Nga Andi Bushati
Prej ditësh është rikthyer në skenë një debat i përsëritur, ai se kokfortësia, dinjiteti i tepruar apo marrëzia e madhështisë së Albin Kurtit po e prish Kosovën me perëndimin. Dikush përmend gjëmën e afërt të sanksoneve, të tjerë burime të panjohura që flasin për “non grata”, ndërsa ndonjë i tretë flet për ndeshkime te tjera si anulimi i liberalizimit të vizave.
Të gjitha këto goditje, që pretendohen se do ti vijnë Kosovës nga aleatët e saj, justifikohen me ngjarje të vogla, që s’të lejojnë të shohesh kurrë pikturën e madhe.
A duhet ta tërheqë qeveria policinë nga zonat me shumicë serbe në veri? A duhet që kryetarët shqiptarë të katër komunave ti drejtojnë punët nga shtëpia me zoom, pa guxuar të dalin në zyrë? A duhen ripërsëritur zgjedhjet e ripërsërituara në Zvecan, Liposevaq, Zubin Potok, Mitrovicën e Veriut? A duhet të publikojë Albin Kurti me urgjencë një draft që krijon asocacionin e komunave serbe?
Pra, si nga analistët dhe mediat pro qeveritare në Tiranë, po ashtu dhe nga kritikët e Vetëvendosjes në Prishtinë, lupa fokusohet mbi detaje, pa mundësuar kurrë rokjen e gjithë problemit.
Pyetjet e mësipërme që i dëgjojmë me një denduri ulëritëse, të gjitha ekzistojnë. Ato i ngrejnë ndërkombëtarët dhe i përjetojnë me alarm shqiptarët. Ato janë të vërtetat, madje dhe të duhurat. Por, ama, ato e humbasin krejt kuptimn e tyre, po nuk u shtruan në sfondin e përshtatshëm, atë se si zgjidhet në thelb të saj kriza mes Kosovës dhe Serbisë.
Pikërisht për këtë, në shkurt, të dy vendet pranuan një marëveshje që shtronte rrugën e normalizimit. Detaje e saj u përcaktuan në paktin e dytë, në Ohër. Po ç’ ndodhi më pas, në tre muajt që vijuan.
Fillimisht u tha se marrëveshja s’ka pika prioritaire, ku njëra të ishte më e rëndësishme se tjetra, por rrugës kjo u ndryshua dhe krijimi i asocacionit u bë objektivi emergjent.
Fillimisht u tha se ngecja në njërën çështje nuk do bëhej pengesë për ecurinë e të tjerave, por tashmë gjithçka është përqëndruar vetëm tek krijimi i shoqatës së komunave me shumicë serbe.
Në tekstin e marëveshjes termi që përdoret për këtë është “vetmenaxhim i komunitetit serb” por, kur konkretisht, emisarët e Beogradit dorëzuan një draft, ai nënkuptonte autonomi për serbët. Aty nocionit të komunitetit i ishte mbivendosur ai i kontrollit të territorit.
Në shkurt dhe fillim marsi u deklarua se palët e kishin pranuar marëveshjen, por sapo u kthye në Beograd presidenti serb Aleksandar Vuçiç e mohoi këtë. Ndërkombëtarët bënë sikur nuk e vunë re, se shefi i shtetit serb kishte refuzuar të nënshkruante planin e normalizimit, ndonëse Albin Kurti u vetëofrua ta bënte këtë.
Pra, kur gjithçka dukej në harmoni sipërfaqësore, Brukseli dhe Uashingtoni nuk nguronin ti përshëndesnin dy “liderët konstruktivë”. Por ama kur njëri prej tyre vendosi të bëhej dekonstruktiv, ata për hir të “paqes” e ftuan dhe tjetrin t’i bashkëngjitej kësaj loje.
Kjo filloi kur, me urdhër nga Beogradi, Lista sebska bojkotoi institucionet duke u tërhequr nga parlamenti, bashkitë, gjykatat dhe policia. Vakumi duhej mbushur dhe shteti i Kosovës shpalli zgjedhje të pjesme të parakohëshme. Në vijim të strategjisë së destruktivitetit serbët refuzuan të merrin pjesë. Prishtina lëshoi sërish. I shty prapë zgjedhjet, nga dhjetori në prill, deri sa komuniteti ndërkombëtar i dha viston: mbajini ato edhe pa serbët.
Mirëpo kur kryetarët e zgjedhur donin të hynin në zyrë, Vuçiçi kërcënoi me dhunë dhe aleatët u zbythën. Ata e ndërruan pllakën: “të zgjedhurti nuk duhet të paraqiten në seli”, qe vendimi i ri.
Duke humbur nëpër detajet e kësaj kronike harrohet se qeveria e Kosovës thjeshtë shoqëroi me polici disa të zgjedhur legjitimë që të mos goditeshin me gurë, ndërsa ata që qëlluan egërsisht mbi forcat e sigurisë dhe të KFOR-it qenë idhtarët e Vuçiçit. Pra provokimi nuk nisi nga Prishtina, siç thuhet rëndom, por u fry Beogradi. Që kur mori fill kjo histori, që kur u larguan nga sistemi, që kur bojkotuan zgjedhjet e deri tek planifikimi i dhunës së milicëve fashistë, Vuçiçi ka qenë i qartë në strategjinë e tij për të krijuar një klimë tensioni. Ai e ka dizenjuar këtë hartë rruge me një qëllim të përcaktuar mirë: ai do të grisë të gjitha pikat e marëveshjeve të ndërmjetësuar nga BE, disa tejet të favorshme për Kosovën dhe do të mbajë vetëm një, themelimin e asocacionit, madje në formatin maksimal që e do ai. Fati i keq është se për hir të situatës gjeopolitike, si pasojë e strategjisë për ta shkëputur Beogradin nga Moska, një pjesë dërrmuese e ndërkombëtarëve i’a kanë miratuar presidentit serb këtë përmbysje të prioriteteve. Ata po i kërkojnë qeverisë së Kosovës të adaptohet me prtetendimet e reja të Vuçiçit.
Pyetja që shtrohet është: ç’duhet bërë në këtë rast? Por, kjo dilemë, nuk ka vlerë për detajet e vogla: nëse tërhiqen trupat speciale në Prishtinë apo vazhdojnë të ruajën institucionet në veri, a duhet të drejtojnë kryetarët punën nga zyra apo nga shtëpia, a u konsultua kryeministri me ambasadorët etj.
Në këtë rast thelbi është: a i duhet shkuar pas strategjisë së Vuçiçit edhe nëse, për interesa të momentit, këtë e kërkojnë ndërkombëtarët? A duhet pranuar kjo përmbysje e prioriteteve qoftë edhe duke riskuar fërkimet me ta ? A është e domosdoshme ti nënshtrohemi planit për të vënë gjithçka në funksion të krijimit të asocacionit, siç e duan serbët?
Albin Kurti e ka zgjidhur këtë dilemë. Ai ka vendosur të përgjigjet me jo.
Ai mund të bënte dhe të kundërtën. Ti miratonte kërkesat e Vuçiçit që i përcjellin Lajçaku dhe Escobari. Kështu e kishte të sigurtë se do të ishte një ‘Gud boy”, që e përshëndeste përzemërsisht trekëndshi i rakorduar, Vuçiç-Rama-Hill, që do e ftonin në darka ambasadorët, që do pozonte me uniforme në stërvitjet e NATO-së dhe do e lavdëronin se një udhëheqës tolerant dhe bashkpunues. Të gjitha këto janë elementët e një recete perfekte për të gëzuar sa më gjatë kolltukun e pushtetit dhe për të shijuar përfitimet që ai sjell.
Por, Albin Kurti është i dënuar të sillet ndryshe. Ai s’mund ta përdorë atë post për interesin e vet. Atë as nuk e kanë votuar, as nuk po e paguajnë për të tregtuar të drejtat e Kosovës, në këmbim të favoreve personale. Ai ka detyrimin të mos e lëshojë atë që duhet ta mbrojë. Ai s’ka tagër të tërhiqet, në dëm të interesit të vendit të vet.
Deri më tani Albin Kurti e ka bërë këtë. Ai ka vënë Kosovën para vetes, sepse kjo është detyra që ka marrë përsipër të bëjë e që duhet ta kryente ç’do i zgjedhur në atë funksion. Prandaj, sa herë kapemi pas detajeve, sa herë e komentojmë përplasjet ditore me ndërmjetësues, apo ambasadorë, përpara se të shtrojmë pyetjen nëse Albini po na prish me amerikanët, duhet të ngremë një tjetër: A po përkulet ai përballë lojës së Vuçiçit? Vetëm kështu mund të gjykohet puna e një kryeministri pavarësisht se kush e lë zarfin me kërkasat e Serbisë, mbi tryezën e tij./Lapsi.al