Nga Boldnews.al
Në ditën e parë të pushimeve zyrtare verore, në 1 Gusht 2024, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka lëvruar rreth 15 fatura për kompaninë “DAAM” shpk, për një vlerë totale prej 123 milionë lekë të reja ose rreth 1.3 milionë euro.
Shoqëria e studim-projektimi është në pronësi formale të Valter Begaj. Por, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka dyshime të forta se ajo fsheh interesat pasurore të Evis Berberit, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve dhe një prej njerëzve më të afërt të zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Berberi u arrestua në mars të këtij viti, nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Së bashku me të u arrestua edhe Valter Begaj.
SPAK njoftoi në atë kohë se “Ervis Berberi, në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM” sh.p.k., të kontrolluar prej tij”.
Më tej, SPAK deklaroi se “marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “Net Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim Valter Begaj, prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit Berberi “DAAM” sh.p.k..”.
Dy javë pas arrestimit të Berberit, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut dhe vendosi nën sekuestro shoqërinë “DAAM” shpk, ndërkohë që “Net Group”, megjithëse pjesë e skemës së dyshuar, vijon të jetë e lirë dhe të sigurojë miliona nga tenderat publikë.
Veliaj, “pompë” për financat e Berberit
Në fillim të muajit gusht 2024, Bashkia e Tiranës pagoi faturat e radhës për “DAAM” shpk, me pronar të dyshuar Evis Berberin, në zbatim të kontratave të mëparshme nënshkruar mes dy palëve.
Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se këto pagesa lidhen me shërbimet që “DAAM” shpk i ofron Veliajt dhe stafit të tij për studimin dhe projektimin e rikonstruksionit të disa rrugëve në Tiranë, përfshirë ‘Aleksandër Kondo”, “Pjetër Budi”, e të tjerë.
Këto kontrata janë nënshkruar para arrestimit të Berberit. Por, prangosja e tij duket se nuk e ka ndaluar Erion Veliaj dhe vartësit e tij që të vijojnë të nënshkruajnë kontrata me kompanitë, pas të cilave dyshohet se fshihet ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Belinda Ballukut.
Në mes të këtij Gushti, Drejtoria e Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, shpalli shoqërinë “Net Group” fituese në procedurën për “studim-projektim për mirëmbajtjen e tarracave për disa objekte arsimore”.
Në tenderin me fond limit 16 milionë lekë të vjetra morën pjesë 7 operatorë ekonomikë. Kompania “Net Group” dha ofertën e katërt më të lartë.
Por, pas skualifikimit të tre shoqërive që kishin dhënë ofertën më të ulët, autoriteti kontraktor shpalli fitues “Net Group”, në pronësinë zyrtare të Valter Begaj dhe që, sipas SPAK-ut, dyshohet se ka furnizuar me mjete monetare kompaninë “DAAM” të Evis Berberit.
Në Qershor të këtij viti, pra tre muaj pas arrestimit të Berberit, shoqëria “Net Group” është pjesë e fituesve në dy tendera të tjerë, të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.
Tenderi i parë kishte objekt “Studim-projektim për çështje të përgjithshme”, me fond limit 8.3 milionë lekë të reja.
Edhe në tenderin e dytë, fondi limit ishte i njëjtë, 8.3 milionë lekë të reja, ndërkohë që objekti i procedurës ishte “Studim-projektim në programin e pyjeve”.
Miliona të tjera për kompaninë e Berberit
Gjatë 6 muajve të fundit, në të cilat Evis Berberi gjendet në qeli, kompanitë e dyshuara si të lidhura me të kanë vijuar të përfitojnë kontrata publike edhe në disa institucione të tjera.
Së fundmi, Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit të Durrësit ka shpallur shoqërinë “Net Group” fituese të një tenderi me objekt “Supervizim për furnizim dhe vendosje pompash”.
Rezultati i tenderit u shpall në mes të Gushtit 2024 dhe fondi limit për këtë procedurës ishte 16 milionë lekë të vjetra.
Edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka dhënë një dorë financave të kompanisë “Net Group”, me dy procedura të mbyllura gjatë këtij muaji.
Në procedurën e parë, me objekt “Hartimin e masterplaneve, dhe/ose përgatitje ToRs, dhe/ose përgatitje të projekteve teknike të detajuara, dhe/ose të projekteve të zbatimit, dhe/ose përgatitje të dokumenteve për tenderim, për objekte të konektivitetit, rrugë dhe ura, furnizim me energji elektrike, rrjete telefonike dhe teknologji informacioni, rikualifikimit të shesheve urbane…”, shoqëria “Net Group” ishte pjesë e kompanive fituese të tenderit me fond limit 1.6 miliardë lekë të vjetra ose mbi 1.5 milionë euro.
Po ashtu, “Net Group” ishte pjesë e grupit fitues të një tjetër tenderi të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Objekti i kësaj procedure ishte “Hartimi i masterplaneve, dhe/ose përgatitje ToRs, dhe/ose përgatitje të projekteve teknike të detajuara, dhe/ose të projekteve të zbatimit, dhe/ose përgatitje të dokumenteve për tenderim, për objekte civile, industriale, sportive, residenciale, publike dhe/ose kulturore, mbi tokë dhe nën tokë”.
Fondi limit për këtë procedurë ishte 830 milionë lekë të vjetra.