Nga Boldnews.al
Prej disa vitesh, biznesmeni Elvis Miri dhe kompania e tij e trajtimit të mbetjeve spitalore “VALE Recycling” kishin krijuar një histori suksesi.
Në portofolin e saj financiare numërohen rreth 200 tendera të zhvilluar nga institucionet publike shëndetësore, me një faturë qindra milionë lekë.
Të gjitha, të fituara nën argumentin se ka pajisjet dhe teknikën e nevojshme për të realizuar një proces të pastër dhe pa asnjë dëm anësor në procesin delikat të përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve që krijohen gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Por, përtej kësaj fasade, duket se e gjithë “kështjella” është ndërtuar mbi mashtrimin.
Të paktën, këtë bindje ka krijuar prokuroria e Tiranës, e cila në mesin e kësaj jave mori vendimin e gjykatës për arrestimin e pronarit të “VALE Recycling”, Elvis Miri, nën dyshimet se ka kryer veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave”, “(Keq) Menaxhimi i Mbetjeve” dhe “Aktivitete të rrezikshme”.
Në skemën e dyshuar, Prokuroria beson se janë përfshirë edhe persona të tjerë, mes të cilëve zyrtarë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhë, si edhe drejtues të kompanive që kanë objekt çertifikimin e pajisjeve teknologjike.
Për të gjitha këta persona të tjerë, 10 në total, janë vendosur masat ndaluese të pezullimit të aktivitetit, të detyrimit të paraqitjes apo të daljes jashtë Shqipërisë.
Nisja e hetimit
Sipas akteve të konsultuara nga “Boldnews.al”, rezulton se, në janar vitit 2024, Prokuroria e Tiranës merr një kallëzim, në të cilin pretendohej se “VALE Recycling”, prej vitit 2016, paraqiste të dhëna të rreme, me qëllim shpalljen fitues në tenderat shtetërorë.
Sipas kallëzimit, shoqëria e Elvis Mirit deklaronte në dokumenta zyrtare se kishte në dispozicion një pajisje të posaçme për trajtimin e mbetjeve spitalore, e quajtur “Econos TC 150”, të cilën nuk e ka pasur në dispozicion. Sipas kallëzimit, “VALE” e ka deklaruar këtë pajisje që në vitin 2016, por ndërkohë që e ka blerë vetëm në fillim të vitit 2024.
Hetimi për këtë kallëzim u zhvillua nga prokurori Arenc Çela, i cili është njëkohësisht edhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës, si edhe nga prokurori Ndini Tavani.
Hetimet 3-mujore zbuluan se pretendimet në kallëzim ishin në përgjithësi të sakta dhe faktet e zbuluara gjatë veprimeve të prokurorëve ishin të mjaftueshme për të vendosur pas hekurave biznesmenin 40-vjeçar, Elvis Miri.
Tenderat për “VALE”
Në funksion të hetimit penal, prokurorët Çela e Tavani, në formë testimi, kanë administruar të dhëna për tenderat e fituar nga “VALE Recyling” në të paktën katër struktura spitalore të rëndësishme
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe tek Senatoriumi “Shefqet Ndroqi”, kompania e Elvis Mirit ka fituar nga 4 tendera. Në Spitalin e Beratit ka fituar 6 tendera dhe tek materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë ka fituar 1 tender.
“Në analizë të dokumetacionit te administruar nga këto ente publike spitalore, rezulton që subjekti “Vale Recycling” Shpk, ka përdorur të dhëna të pajisjes Econos TSC150 me Lejen e tipit B, si dhe Lejen e Tipit A, duke u identifikuar me dy incerenatore ËFS 50, pra duke u shpallur fitues, pasi nga ana dokumentare plotësonte kushtet dhe kriteret, si edhe kapacitet përpunuese për trajtim/asgjësim të mbetjeve spitalore”, thotë prokuroria.
Por, hetimi i thelluar ka zbuluar se kompania e Mirit nuk i ka pasur të gjitha pajisjet që ka deklaruar në tenderat e fituar.
Pajisja Econos
Prokuroria ka marrë informacion nga Drejtoria e Doganave për zhdoganimet e pajisjeve që ka kryer shoqëria “VALE” e Elvis Mirit.
Nga të dhënat rezulton se kompania ka zhdoganuar një autoklavë në vitin 2016, një impiant sterlilizues në vitin 2020 dhe një impiant për trajtim mbetjesh spitalore në 2023.
Ndërkohë, për pajisjen “Econos”, e cila kryer proceset më të rëndësishme të trajtimit të mbetjeve spitalore, rezulton se “Vale Recycling” ka kryer zhdoganim në 22 janar 2024.
Në funksion të hetimit, prokuroria ka pyetur Elvis Mirin në prill të këtij viti, lidhur me pajisjen “Econos”.
Ai ka deklaruar se pajisja “Econos” është autoklava që kompania ka blerë që në vitin 2016.
“Pajisja Econos ka ardhur në vitin 2016, nga Italia dhe më pas është bërë instalimi. Pajisja Econos që është autoklave, është blerë nga subjekti “Vale Recycling” e perdorur dhe është instaluar. Kjo është autoklavë, e cila funksion me avull, me një temperaturë mbi 130 gradë, e cila, pasi futen mbetjet spitalore, i kthen ato të padëmshme për ambjentin”, ka deklaruar ai në Prokurori.
Ndërkohë, i pyetur se në vitin 2024 ka importuar një impjant për trajtimin e mbetjeve në vitin 2024, Elvis Miri ka shpjeguar se “nuk kam përgjigje për momentin, më duhet të shoh dokumentacionin”.
Por, ndërkohë, në vijim të hetimeve, Prokuroria ka pyetur një sërë personash zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të Elvis Mirit, të cilët nuk janë në gjendje të thonë nëse e ka parë pajisjen “Econos” në ambjentet e “Vale Recycling” gjatë periudhës 2016-2023.
Inceneratorët dhe lejet mjedisore
“Vale Recycling” ka bashkëpunuar me subjektin “EMC”, me administrator Elidiana Shehu, për ofrimin e ekspertizave e konsulencave, si edhe hartimin e raportimeve të ndryshme për pajisjen me leje mjedisore të ndryshme. Ky bashkëpunim ka nisur prej vitit 2015.
Zonja Shehu, për llogari të “Vale Recycling” ka zhvilluan një dëgjesë publike me qytetarët e zonës ku ushtronte funksionin kompania e Elvis Mirit. Në dokumentat e asaj dëgjese, Shehu ka shënuar se “VALE” ka në dispozicion, ndër të tjera, pajisjes “Econos”.
E pyetur nga Prokuroria, ekspertja Shehu ka deklaruar se ka përdorur të dhënat e dorëzuara nga vetë kompania, pra nuk rezulton të ketë kryer verifikime.
Po ashtu, e pyetur se sa inceneratorë ka në dispozicion “VALE”, Elidiana Shehu ka deklaruar se ka vetëm një të tillë.
Ky qëndrim bie në kundërshtim me aktet e përpiluara prej vetë saj, kur ka përgatitur dokumentacionin, me anë e të cilit “VALE Recycling” është pajisur me lejen e tipi B.
Në ato dokumenta shkruhet se “subjekti ka te instaluar dy impjanate për asgjesim mbetjesh, duke shprehur parametrat e matuar në ambjent, përkatesisht për dy oxhakë, të këtyre dy incerenatorëve”.
Gjithashtu, edhe nga kqyrja në terren, e realizuar nga Policia Gjyqësore në funksion të hetimit penal, rezultoi se në ambjentet e “VALE” ishte vetëm një oxhak, që do të thotë vetëm një incinerator, pavarësisht se subjekti “EMC” i Elidiana Shehut ka përpiluar dokumente justifikuese për “dy inceneratorë”.
Ekzistenca e dy inceneratorëve dhe pajisjeve të tjera teknike ishte kusht paraprak që shoqëria “VALE” të pajisej me lejen e tipit B.
Në periudhën Tetor 2020-Janar 2022, kompania “VALE” ka bashkëpunuar me subjektin “SWOT”, me administrator Laert Shehu, për konsulencë teknike, në funksion të lejeve mjedisore.
Laert Shehu, i pyetur gjatë hetimit, ka deklaruar se “.. për lejen e tipit B, subjekti “VALE” ka pasur një autoklave “Newster” dhe një pajisje tjetër, që për mua ka qenë e pa identifikuar, sepse ka qenë e mbuluar me mure dhe kishte një dalje në formë sferike. E shpjeguar nga ana e subjektit, kjo ishte një autoklave për sterilizim mbetjesh spitalore. Referuar lejes mjedisore të tipit B, kjo autoklave e paidentifikuar nga ana ime, supozohej t’i përkiste asaj të emërtuar Econos”.
Nga dokumentat, e dorëzuara në Prokurori nga shetasi Laert Shehu, “rezulton se për 6 raporte periodike dhe vjetore për periudhen Shkurt 2021 deri në janar të vitit 2022, janë realizuar matje nga subjekti “Swot Shpk”, për një incerenator, ndërkohë që në lejen e tipit A, të miratuar në vitin 2019, janë pasqyrura dy koordinata për dy incerenator”.
Kjo diferencës mes situatës reale dhe asaj dokumentare të “VALE Recycling” nuk rezulton të jetë pasqyruar askund nga kompania e konsulencës e Laert Shehut.
Inspektorët nuk kanë parë asgjë
Agjencia Rajonale e Mjedisit Lezhë ka pasur detyrë që të kryejë inspektime periodike në subjektin “VALE Recycling”, me qëllim verifikimin e parametrave mjedisorë, cilësinë e shërbimit të kryer, pajisjet e përdorura dhe kushtet e lejeve mjedisore me të cilat ishte pajisur kompania e Elvis Mirit.
Në funksion të hetimit, Prokuroria ka identifikuar të paktën 8 inspektorë mjedisorë, të cilët kanë kryer verifikime pranë kësaj kompanie- Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Kejdi Ahmetaj dhe Ilir Bardhi.
Të pyetur nga prokurorët, asnjëri prej tyre nuk ishte të gjendje të tregonte nëse subjekti “VALE Recycling” ka pasur në dispozicion pajisjen “Econos”.
Po ashtu, asnjë prej tyre nuk ka raportuar se subjekti “VALE” ka pasur në funksion vetëm një incenerator, kjo e dukshme lehtësisht nga ekzistenca e vetëm një oxhaku për tymrat.
Gjithashtu, të gjitha ata deklarojnë se nuk kanë pasur për detyrë inspektimin e përmbushjes së kushteve dhe kritereve të lejeve mjedisore, të siguruara më herët nga “VALE Recycling”.
Masat
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personi nën hetim Elvis Miri, ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore prej vitit 2016, duke dorëzuar dokumentacion të rremë.
“Nga të dhënat e hetimit, del qartë se subjekti “VALE Recycling” i Elvis Mirit, ka përmbushur objektin e veprimtarisë, siç parashikohet në lejet e tipi A dhe B, vetëm në fillim të vitit 2024, provuar kjo dhe me kqyrjen në vend nga organi procedues”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Në këto kushte, -thotë prokurorët Arens Çela e Ndini Tavani,- “ngrihen dyshime se, me mungesen e pajisjes Econos Tsc 150, si edhe me mungesën e një prej incerenatorëve, subjekti Vale Recycling shpk, të mos ketë pasur aftësi të përmbushë objektin e kontratave të lidhura me palë të treta për trajtim mbetjesh spitalore”.
Pasi ka arritur në këtë konkluzion, prokurorët kanë kërkuar nga gjykata e Tiranës caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për Elvis Miri dhe masa të ndryshime për personat e tjerë.
Bazuar në këtë kërkesë, gjykata e Tiranës caktoi “arrest me burg” për Elvis Mirin.
Ndërkohë, për ekspertët Elidiana Shehu të subjektit “EMC” dhe Laert Shehu të subjektit “Sëot”, gjykata ka vendosur “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i përkohshëm i veprimtarisë profesionale.
Për inspektorët mjedisorë, Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Kejdi Ahmetaj dhe Ilir Bardhi, gjykata ka caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullim nga detyra”