Një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda ka humbur jetën pasi shfaqi probleme të rënda shëndetësore gjatë një zhytjeje në zonën e Radhimës, në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, turistja ishte pjesë e një grupi zhytësish që po eksploronin zonën ku ndodhet edhe anija e mbytur “Spitaliers”.
Gjatë zhytjes dyshohet se ajo ka pësuar mungesë oksigjeni ose një komplikacion tjetër shëndetësor.
Pjesëtarët e grupit të zhytësve kanë reaguar menjëherë, duke e nxjerrë në sipërfaqe dhe duke e transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se 30-vjeçarja mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore, me vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni serioz.
Mjekët i dhanë ndihmën e parë dhe e mbajtën nën kujdes intensiv, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, turistja nuk arriti të mbijetonte.
Policia dhe autoritetet përkatëse pritet të vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkakun e saktë të vdekjes.














