Nga Boldnews.al
Mocioni për “aferën McGonigal” ishte kryefjalë e parlamentit të Enjten, pasi arrestimi i ish-agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal zbuloi takime të shpeshta dhe informale të tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Historia “McGonigal” ka shumë të panjohura dhe pikëpyetje, aq më tepër që autoritetet amerikane vendosën të zhvillojnë me dyer të mbyllura procesin gjyqësor ndaj ish-zyrtarit të Kundër-Spiunazhit të Nju Jorkut.
E gjithë afera, që doli në dritë nga Juritë e Mëdha në Uashington dhe Nju Jork, kanë lidhje të drejtëpërdrejtë ose indirekt me Shqipërinë.
“Boldnews.al” po rendit në mënyrë thuajse telegrafike faktet, por edhe dyshimet mbi këtë histori.
Historia “McGonigal” ka shumë të panjohura dhe pikëpyetje, aq më tepër që autoritetet amerikane vendosën të zhvillojnë me dyer të mbyllura procesin gjyqësor ndaj ish-zyrtarit të Kundër-Spiunazhit të Nju Jorkut.
E gjithë afera, që doli në dritë nga Juritë e Mëdha në Uashington dhe Nju Jork, kanë lidhje të drejtëpërdrejtë ose indirekt me Shqipërinë.
“Boldnews.al” po rendit në mënyrë thuajse telegrafike faktet, por edhe dyshimet mbi këtë histori.
McGonigal dhe Rama
Në 23 Janar 2023, në aeroportin “JFK” të Nju Jorut arrestohet ish-drejtuesi i Seksionit të Kundër-Zbulimit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të Nju Jorkut, Charles McGonigal.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi zyrtarisht se ndaj z.McGonigal janë në proces dy hetime penale.
1. Një prokuror në Uashington e akuzon zotin McGonigal për mos-deklarim të udhëtimeve dhe marrjen e pagesave nga një ish-zyrtar i Shërbimeve Sekrete Shqiptare, për takime në Shqipëri dhe Europë me persona të ndryshëm, gjatë kohës që ishte në detyrë.
2. Një prokuror në Nju Jork e akuzon zotin McGonigal se, gjatë kohës që ishte në detyrë dhe më pas, ka kryer veprime për të lehtësuar pozitat në SHBA të një miliarderi rus, Oleg Deripaska, i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit në Prill 2018, për lidhje me Presidentin rus, Vladimir Putin.
Të dyja këto çështje, lidhen në mënyrë direkt ose indirekte me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, me qeverinë shqiptare, si edhe me vendimmarrje të ndryshme zyrtare që favorizojnë interesa financiare ruse në Shqipëri.
Në akuzën e hartuar kundër McGonigal nga Juria e Madhe në Uashington thuhet se;
– Charles McGonigal ka realizuar të paktën 5 takime jo-zyrtare dhe jo në cilësinë e përfaqësuesit të FBI-së, me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në periudhën 2017-2018, gjatë kohës që ushtronte funksionet në FBI;
– Në një takim në Tiranë, z. McGonigal ka ngritur shqetësimin për ndikimin rus për kontrata për fushat e naftës në Shqipëri.
– Pas një takimi McGonigal-Rama, në nëntor 2017, Personi A (Agron Neza) i ka dhënë zotit McGonigal një shumë prej 80.000 USD, në parkingun e një restoranti në Nju Jork;
– d) Në të njëjtën kohë, zoti McGonigal kontakton me një prokuror në Uashington, ku e nxit të nisë hetimin penal për një lobist amerikan, që ka vepruar për llogari të një partie shqiptare, kundërshtare me partinë e drejtuar nga Edi Rama (të dhënat kohore përkojnë me nisjen e hetimit penal ndaj shtetasit amerikan, Nick Muzin, lobist, i cili ishte kontraktuar nga ish-drejtuesi i Partisë Demokratike në Shqipëri në opozitë, Lulzim Basha);
– Materialet kundër z. Muzin i janë përcjellë zotit McGonigal nëpërmjet një adresë zyrtare qeveritare shqiptare;
– Në kohë të ndryshme më vonë, zoti McGonigal ka marrë shuma të tjera nga Personi A (Agron Neza), të cilat arrijnë në shumën 225.000 USD;
– Zoti McGonigal dhe “Personi A” (Agron Neza) realizojnë udhëtime së bashku në Europë, kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi dhe Austri;
– Në Vjenë (Austri), z. McGonigal, nën shoqërinë e z. Neza, realizon takime me personazhe të ndryshëm shqiptarë, si edhe me dëshmitarë për çështjen kundër lobuesit Muzin.
– Zoti Charles McGonigal nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të deklaruar udhëtimet dhe kontaktet në Shqipëri, e të tjerë, si edhe nuk ka raportuar për pagesat që ka marrë nga “Personi A” (Agron Nezaj);
Më herët, në Shtator 2022, “Bussines Insider”, publikoi një dokument të Jurisë së Madhe për hetimin kundër McGonigal në Uashington, ku kërkohej, ndër të tjera, të mblidheshin informacione dhe të pyeteshin persona:
– Agron Neza (Personi A në akt-akuzë)
– Louis Bladel dhe/ose “Ernst & Young Global Limited”
– Qeveria e Republikës së Shqipërisë ose çdo person i lidhur me të, përfshirë, por pa u kufizuar, kryeministrin Edi Rama;
– Çdo udhëtim që ka kryer Charles McGonigal në Shqipëri…;
– Pagesat apo dhuratat që ka marrë McGonigal nga çdo person tjetër i lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë…;
“Afera” në Shqipëri
Pas publikimit të të dhënave të Jurisë së Madhe të Uashingtonit, të tjera të dhëna u zbuluan për takimet “jo-zyrtare” të z. McGonigal në Shqipëri.
Në median shqiptare u zbulua se z. McGonigal, në 23 Shtator 2021, është shpallur “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Tropojës, në Veri të Shqipërisë, vendlindja e ‘Personit A”, Agron Neza. Bashkia drejtohet nga Rexhë Byberi, zyrtar i Partisë qeverisëse tëë Edi Ramës,
Në atë takim merrnin pjesë edhe deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i cili ishte Ministrës i Energjitikës në kohën kur z. McGonigal ishte agjent në FBI dhe zhvillonte takime informale me kryeministrin Edi Rama.
Në atë takim ishte gjithashtu i pranishëm edhe z. Ardian Çela, drejtor i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare nga Regjistri i Bizneseve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), dëshmojnë se Charles McGonigal, pas largimit nga FBI, është regjistruar aksioner në një kompani private në Shqipëri, “Law Office and Investigation”, dhe ka objekt aktiviteti studio avokatie, konsulencë, e të tjerë.
Shoqëria është krijuar për herë të parë në Janar të vitit 2008, nga shtetasi shqiptar Shefqet Dizdari.
Në Prill të viti 2019, z. Dizdari shet 75 përqind të aksioneve të “Law Office and Investigation”, përkatësisht nga 25 përqind tek; Charles F McGonigal, Agron Neza dhe Mark Thomas Rossini.
Z. McGonigal emërohet gjithashtu edhe Administrator i shoqërisë.
Shoqëria pezullon aktivitetin në Nëntor të vitit 2019.
Në shoqërinë “Law Office and Investigation”, krahas z. McGonigal dhe Agron Neza (Personi A), gjenden gjithashtu edhe; a) z. Mark Thomas Rossini e; b) Shefqet Dizdari.
a) Z. Mark Thomas Rossini rezulton të jetë një agjent i tërhequr i FBI-së dhe bashkëpunëtor i Z. Charles McGonigal gjatë kohës që ushtronin funksionet zyrtare në Byronë e Kundër-Spiunazhit në Nju Jork.
Në qershor të vitit 2019, z. Rossini shfaqet në një intervistë të gjatë në televizionin pro-qeveritar në Shqipëri, “Top Channel”. Në atë intervistë, duke folur në meritat e një eksperti sigurie dhe ish-agjenti të FBI-së, ai akuzon opozitën shqiptare për lidhje me interesa ruse dhe organizim protestash anti-qeveritare, nën ndikimin dhe influencat ruse.
b) Z. Shefqet Dizdari është një biznesmen në Shqipëri, i përfshirë në sektorë të ndryshëm, ndër të tjera edhe atë të naftës.
Shoqëria “Law Office and Investigation” në Tiranë, me administrator Charles McGonigal, ka selinë në adresën: Rruga Ismail Qemali, Pallati “Fratari”, ap. 8/A.
Në të njëjtën adresë ka selinë edhe shoqëria “Terraoil Swiss”, dega e huaj e shoqërisë “Terraoil Swiss AG” (e quajtur më parë “Transoil Group”), me administrator në Shqipëri z. Shefqet Dizdari.
Kompania “Terraoil Swiss” (ish-Transoil Group), në vitin 2018, është shpallur fitues e një procedurë koncesioni të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të drejtuar në atë kohë nga Damian Gjiknuri, për shfrytëzimin e fushave naftë-mbajtëse në zonën e Jugut të Shqipërisë.
Agjencia mediatike rajonale “BIRN” (Balkan Investigative Reporting Netëork) raportoi në qershor të vitit 2018 se qeveria shqiptare, nëpërmjet ministrit Gjiknuri, favorizoi shoqërinë “Transoil Group” (aktualisht Terraoil Swiss”), e cila është e lidhur me shoqërinë shtetërore të naftës në Rusi, “Gazprom”.
McGonigal, Deripaska dhe Shqipëria
Akt-akuza e prokurorit të Nju Jorkut ndaj z. McGonigal flet për angazhimin e ish-agjentit të lartë të FBI-së për të lehtësuar pozitat e miliarderit rus, Oleg Deripaska, i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit për lidhjet e ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Z. Deripaska shfaqet si biznesmen në Shqipëri.
– Në vitin 2007, shoqëria “Rasperia Trading Limited”, në pronësi të biznesmenit rus, Oleg Deripaska, blen mbi 25 përqind të aksioneve të kompanisë austriake “Strabag SE”, duke u renditur si aksioneri maxhoritar, si edhe emërohet Drejtor Ekzekutiv i saj (CEO).
Kompania “Strabag SE” ka ndër të tjerë si “bijë” të saj shoqërinë “Strabag AG”, e regjistruar në Këln të Gjermanisë, e kontrolluar plotësisht nga Oleg Deripaska.
Në Korrik të vitit 2007, në Shqipëri regjistrohet “Dega e Shoqërisë së Huaj-Strabag GE”. Biznesmeni rus, Oleg Deripaska, regjistrohet si pronar përfitues i saj në vitin 2016.
Në Prill të vitit 2008, shoqëria austriake “Strabag SE” blen 51 përqind të aksioneve të kompanisë shqiptare të ndërtimit “Trema Engieenering 2”, e cila nga ana e saj ishte themeluar në vitin 2002 nga biznesmeni Ilir Trebicka.
Në Prill të vitit 2016, shoqëria “Strabag SE” ia shet aksionet e saj tek kompania shqiptare “Trema Engieenering 2” kompanisë “Strabag AG”.
Në Nëntor të vitit 2020, kompania “Strabag AG” blen të gjithë aksionet e ortakut themelues, Ilir Trebicka (49 përqind), duke u shndërruar në pronare e vetme të shoqërisë shqiptare “Trema Engieenering 2”.
Prej vitit 2017, biznesmeni rus, Oleg Deripaska, është regjistruar si Pronar Përfitues (fundor) i shoqërisë shqiptare “Trema Engieenering 2”.
Në Shtator 2017, kompania “Trema Engieenering 2” është pjesë e një grupi kompanish që fitojnë kontratën koncesionare me qeverinë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipërinë Qendrore, në një proces të drejtuar nga Ministri i Infrastrukturës së asaj kohe, Damian Gjiknuri.
Kompania koncesionare emërtohet “Shushica Hydropower”. Miliarderi rus, Oleg Deripaska, rezulton pronar përfitues në këtë kontratë koncesionare.
– Në Prill të vitit 2018, Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama dhe me pjesëmarrjen e Ministrit të Infrastrukturës së kohës, Damian Gjiknuri, i japin statusin e “investitorit strategjik” kompanisë “Agro Iliria Group”, për projektin e investimit me potencial strategjik “Ngritja e plantacionit me shegë, goji berry, avokado dhe finger lime në zonën e Karavastasë, Bashkia Divjakë”, në Shqipërinë Jugore”.
Në bazë të këtij vendimi, Qeveria Shqiptare i jep “investitorit strategjik” një sipërfaqe prej 800 hektarë, si edhe lehtësira të tjera që parashikon ligji i vitit 2015 “Për investimet strategjike”.
Sipas vendimit, projekti i “investimit strategjik” do të zbatohet nga “Agro Iliria Group” dhe “Trema Engieenering 2”.
Shoqëria “Agro Iliria Group” zotërohet në masën 50 përqind nga Ilir Trebicka. Ndërsa kompania ‘Trema Engieenering 2” kishte pronar përfitues në atë kohë biznesmenin rus, Oleg Deripaska.
– Shoqëria “Trema Engieenering 2” rezulton projektuese e Fshatit Turistik “Thymus”, në zonën bregdetare të Dhërmiut, në Rivierën Jugore të Shqipërisë.
Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, miratoi Vendimin për “Miratimin e Lejes së Ndërtimit për kompleksin turistik Thymus”, me zhvillues investitorin Ilir Trebicka, i njëjti që shfaqet shpesh në aktivitete biznesi me biznesmenin rus, Oleg Deripaska.
Louis Bladel dhe Shqipëria
Në dokumentin e Jurisë së Madhe të Nju Jorkut, zbuluar në Shtator 2022 nga “Bussines Insider”, i cituar më lart, ngarkohet prokuroria, ndër të tjera, që të marrë informacion/të pyesë/të sigurojë informacion z. Louis Bladel dhe “Ernst & Young Global Limited”.
Z. Louis Bladel ka ushtruar funksione të ndryshme në institucionet e sigurisë amerikane, prej vitit 1989. Sipas të dhënave të publikuara prej tij në rrjetin “LinkedIn”, z. Bladel ka qenë Shefi i Zyrës së Kundër-zbulimit (SAC) në zyrën e Nju Jorkut në periudhën 2015-2016, paraardhës i z. Charles McGonigal.
Pas largimit nga FBI, z. Bladel emërohet Drejtues Ekzekutiv (CEO) i “Ernst & Young Global Limited”.
Në Qershor të vitit 2018, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj dhe kompania “Ernst & Young Global Limited” e drejtuar nga z. Louis Bladel, nënshkruajnë Marrëveshje “Për luftën kundër pastrimit të parave”.
Termat e kësaj Marrëveshjeje u konsideruan “sekret” dhe nuk u bënë publike.
Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, “Ernst & Young Global Limited” ka përfituar 43.109.673 ALL ose rreth 375.000 USD.
Qeveria Shqiptare e miratoi Marrëveshjen nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 308, dt. 23.05.2018.
Në bazë të këtij Vendimi, qeveria përdori Fondin e Emergjencës për pagesën e kësaj kontrate.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në Raportin për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2018, e vlerëson kontratën “sekret” ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe “Ernst & Young Global Limited”, problematike.
“….VKM nr.308, datë 23.05.2018 për Ministrinë Financave dhe Ekonomisë, në vlerë 47.25 milionë lekë (375,013 euro) “Për autorizimin e Ministrisë së Brendshme dhe MFE për lidhjen e kontratës me kompaninë “ERNST & YOUNG”, për të ofruar konsulencë në zbatim të planit të veprimit “Për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit “në gjurmët e parasë.
Nga auditimi i përdorimit të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, mangësitë në dokumentacion, apo me shkelje në përdorimin e tij, janë sa 63% e vlerës totale të përdorimit të tij, në kundërshtim me ligjin organik të buxhetit dhe në udhëzimin standart të zbatimit të tij…”, thuhet në faqen 38 të Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.