Aktivisti Andi Tepelena, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së 52-të të protestës, duke i kërkuar SPAK-ut të nisë hetime ndaj kreut të qeverisë.
Tepelena deklaroi se protesta po merr mbështetje edhe nga faktorë ndërkombëtarë, ndërsa iu referua deklaratave të një eurodeputeti gjerman, i cili sipas tij ka ngritur akuza për pastrim parash përmes familjarëve të kryeministrit.
“Protesta vazhdon të marrë mbështetje ndërkombëtare edhe në ditën e 52-të të saj. Balla thotë se po shuhet protesta, por ku është kjo? Kur mediat ndërkombëtare shkruajnë për të, kur mbështetet nga diaspora dhe nga qytetarë të shumtë. Këto ditë ka pasur një deklaratë të fortë nga një europarlamentar gjerman, i cili akuzonte drejtpërdrejt kryeministrin Rama për pastrim parash përmes familjes së tij”, u shpreh Tepelena.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të reagojë dhe të hetojë pretendimet e ngritura.
“Thirrja jonë është: ku je SPAK? Të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga SPAK. Durimi ka një kufi. SPAK duhet të hapë hetimet për kryeministrin shqiptar dhe të tregojë se është në shërbim të drejtësisë”, tha aktivisti.
Tepelena falënderoi gjithashtu qytetarët nga rrethet dhe diaspora që, sipas tij, vijojnë t’i bashkohen protestës çdo ditë.
“Falënderoj të gjithë qytetarët shqiptarë që marrin rrugën, vijnë nga jugu në veri, nga diaspora, sepse besojnë në një Shqipëri më të mirë, në shëndetësi, arsim, vende pune, zgjedhje të lira dhe demokraci”, deklaroi ai.
Në fund, ai bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e radhës para Kuvendit, ditën e enjte, kur zhvillohet një nga seancat e fundit plenare para pushimeve.
“Ditën e enjte, në orën 08:00 të mëngjesit, të gjithë para Kuvendit për t’i treguar kësaj klase politike se nuk na përfaqëson”, u shpreh Tepelena.














