Tre persona kanë humbur jetën në shtetin lindor të Anzoateguit në Venezuelë, pasi u konfirmuan me hantavirus, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së vendit.
Autoritetet sqaruan se dy raste të tjera vdekjeje, të regjistruara në shtetin e Barinasit te dy punonjës shëndetësorë, nuk kanë lidhje me rastet në Anzoategui dhe vijojnë të jenë nën hetim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet fjalë për raste të izoluara që nuk përbëjnë rrezik për shëndetin publik.
Hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit në zonat rurale dhe bujqësore, përmes kontaktit me grimcat e urinës, jashtëqitjes ose pështymës së tyre, veçanërisht në ambiente të mbyllura.
Autoritetet venezueliane theksuan se deri tani nuk ka prova shkencore për transmetim të virusit nga personi në person brenda vendit.
Ndërkohë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) njoftuan muajin e kaluar për përfundimin e reagimit ndaj një shpërthimi të hantavirusit të lidhur me një anije turistike, ku virusi shkaktoi vdekjen e tre personave.
Një prej varianteve të virusit, i njohur si Virusi Andes, konsiderohet i veçantë pasi është i vetmi hantavirus i identifikuar deri më tani që mund të transmetohet mes njerëzve përmes kontaktit të afërt dhe të zgjatur.














