Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet padia me të cilën kërkohet anulimi i dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror.
Gjatë seancës, Veliaj deklaroi se në proces po krijohet një trajtim i pabarabartë mes palëve, ndërsa u shpreh po ashtu se mandati i kryebashkiakut nuk mund të trajtohet si plaçkë.
Duke iu referuar prokurorit Ols Dado, Veliaj thekson se një noter është emëruar në kundërshtim me ligjin.
“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohet interesi publik, të paditurit po i largohen të tjerët, KLP dhe avokati i shtetit. Ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose ka kuptuar atë që di gjithë Shqipëria që Ols Dado nuk është prokuror dhe kryebashkiaku është arrestuar.
Mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si plaçkë. Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra.
Kjo shoqatë e legjitimuar, pesha juaj i nderuar është për të rikthyer besimin te drejtësia. Nëse dikush mund të vishet si polic apo si prokuror në këtë teatër, merr në qafë një qytet të tërë. Unë dy fitore i kam marrë edhe pa shkuar në Strasburg.
Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër. Një noter që është emëruar në kundërshtim me ligjin”, tha Veliaj.














