Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht, Roskovec.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 06:00, shtetasi Refit Buzi 35 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, Belere Plaka rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, të cilën dyshohet se e ka marrë me forcë, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, ndërsa operacioni për kapjen e autorit është ende në zhvillim.














