Protesta e 52-të kundër qeverisë Rama ka përfunduar pas marshimit të qytetarëve në rrugët e Tiranës, me protestuesit që u rikthyen sërish pranë Kryeministrisë, aty ku zhvillojnë çdo ditë tubimin e tyre.
Qindra qytetarë nisën marshimin nga selia e qeverisë, duke vijuar drejt Rrugës së Elbasanit dhe zonës pranë stadiumit “Air Albania”, ndërsa gjatë gjithë rrugës shoqëruan lëvizjen e tyre me thirrjet: “Rama, jep dorëheqjen!”, “Dorëheqje!”, “Poshtë diktatura!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”.
Në përfundim të marshimit, protestuesit përsëritën thirrjet ndaj institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar hetime dhe arrestime për zyrtarët që ata akuzojnë për korrupsion.
“Arrestoni Ramën!” ishte një prej thirrjeve të fundit që u dëgjua nga qytetarët para mbylljes së tubimit.
Protestuesit njoftuan gjithashtu se do të zhvendosin sërish protestën para Parlamentit më 23 korrik, ditën kur zhvillohet një nga seancat e fundit plenare.














