratën e policisë së Shtetit shihet qartë që nuk ka asnjë të lënduar nga asnjëra palë. Pra unë nuk e di se si mund të konsiderohet një protestë e dhunshme ku në bilancin e saj nuk ka asnjë person që të mund të jetë dëmtuar. Nëse janë kaq të shqetësuar komuniteti ndërkombëtar dhe policia e shtetit për dy xhama që janë thyer në bashkinë e Tiranës, po ja cojmë ne dhe po i zëvendësojmë meqë kanë hallin e taksave publike. Por të thonë një fjalë për 130 milionë euro që janë vjedhur tek inceneratori i Tiranës. Të thonë një fjalë për 30 milionë euro që kanë vjedhur drejtorët e Erion Veliajt në bashki me kompaninë e tyre 5D. Dhe të thuhet një fjalë për korrupsionin endemik që ndodh në bashkinë e Tiranës.” – tha Këlliçi.