“Fillimi i mbarë, gjysma e punës”, i tillë mund të konsiderohet debutimi në “play off” për Partizanin dhe Flamurtarin në Kategorinë e Parë të basketbollit për femra, kompeticion që të shtunën ka zhvilluar gjysmëfinalet e para.
Të kuqet e trajneres Eliverta Bujari zhvilluan një provë force kundër Tiranës, ndërsa vlonjatet, ashtu sikurse pritej, nuk e patën të vështirë në shtëpi ndaj Vllaznisë. Si Partizani, gjithashtu edhe Flamurtari, i fituan ndeshjet me diferencë të njëjtë pikësh (+25), ndërsa tashmë janë vetëm një sukses larg finales.
TIRANA-PARTIZANI – “Kur loja bëhet e fortë, atëherë të fortët nisin të luajnë”, kështu mund ta përkufizojmë Partizanin e këtij edicioni në derbi. Pasi kishin humbur tri herë me rezultate të thella gjatë sezonit të rregullt kundër Tiranës, në “play off” është parë një tjetër Partizan.
Të kuqet u shfaqën superiore në gjysmëfinalen e parë në “Farie Hoti”, duke i mundur vajzat bardheblu me rezultatin e thellë 63-88. Partizani e bëri diferencën në gjysmën e dytë të ndeshjes, duke e “gatuar” aty suksesin.
Megjithatë sfida nisi interesante, teksa në periodën e parë Tirana e trajneres Mirza Alibegaj, ishte më e qartë në lojë, për ta fituar 10-minutëshin në shifrat 23-18. Në periodën e dytë epërsia anoi nga Partizani, fraksion i fituar 15-20 nga të kuqet, ndërsa ekipet shkuan në pushim në ekuilibër të plotë 38-38.
Me rikthimin në parket ndeshja nuk ka më histori, teksa Partizani dominon në çdo drejtim, duke fituar në periodën e tretë 15- 31 për të kryesuar 53-69 në shifra të përgjithshme pas 30 minutash lojë.
Partizani mban ritëm të lartë edhe në periodën e fundit, ndërsa Tirana është e pafuqishme për të reaguar. Kështu të kuqet e fitojnë edhe këtë 10- minutësh 10-19, për të vulosur suksesin me +25 diferencë në shifra të përgjithshme, duke e mbyllur me festë në shtëpinë e rivaleve të qytetit.
Plot pesë lojtare të Partizanit prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa spikatën Rahema Franklin me 21 pikë dhe kapitenia Ornela Lalaj, autore e një dopiete dyshifrore me 10 pikë e 14 ribaunde. Për Tiranën rendimentin më të lartë e kishte Brena Bey, me 17 pikë e 8 ribaunde.
FLAMURTARI-VLLAZNIA – Gjithçka e thjeshtë për vlonjatet në sfidën e parë të “play off”-it kundër Vllaznisë. Kampionet në fuqi nuk falën në shtëpi, duke fituar me rezultatin 98-73 (28-5, 29-18, 14-20, 27-30). Flamurtari i mbylli llogaritë që në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me plot 34 pikë avantazh.
Më tej, gjatë gjysmës së dytë të ndeshjes, vendëset e ulën ritmin, por pa e vënë në diskutim për asnjë çast fitoren. Me 21 pikë, 9 ribaunde dhe 6 asiste, Sophia Jacobsson ishte lojtarja me rendimentin më të lartë në radhët e bregdetareve të trajneres Elona Hasanaj.
Te Vllaznia spikati e zakonshmja Bernarda Rreshpja, autore e 27 pikëve. Gjysmëfinalet e dyta do të luhen më datë 19 prill.