Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sërish ndaj deklaratës së ministres serbe Snezana Paunoviç për Kosovën, duke e cilësuar “ndjesën” e saj si të pavlerë dhe cinike.
Sipas Berishës, zëvendësimi i termit “spastrim etnik” me “deportim” nuk ndryshon thelbin e deklaratës, të cilën ai e konsideron raciste dhe nxitëse të gjenocidit.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu heshtjen e qeverisë shqiptare dhe kërkoi që ministrja serbe të shpallet “non grata” dhe të përballet me padi për nxitje të gjenocidit.
Reagimi i kryetarit të PD, Sali Berisha:
Ndjesa e një monstre!
Miq, deklarata e Snezhana Paunoviçit, ministre në qeverinë e Aleksandar Vuçiqit, se ‘po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën’, shkaktoi reagime të shumta.
Ndaj kësaj deklarate, me të cilën kjo monstër dëshmonte se për të gjenocidi është mënyra e zgjidhjes së problemeve ndëretnike, reaguan ashpër zëdhënësja e Komisionit Evropian, Komisionerja për Zgjerim, Znj. Kos, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, deputetë evropianë, si dhe dhjetëra deputetë e personalitete në Serbi por, natyrisht, jo qeveria e Tiranës.
Ndaj të gjitha këtyre reagimeve, monstra e gjenocidit ‘kërkoi ndjesë’ dhe e ‘korrigjoi’ me cinizëm ekstrem deklaratën e saj, duke thënë se ajo duhej të kishte thënë ‘deportim’ dhe jo ‘spastrim etnik’, duke dëshmuar kështu se thelbi i moralit të saj është racizmi ndaj etnisë tjetër dhe gjenocidi.
Me këtë rast, Partia Demokratike dënon edhe një herë me forcën më të madhe deklaratat raciste, antishqiptare dhe çnjerëzore të ministres serbe, heshtjen si fija e barit të narkoqeverisë së Tiranës, si dhe përsërit kërkesën për shpalljen e saj ‘non grata’ dhe ngritjen e padisë për nxitje të gjenocidit ndaj saj.














