Partia Demokratike ka mbyllur protestën duke paralizuar qarkullimin e automjeteve për rreth 3 orë.
Mbështetësit e opozitës u pozicionuan në 5 nyjet rrugore të kryeqytetit duke paralizuar qarkullimin me kërkesën kryesore “qeveri teknike” dhe “zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Skenari i ngjashëm me protestat e mëparshme të zhvilluara prej 7 tetorit e deri tani.
Rrugët e bllokuara: Rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ai i Pallatit me Shigjeta, sheshi Uilson, Rruga e Elbasanit dhe segmenti ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Tiranës. Kjo mosbindje civile e opozitës u zhvillua në kushte atmosferike të pafavorshme, pasi reshjet e shiut vijojnë me intensitet prej disa orësh.
Edhe gjatë protestës ditën e sotme nuk kanë munguar tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve të cilët për rreth 3 orë paralizuan qarkullimin e automjeteve në kryqytet.
Vlen të theksojmë që gjatë protestës, në një moment deputeti Agron Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë nga përplasja me policinë dhe është rrëzuar në tokë.
- FOTOGALERI nga protesta:
- Në mbyllje të protestës, Berisha: Kriminelët e qeverisë i gjuajuni me domate e vezë
Në mbyllje të protestës, Sali Berisha u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë, ndërsa theksoi se do të përgatiten për tubimin e radhës.
Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e PD-së tha se demokratët, kudo që të shohin “kriminelët e qeverisë”, t’i godasin me domate e me vezë.
Berisha theksoi se dhuna ndaj Agron Gjekmarkajt ka qenë e organizuar. Sipas tij, në fund PD do të fitojë.
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën e përdorur nga narko-banditë me uniformë të urdhëruar nga Rama ndaj nënkryetarit të PD Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhit. Këto akte i marrim personale. Ftoj demokratët në mbarë Shqipërinë që të gjuajnë kriminelët e qeverisë me vezë e domate. Sapo të shikoni ata vetë ose makinat e tyre, drejt tyre domate e vezë”, tha Berisha në mbyllje të protestës.
- Agron Gjekmarkajt i bie të fikët
Deputeti Agron Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë nga përplasja me policinë dhe është rrëzuar në tokë.
Teksa shumë protestues e kanë rrethuar duke i hedhur ujë dhe duke qenë të irrituar me policinë.
Gjekmarkaj para ngjarjes deklaroi se ai ishte sulmuar nga policia. Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet.
Sipas PD-së, Gjekmarkaj është dhunuar barbaridht nga Policia, në momentin që kjo e fundit tentoi të shpërndante protestuesit që ndodheshin në rrugë.
Aktualisht Gjekmarkaj është shtruar në spitalin e Traumës.
- Gjekmarkaj: Një polic erdhi më shtyu me duar e më gjuajti me shkelma!
Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë gjatë protestës së sotme që po zhvillohet te “Pallati me Shigjeta”. Gjekmarkaj humbi ndjenjat për disa sekonda ndërsa në ndihmë i kanë ardhur protestuesit dhe deputetët e opozitës. Para se ngjarja të regjistrohet Gjekmarkaj deklaroi se është dhunuar nga policia gjatë protestës.
Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet pasi ai u është prezantuar si i tillë. Sipas tij në vendin tonë nuk ka më institucione, ka vetën violencë dhe rezistencë qytetare.
“I thashë jam Nënkryetari i Parlamentit por këtu nuk ka më institucione, ka vetën violencë dhe rezistencë qytetare. E gjitha është përpjekje për të krijuar provokim, sepse qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Bashkia e Tiranës i bën aktivitetet në rrugë edhe PS, është e drejta e Partisë Demokratike, e qytetarëve të protestojnë në rrugë. Po rrëmbejnë qytetarët. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në protestë. Të gjithë do të përgjigjen para drejtësisë për mënyrën si po sillen. Një polic erdhi më shtyu me duar e më gjuajti me shkelma sikur të mos ishim njerëz po prej betoni”, tha Gjekmarkaj para se ai të ndihej keq.
Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë gjatë protestës te “Pallati me Shigjeta” pas një përplasjeje me policët të cilët raportohet se e kanë rrethuar dhe e kanë shtrirë në tokë. Sapo kanë parë që nënkryetari i PD-së ka humbur ndjenjat kanë bërë thirrje për uji.
- Protesta e opozitës, shoqërohen në polici 15 protestues
Policia ka nisur me shoqërimet e protestuesve në komisariat, menjëherë sapo ka përfunduar protesta.
Bëhet me dije se deri më tani janë shoqëruar 15 qytetarë, por nuk ka detaje se në cilat zona kanë protestuar ata, apo në cilat komisariate janë dërguar.
Numri i të shoqëruarve pritet të rritet, ndërsa në protestën e fundit të opozitës, janë shoqëruar rreth 50 protestues.
- Përplasja me policinë, Xhelal Mziu gjakoset: Efektivi më goditi me skafandër
Deputeti demokrat Xhelal Mziu ka pretenduar se është dhunuar nga efektivët e policisë.
Gjatë protestës te rruga e Elbasanit, Mziu ka deklaruar se një efektiv policie e ka gjuajtur me skafandër në dorë. Pas dhunimit, Mziu ka thënë se është gjakosur në dorë.
“Po rrinin, erdhi turma e policëve dhe njëri me skafandër më goditi me skafandër dhe më qau dorën. Thjesht duke ndenjur për të larguar turmën me urdhër të kryepolicit, kryehajdutit, policit na goditi me skafadër“, tha ai.
- “U zhdukën si minjtë”/ Berisha zhvendoset tek Bashkia e Tiranës: Këmbë pushtetari nuk shikohet
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është zhvendosur nga rruga e Elbasanit drejt Bashkisë së Tiranës.
Ai u shpreh se kryeqyteti sot ka qenë në duart e qytetarëve, teksa u shpreh se nuk ka “asnjë këmbë pushtetari, e as ndonjë veturë e tyre”.
Sakaq, sipas Berishës, qeveria besonte se shiu do pengonte zhvillimin e protestës, por ai shtoi se “u larguan si minjtë”.
Sali Berisha nga Bashkia e Tiranës: “Erdha për të përshëndetur, këta qytetarë e qytetare. Për të përshëndetur drejtuesit e PD-së, të cilët në një betejë epike, e shndërruan në kufomë politike vjedhësin më të madh që ka njohur Bashkia e Tiranës në historinë e saj, Erion Veliajn. Nuk ka pasur kurrë kjo bashki një kufomë të pakallur siç ka tani, Erion Veliajn. Nuk u lodhët asnjëherë. Erdhët në çdo kohë, në 43 gradë të nxehtit dhe në të ftohtë dhe shi, por i dhatë hajdutit atë që meritonte, e diskredituat, e bëtë atë të ikë si mi, nga një kah në një kah tjetër dhe s’di se ku është. Ju garantoj se kjo protestë e juaj, kjo mosbindja civile e juaj para Bashkisë së Tiranës, do të rezonojë, në vite e vite, si beteja më e fuqishme kundër vjedhjes së qytetarëve, si beteja më e fuqishme për rikthimin e shtëpisë së parë të qytetarëve të Tiranës. Ju e keni përmbushur misionin tuaj, por prap do vini deri sa ta nxjerrim për leckash e ta varim në shtyllën këtu para kombit shqiptar. Aty do e varim, po, po. E meriton.
Unë po vij nga një bllokim tjetër. Tirana në dorë të qytetarëve s’ka qenë kurrë si sot. Këmbë pushtetari nuk shikohet. Veturat e tyre nuk qarkullojnë, janë zhdukur si minjtë. Kryeqyteti i tërë është në duart e qytetarëve. Besuan se shiu, moti, do na pengonte. Ja ku jemi më shumë se kurrë nga gjithë Shqipëria, në këtë betejë, e cila ndalet vetëm kur të krijohet qeveria teknike dhe qytetarët shqiptarë të votojnë në mënyrë të lirë. Ne do fitojmë, radha jonë”
- Përplasja me policinë, Bardhi: S’keni fare punë me protestuesit
Teksa PD po mban protestën e radhës, grumbullimi i demokrateve në 5 pika kyçe të kryeqytetit ka shkaktuar kaos në trafik.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka replikuar me forcat e policisë në terren duke iu kërkuar të merren me rregullimin e trafikut dhe jo me protestuesit e PD që siç tha, janë në të drejtën e tyre.
“Nuk keni fare punë me qytetarët, detyra juaj është të rregulloni trafikun. Nuk kërkohet leje, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë që në rast të lirisë të tubimit nuk merret leje nga policia, vetëm njoftohet policia. Lëvizjen e qytetarëve po e pengoni ju që nuk keni marrë masa të devijoni trafikun. Unë po flas për ligj dhe kushtetutë. Devijoni trafikun, nëse doni ndihmë ju ndihmojmë ne. Nuk kemi qëllim të pengojmë lëvizjen e qytetarëve, ju keni detyrimin të rregulloni trafikun duke na siguruar një tubim paqësor. Nuk kemi ndërmend të bëjmë akte dhune, siç e dini në çdo tubim ka bllokim të rrugëve, ndaj është policia”, dëgjohet të thotë Bardhi.
- Berisha: Dimër i ashpër për argatin në Tiranë dhe padronin në Beograd
Kreu demokrat Sali Berisha iu bashkua protestuesve të PD-së që janë mbledhur në rrugën e Elbasanit.
“Është një revoltë e qytetarëve kundër narko-diktatorit. Është një dimër i vështirë si për argatin e Tiranës ashtu edhe padronin e Beogradit. Në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë, argati nuk ka të ardhme”, tha Berisha.
Gjithashtu kreu i demokratëve përshëndeti qytetarët e Tiranës dhe i siguroi se kjo ‘mosbindje civile’ është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë.
“Nuk do të ndalojmë deri sa të realizojmë objektivat tona: Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Edi Rama nuk pranon kërkesat e opozitës, Berisha tha se ai do të rrëzohet.
“Do të rrëzohet me mosbindjen civile. Kemi aplikuar 15 forma të mosbindjes civile. Këta do të përfundojnë shumë keq”, tha Berisha.
Ai u shpreh se opozita ka sakrifikuar, ka bërë beteja, dhe është shpërblyer.
- Associated Press: Qytetarët sfidojnë të ftohtin dhe shiun, tubim për qeveri teknike
Anëtarët e partisë kryesore opozitare të Shqipërisë, bllokuan të hënën kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, Tiranës, në një protestë antiqeveritare duke bërë thirrje për një qeveri teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Në tubimin e parë pasi udhëheqësi i tyre u lirua nga arresti shtëpiak, aktivistët e lidhur me Partinë Demokratike, sfiduan të ftohtin dhe shiun për të bllokuar trafikun në pesë kryqëzime kryesore.
Protestuesit akuzojnë qeverinë e majtë të kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve dhe uzurpim të pushteteve të drejtësisë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, 80 vjeç, u lirua muajin e kaluar nga arresti shtëpiak i vendosur pasi kishte shkelur një urdhër gjykate. Berisha akuzohet për korrupsion.
“Me Ramën nuk ka zgjedhje. Me Ramën ka vetëm një betejë për zgjedhje. Zgjedhjet nuk do të bojkotohen kurrë”, tha Berisha. “Beteja jonë është e pandalshme deri në rrëzimin e tij (Rama)”, shtoi ai.
Qindra oficerë policie u vendosën për të mbrojtur ndërtesat qeveritare dhe për të mbajtur rrugët të pastra për trafik. Pas 90 minutash, autoritetet nisën t’i largonin protestuesit nga kryqëzimet, gjë që rriti tensionin dhe çoi në disa përplasje.
Në fillim të këtij viti, Partia Demokratike dhe mbështetësit e koalicionit të saj opozitar zhvilluan protesta për arrestimin e Berishës dhe ish-Presidentit Ilir Meta, duke thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës që të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në BE-në 27-vendesh.
Tirana ka hyrë në bisedime me BE-në për përafrimin për çështjet përfshirë sundimin e ligjit, trajtimin e korrupsionit, sigurinë dhe mbrojtjen. Shqipëria synon të anëtarësohet në bllok deri në vitin 2030 , sipas Ramës.
Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 11 maj, kur votuesit që jetojnë jashtë për herë të parë do të mund të votojnë nga jashtë.
Zgjedhjet postkomuniste në Shqipëri janë dëmtuar shpesh nga parregullsi, duke përfshirë blerjen e votave dhe manipulimin e numërimit të votave.