Europa pritet që të përjetojë recesion në pjesën e parë të vitit 2023, ashtu siç parashikohet tendenca për një të tretën e globit. Institucionet ndërkombëtare presin ngadalësim të ekonomisë shqiptare në rreth 2% këtë vit. Inflacioni ende i lartë, rreziqet e një flluske në ndërtim, lëvizjet e interesave, që reflektojnë shtrëngimin e politikës monetare, konsumi i dobët i ndikuar nga emigracioni dhe shtrenjtimi i çmimeve do të ushtrojnë presion për rritje të dobët ekonomike. Por, përvoja e viteve të fundit ka treguar se realiteti ka rezultuar gjithnjë më optimist se parashikimet, teksa sipërmarrja vendase shfaq gjithmonë elasticitet të lartë për t’u rikuperuar ndaj të papriturave dhe vështirësive. Megjithatë, një pengesë e fortë, që nuk është lehtësisht e kapërcyeshme, pritet të “minojë” vitin 2023: mungesa e fuqisë punëtore…
Tre vitet e fundit na kanë mësuar vetëm një gjë: që parashikimi më i saktë është që asgjë nuk mund të parashikohet!
Askush nuk e priste Covid-19, që në vitin 2020 e në pjesën e parë të vitit 2021 e çoi gjithë globin në recesion, teksa vendet u munduan të frenonin pasojat e virusit vdekjeprurës. Në vitin 2022, rikuperimi ishte i shpejtë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shkaktoi një valë të fortë të rritjes së çmimeve, duke frenuar rimëkëmbjen.
Tashmë në vitin 2023, të gjithë janë bërë më të kujdesshëm, si një formë e mekanizmit vetëmbrojtës ndaj të papriturave. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi së fundmi se, një e treta e vendeve të botës do të hyjnë në recesion në vitin 2023.
Komisioni Europian pret që Bashkimi Europian të hyjë në recesion në tremujorin e parë të këtij viti.
Për Shqipërinë, FMN pret që rritja të ngadalësohet në 2%, nga 3.7% që vlerësohet viti 2022.
Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, thotë në një intervistë për “Monitor” se kjo pritshmëri reflekton kushtet më të shtrënguara financiare, ngadalësimin në Europë dhe tërheqjen e politikave mbështetëse, së bashku me çmimet e shtrenjta.
“Inflacioni total pritet të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm dhe duhet të fillojë të ulet në vitin 2023”, tha shefja e FMN-së.
Në vitin 2022, inflacioni kulmoi në 8.3% në tetor, niveli më i lartë në 24 vjet, që pas krizës së piramidave, e ndikuar kryesisht nga karburantet dhe ushqimet, por gjithsesi më i ulët se në BE dhe vendet e tjera të rajonit, ku i kaloi 10% (pozitivisht ndikoi mosrritja e çmimeve për konsumatorët familjarë).
Shtrenjtimi i çmimeve u lehtësua në nëntor, duke ndalur trajektoren rritëse të 12 muajve radhazi dhe zbriti më tej në dhjetor, në 7.4%.
Nga marsi 2023, inflacioni pritet të ulet ndjeshëm, pas kërcimit të fortë në të njëjtin muaj të një viti më parë, kur u shfaqën pasojat e luftës.
Ndryshe nga viti 2022, kur importet e zarzavateve u rritën me mbi 40%, – duke kompensuar prodhimin vendas që u tkurr nga kostot e larta, gjë që shtoi ndikimin e inflacionit të importuar, – këtë vit fermerët janë më optimistë për produktet e fushës dhe serrave.
Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të ulet progresivisht në vitin 2023 dhe të afrohet pranë objektivit prej 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.
Edhe në tregjet globale po arrihet një ekuilibër i ri i kërkesë-ofertës në produktet kryesore si energjia, gazi, produktet bazë ushqimore, duke lehtësuar presionet inflacioniste, por çmimet sërish pritet të mbeten më të larta se përpara krizës.
Energjia pritet të jetë faktori tjetër që do të vijojë të ndikojë edhe në ecurinë e vitit 2023, por lajmet janë më të mira këtë vit.
Procesi i liberalizimit, që do të nxirrte në treg të lirë rreth 7400 biznese të linjës 20 kv, që nga qershori i vitit 2022, është shtyrë sërish dhe bizneset në tension të mesëm 20, 10 dhe 6 kv do të mbahen me çmime preferenciale.
Ato do të vijojnë të blejnë energjinë me tarifa të rregulluara prej 18.2-19.6 lekë/kv deri në momentin që vendi nuk do të konsiderohet në emergjencë të furnizimit me energji.
Për bizneset në tension 35 kilovolt, që e blejnë energjinë në tregun e lirë dhe në vitin 2022 u përballën me çmime tepër të larta prej 50-60 lekë/kvh, Ministria e Energjisë ka premtuar t’i mbrojë indirekt, duke bërë KESH si ndërmjetës në tregun e lirë, çka do të rezultojë me çmime më të ulëta se tregu.
Në vitin 2022, disa prodhues të mëdhenj si “Kurum”, “Albchrome” dhe fabrika të çimentos e ndërprenë përkohësisht prodhimin, pasi kosto e energjisë arriti në nivele të papërballueshme.
Situata pritet të vijojë të jetë e vështirë për operatorët shtetërorë të energjisë, si për operatorin e shpërndarjes, ashtu dhe atë të prodhimit, që mund të detyrojë qeverinë të garantojë këtë sektor, në rast se do të përsëritet e njëjta situatë, kur do të duhet të blihet energji e shtrenjtë nga importi.
Ekaterina Solovova, drejtuese e zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, pohon në një intervistë për “Monitor” se kriza thekson nevojën për të adresuar dobësitë në prodhimin vendas të energjisë elektrike, pasi kostoja për të mos e bërë këtë është e lartë.
Pavarësisht vështirësive, përvoja e viteve të fundit ka treguar se realiteti ka rezultuar gjithnjë më optimist se parashikimet, teksa sipërmarrja vendase shfaq gjithmonë elasticitet të lartë për t’u rikuperuar ndaj të papriturave dhe vështirësive.
Në 2020-n, kur vendi vuajti pasojat e pandemisë, rënia e ekonomisë ishte shumë më e ulët se parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (në -3.5%, nga -8-9% që ishin vlerësimet fillestare). Vendi i rezistoi më mirë sesa pritej edhe krizës së çmimeve, duke përshpejtuar ritmet e rritjes në tremujorin e tretë, pas ngadalësimit në të dytin.
“Më bën gjithmonë shumë përshtypje kur shikoj ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë.
Së pari, ndikimi i pandemisë në ekonomi ishte dukshëm më i ulët se ai i vendeve të tjera të rajonit dhe më pas, ringritja ka qenë shumë e fortë”, thotë Emanuel Salinas, menaxher i zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, në një intervistë për “Monitor”.
Ai shton se ka një qëndrueshmëri mbresëlënëse të sektorit privat, që lidhet me shpirtin sipërmarrës të shqiptarëve.
Teksa ndikimi i inflacionit dhe energjisë mund të jetë pak më i zbutur këtë vit, zhvillimet demografike, emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore, po kthehen në një problem sistemik të ekonomisë: Për të tretin vit radhazi, sipërmarrësit shfaqin si një nga problemet kryesore jo vetëm mungesën e fuqisë punëtore, por dhe ndikimin që emigracioni po jep në konsum.
Për tre dekada, avantazhi kryesor konkurrues i ekonomisë vendase ka qenë kostoja e lirë e fuqisë punëtore, që ka nxitur sektorë me vlerë të shtuar të ulët dhe paga minimale. Tashmë, ky model nuk po funksionon më.
Emigrimi ka krijuar ngërç të vërtetë në tregun e punës. Të gjithë sektorët raportojnë se po vuajnë që të gjejnë punonjës dhe po detyrohen të rrisin pagat, në pjesën më të madhe pa e shoqëruar me përmirësim të produktivitetit, duke ndikuar në uljen e konkurrueshmërisë në raport me fqinjët.
Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve (KI), thotë se nga anketimet e vazhdueshme që ka bërë KI me sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore dhe sidomos largimi i punonjësve të trajnuar (mungesa e aftësive) do të vazhdojë të ndikojë negativisht në maksimizimin e potencialit të ekonomisë.
Në një zhvillim pozitiv, ajo shton se kjo situatë “do të përshpejtojë orientimin e biznesit drejt automatizimit apo edhe konsolidimit të kërkimit të fuqisë punëtore në vende të reja, e cila sigurisht vjen me kostot e saj. Rritja e pagës minimale dhe asaj reale do të ndikojë në ekuilibrat midis ofertës dhe kërkesës për punë në vend”.
Por, ndryshe nga çmimet dhe problematikat e tjera afatshkurtra që kërkesë-oferta i rregullon me shpejtësi, rigjetja e ekuilibrave në tregun e punës do të jetë proces afatgjatë dhe do të kërkojë kohë dhe do të jetë më i dhimbshëm, duke u bërë një faktor pengues në ekonomi për shumë kohë.
Ambienti me interesa të larta nuk pritet të jetë shumë favorizues. Banka e Shqipërisë rriti 4 herë normën bazë në vitin 2022, duke e çuar në 2.75%, niveli më i lartë nga viti 2014, në funksion të objektivit të saj kryesor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Shtrëngimi i politikës monetare është transmetuar më shumë në koston e borxhit të qeverisë dhe interesat e kredive, duke ngadalësuar huamarrjen nga bizneset dhe individët në muajt e fundit të vitit.
Ndonëse politika monetare pritet të jetë më e moderuar në vitin 2023, për shkak të stabilizimit të çmimeve, interesat pritet të jenë të larta, duke frenuar huadhënien. Një tjetër rrezik është rritja e kredive me probleme, si reflektim i shtrenjtimit të kësteve, ashtu dhe ngadalësimit të ekonomisë.
Politika monetare pritet të vijojë të jetë e shtrënguar, ndonëse intensiteti i rritjes së normës bazë mund të jetë minimal, nëse inflacioni mbahet nën kontroll. Politikat fiskale do të kenë prioritet konsolidimin dhe uljen e borxhit, por sërish 6 mujori i parë mund të shohë rritje të stimujve, në prag të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në maj.
Ndryshimet klimatike janë një tjetër faktor pengues afatgjatë. Ngrohja globale po nxit një seri ngjarjesh jo normale, të cilat ndonëse priteshin, ishin abstrakte, deri kur arritën në një pikë që filluan të ishin të dukshme nga bujqësia, të cilat po ndikohen negativisht nga përmbytjet tek energjia.
Edhe sektorë të tjerë po i ndiejnë pasojat, si fasoni (për shkak të motit të ngrohtë ka ndryshuar kërkesa për veshje, duke krijuar stok për veshjet e dimrit), prodhimi i verës etj. Vendi nuk është ende i përgatitur për t’u përballur me këtë proces.
“Shqipëria është një nga vendet më të cenueshme në Europë ndaj ndryshimeve klimatike, por shkalla e ndikimit në të gjithë ekonominë është ende e papërcaktuar”, thotë z. Salinas i Bankës Botërore.
Nga do të vijë rritja
Ndërtimi dhe sidomos turizmi ishin dy sektorët që udhëhoqën rritjen në vitin 2022. Bujqësia ishte e vetmja me ecuri negative, teksa rritja e kostove ndikoi negativisht në sektorin që kontribuon në rreth 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vetë qeveria presin ngadalësim të ritmeve të rritjes së ekonomisë këtë vit, në rreth 2-3%, duke reflektuar situatën e paqëndrueshme globale, çmimet ende të larta që çojnë në frenimin e kërkesës, shtimin e kostove për bizneset, pasigurinë në furnizimin me energji.
Shpejtësia e rritjes pritet të jetë e ndryshme, në varësi të sektorëve dhe faktorëve specifikë që mund të ndikojnë pozitivisht, apo negativisht.
-Bujqësia, e cila vijon të ketë peshën kryesore në aktivitetin ekonomik, do të vazhdojë të përballet me shumë të papritura, si kapriçot e motit, apo shtimi i kostove.
Ndryshe nga viti i kaluar, fermerët këtë vit janë më optimistë, për shkak të ndryshimit të politikave subvencionuese të Ministrisë së Bujqësisë, që po subvencionojnë direkt mbjelljet në serra. Për blegtorinë, situata është krejt e kundërt.
Sektori i blegtorisë do të vijojë trendin rënës në numrin e krerëve, nëse nuk sigurohet një çmim më i lartë për qumështin e fermerëve, thotë Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është një njohës i mirë i sektorit.
-Tregtia, turizmi: Tregtia dhe shërbimet pritet të vijojnë të jenë sektorët kryesorë që do të nxisin rritjen. Tregtia me pakicë është optimiste, pavarësisht presionit që çmimet e larta po ushtrojnë në konsum.
“Pritshmëritë edhe për vitin 2023 janë pozitive. Në tregun e shitjes me pakicë pritet të hyjnë marka të reja ndërkombëtare, si e shumëpritura ‘H&M’, thotë Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e “Colliers International Albania”.
“Fillimi i vitit parashikohet me vështirësitë e përhershme, por më pas besoj te një ritëm i kënaqshëm i shitjeve, për arsye të mbarimit të muajve të ftohtë dhe uljes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike dhe naftës”, thotë Julian Mane, zv.president i Grupit BALFIN, operatorit më të madh të tregut të pakicës në vend.
Në të kundërt, ka më pak optimizëm për turizmin këtë vit. Potencialet e tij po zbehen nga paaftësia e qeverisë për të ndjekur ritmin e investimeve të bizneseve, në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, por edhe frenimit të shpenzimeve nga turistët, si rrjedhojë e krizës globale.
Këtyre u shtohen dhe problemet me gjetjen e fuqisë punëtore, që po ndikojnë negativisht cilësinë e shërbimit.
“Nga ajo që ne shohim ka një rënie të review (përshtypjeve) që ka ardhur nga mungesa e shërbimit apo rënia e cilësisë së tij në strukturat akomoduese.
Mendoj se infrastruktura është një tjetër element që ka ndikuar”, – pohon Rrahman Kasa, kryetar i Unioni Turistik Shqiptar. P.sh., nordikët, të cilët prej disa vitesh kanë qenë me kontrata të parapaguara, në vitin 2023, për herë të parë nuk do të japin garanci, por do të paguajnë për aq turistë sa sjellin.
Nuk janë shumë optimistë as operatorët e bareve dhe restoranteve, një sektor i rëndësishëm me rreth 15% të ndërmarrjeve në total. Emigracioni, që ka ulur konsumin, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore pritet të ndikojnë negativisht.
–Industria pritet të vuajë pasojat e rritjes së kostove të lëndëve të para dhe energjisë, që nga njëra anë mund ta bëjnë industrinë jokonkurruese dhe, nga ana tjetër, mund të nxisin importet. Industria e çimentos, përpunimit të metaleve, përpunimi i qumështit, fasoni, të gjitha raportojnë se po vuajnë si rritjen e kostove, ashtu dhe mosgjetjen e fuqisë punëtore.
-Ndërtimi është një nga sektorët që ka pasur ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe pritet të vijojë rritjen, ndonëse kjo është një thikë me dy presa (shiko nënndarjen në vijim).
-Real Estate. Ashtu si ndërtimi, ky është një nga aktivitetet me rritjen më të shpejtë në vend.
-Aktivitetet profesionale pritet të kenë ecuri pozitive, e nxitur nga rritja e konsumit dhe kërkesës për shërbime. Shtyrja e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që parashikonte rritjen e taksimit për këtë kategori, pritet t’u japë frymëmarrje profesionistëve, të paktën për këtë vit.
-Informacioni dhe Komunikacioni: Tregu i telekomunikacioneve është përqendruar, pas hyrjes së hungarezëve të 4iG, të cilët kanë bashkuar ONE dhe ALBtelecom në një të vetme, në funksion nga 1 janari.
Teknologjia e informacionit pritet të vijojë rritjen, duke u kthyer në një burim punësimi për të rinjtë, pas interesit të lartë të sipërmarrjeve të huaja për të kryer një pjesë të shërbimeve në Shqipëri.
-Arte, argëtim do të vazhdojë tendencën pozitive, por e ndikuar nga frenimi i konsumit pas rritjes së çmimeve.
-Aktivitetet financiare u rritën me shpejtësi në vitin 2021 dhe në pjesën e parë të 2022, por në gjysmën e dytë u prekën nga politika monetare shtrënguese e Bankës së Shqipërisë, duke u bërë më të kujdesshme në drejtim të huadhënies.
“Sektori bankar po ndjek me vëmendje ecurinë e portofolit të huasë. Ne nuk duam një pas 2010 të dytë, ku kreditë me probleme arritën gati në 25%. Tani, kujdesi duhet për të mos lejuar që individë, apo shoqëri tregtare, të kalojnë në pamundësi pagese.
Prandaj po bëhet përpjekje për të njohur sa më mirë situatën e huamarrësve dhe, nëse do të përkeqësohet, një plan rezervë duhet të jetë i paramenduar”, thotë Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
A do të shfryhet ndërtimi
Vitet e fundit, ndërtimi, sidomos ai rezidencial, po merr rol parësor në ekonomi, teksa sipërfaqet e lejeve janë shtuar ndjeshëm dhe tregu i pasurive të paluajtshme është zgjeruar, sidomos në kryeqytet.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milionë metra katrorë, nivel rekord të paktën që nga viti 2010, kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale.
E njëjta tendencë vijoi dhe në 9-mujorin e 2022, kur në kryeqytet u dha gati 1.5 milionë m² sipërfaqe leje ndërtimi, me rritje 17% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tirana mori 70% të të gjithë sipërfaqeve të lejeve të dhëna në vend në periudhën përkatëse.
Ndonëse oferta është rritur me shpejtësi, të njëjtën linjë kanë pasur dhe çmimet, duke reflektuar si shtrenjtimin e kostove të ndërtimit ashtu dhe ofertën e lartë që është nxitur si nga kreditimi (për apartamentet mesatare që blihen nga shtresa e mesme) ashtu dhe paratë informale, që kanalizohen kryesisht në banesat e shtrenjta që shiten kryesisht me cash.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se vetëm në vitin 2022, çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me ritme rekord prej gati 40% në raport me një vit më parë. Mesatarisht, një apartament në Tiranë kushton nga 800-900 euro/m² në periferi, 1500-2500 në zonat afër qendrës, deri në 5000 euro në zonat elitare dhe kullat që po lartësohen në qendër të Tiranës.
FMN, në deklaratën e fundit për Shqipërinë, i kushtoi për herë të parë vëmendje të veçantë këtij sektori dhe këshilloi që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.
“Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreziqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit në vitet e fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj”, tha FMN.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për dhënien e banesave është ngadalësuar në muajt e fundit pas shtrenjtimit të interesave, që po u afrohen nivelit prej 5%, ose 1.5 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Në tetor, kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme kishte vlerën e 2.95 miliardë lekëve, vlera më e ulët që prej janarit 2022 dhe 8.6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Agjentët e pasurive të paluajtshme presin që të ketë më pak kërkesë për apartamente nga familjet e reja, si rrjedhojë e inflacionit, shtrenjtimit të interesave dhe nivelit të lartë që kanë arritur çmimet e apartamenteve.
Ndonëse ndërtuesit janë goditur nga rritja e kostove dhe oferta është e lartë, shpresa e tyre është se një Amnisti Fiskale do të mbajë kërkesën e lartë.
Ylli Sula, drejtuesi i indeksit “Keydata”, parashikon se në rast se nuk miratohet Amnistia Fiskale në vitin 2023, flluska e ndërtimit do të shfryhet dhe çmimet e pronave do të bien, pasi ajo pjesë e blerësve që paguajnë me cash do të tërhiqen”.
Stela Dhami, nga “Colliers International”, pohon se indikacionet e marra nga tregu, aktualisht të çojnë të mendosh për një flluskë të mundshme në periudhën afatmesme.
“Gjithsesi, nëse ekonomia shqiptare do të vazhdojë të ndikohet nga faktorë, të cilët nuk përllogariten në statistikat kombëtare, atëherë efekti flluskë mund të shtyhet deri në një tronditje ‘external shok’ që ekonomia mund të marrë nga faktorë të jashtëm, si pjesë e ekonomisë gri”.
Një faktor tepër ndikues, nëse do të ketë dhe kur do të ndodhë një flluskë e pasurive të paluajtshme, luan “thesi i parave të pista” dhe për këtë duket se janë dakord të gjithë. Por, askush nuk mund të thotë se sa është madhësia e tij dhe nëse ai do të zbrazet ndonjëherë. Nëse ai zbrazet, një gjë është e sigurt: Flluska do të ndodhë në çast!
Shtëpitë shiten, por nuk po mobilohen?!
Industritë e lidhura me ndërtimin janë më pak optimiste, në një tregues se shitja e apartamenteve nuk po ndodh si rrjedhojë e kërkesës reale, por më shumë si një vendosje e parave që janë fituar nga aktivitete informale (parkimi i parasë).
P.sh., importet e kapitullit “Mobilieritë, krevate, dyshekët, llambat dhe pajisjet e ndriçimit etj.” ranë në sasi me 5% për 11-mujorin 2022, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe prodhuesit e mobilieve raportojnë për rënie të kërkesës, pasi një pjesë e madhe e apartamenteve po mbahen bosh.
Eksportuesit, nën presionin e kostove dhe mungesës së fuqisë punëtore
Eksportet u rritën me shpejtësi në gjysmën e parë të vitit 2022, por u ngadalësuan ndjeshëm në pjesën e dytë të vitit, pasi sipërmarrjet u goditën nga rritja e kostove, sidomos shtrenjtimi i energjisë, që çoi në mbylljen e përkohshme të aktivitetit të disa prej eksportuesve të mëdhenj.
Për 11-mujorin 2022, shitjet jashtë vendit u rritën me 32% në raport me janar-nëntor 2021. Zgjerimi u udhëhoq nga të tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Materiale ndërtimi, metale” dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji”.
“Tekstile dhe këpucë”, grupi më i madh i eksporteve në vend, me rreth 28% të totalit. Industria fason nuk është entuziaste për vitin 2023, për shkak se kriza ekonomike do të frenojë konsumin dhe porositë, kurse moti i ngrohtë këtë dimër ka krijuar stoqe në magazina, gjë që do të ndikojë në kërkesa më të pakta për dimrin e ardhshëm.
Sektori, krahas rritjes së kostove, po vuan mungesën e fuqisë punëtore, duke bërë që të mos arrijnë të përfitojë nga rritja e kërkesës nga Ukraina, pas zhvendosjes së prodhimit nga lufta.
Zhvlerësimi i euros ul të ardhurat dhe fitimet, pasi arkëtohen më pak në lekë. Gjergj Leqejza, i cili zotëron fabrikën e prodhimit tekstil “Madish” në Shkodër, thotë se kostot e prodhimit janë rritur njëzëri, duke filluar nga 25 deri mbi 100%.
“Materialet e ndërtimit dhe metalet”, grupi i dytë më i madh, me 22% të totalit, janë pesimistë.
“Në vijim priten rënie të bursave dhe tregjeve të metaleve, ndërkohë që çmimet e energjisë parashikohen të mbeten të larta, duke lënë shumë pak hapësira për industrinë vendase të përballojë kostot dhe të dalë në tregje”, thotë Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”, që është eksportuesi më i madh në vend dhe sipërmarrja e katërt për të ardhurat.
Kompania, e cila mbylli përkohësisht prodhimin në fabrikën e çelikut dhe petëzimit në vitin 2022, nga energjia e shtrenjtë, parashikon që në vitin 2023 të ketë rënie me të paktën 10-15%, si në volum, edhe në xhiro.
Parashikimet janë të zymta edhe për industrinë e materialeve të ndërtimit. “Në vitin 2023, kostot e larta të ndërtimit me çmimet e paqëndrueshme të lëndëve të para, energjisë elektrike, lëndëve djegëse etj., parashikohet që do të zvogëlojnë likuiditetin e tregut dhe do të ngadalësojnë investimet”, – pohojnë nga “Antea Cement”.
Nga rreth 15 fabrika në aktivitet, vetëm katër prej tyre, më të mëdha dhe më të konsoliduara në treg janë funksionale.
Grupi i tretë më i madh i eksporteve “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, me 22% të totalit, luhatet mes optimizmit e pesimizmit. “Bankers Petroleum”, eksportuesi i dytë më i madh në vend, pas “Kurum”, pret ecuri konstante të aktivitetit për sa kohë që çmimet e naftës do të vijojnë të jenë të larta.
Më pesimist është sektori minerar. “Albchrome” ndërpreu aktivitetin në gjysmën e dytë të 2022, si rrjedhojë e energjisë së shtrenjtë dhe rënies së çmimit të mineraleve në bursa. Ndërsa ecuria e energjisë, si gjithnjë është e varur nga reshjet e shiut.
“Ushqimet, pijet dhe duhani”, që kontribuojnë në 10% të eksporteve, kanë shënuar rritje të qëndrueshme vit pas viti. Sektori është optimist për vitin 2023, për zgjerim me të paktën 10%.
Pozitivisht pritet të ndikojë rritja e sipërfaqeve të serrave, por edhe shtimi i prodhimit të disa pemëve frutore, sidomos e mandarinës klementinë që po bëhet një frutë interesante, e cila po kërkohet nga tregjet europiane, sipas Ruzhdi Konit, eksportues.
Pë bimët mjekësore, produkt që ka një peshë të rëndësishme në eksportet bujqësore, Kryetarit i Shoqatës, Filip Gjoka, thotë se kërkesa është rritur për shumë artikuj. P.sh., për dëllinjën e zezë, nga e cila prodhohet xhini, porositë janë shtuar me 30%.
Në të kundërt, operatorët e përpunimit të peshkut parashikojnë vijimin e kolapsit të sektorit në vitin 2023 për shkak të përfundimit të kuotave që në muajin gusht të vitit të kaluar.
“Makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” ishin një ndër grupet me rritjen më të shpejtë vitet e fundit, pas hapjes së disa fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.
Në Shqipëri janë aktive kompani si “Forschner Albania”, “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”, “Yura Corporation” dhe “SEWS Cabind Albania”, të cilat prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si “Mercedez Benz”, KIA, “Hyundai”, “Peugot”, “Renault”, “Fiat Group”, apo të tjera si “Sumitomo Electric Industries”.
Përfaqësuesit e këtyre kompanive janë optimistë për vitin 2023, si pasojë edhe të zhvendosjes së prodhimit në fabrikat shqiptare nga ato që ndodheshin në zonën e konfliktit Rusi-Ukrainë./Monitor