Ekspertëve të Crown Agent kur mbërritën për herë të parë në Shqipëri në fund të vitit 2013 Iu ka bërë përshtypje numri i madh i automjeteve me targa të huaja, kryesisht targa britanike, por edhe italiane, amerikane e të vendeve të tjera.
“Kemi zbuluar mbi 1058 raste të tilla dhe në 90% të tyre besojmë se qëllimi i përdorimit të regjimit të përkohshëm ka qenë për të shmangur pagesën e taksave për importin e automjetit” thuhet në një përmbledhje zyrtare që Crown Agtens, kompania e konsulencës në dogana ka bërë në mbyllje të misionit në Shqipëri. Megjithatë, pasojat shkonin shumë më larg se sa thjesht mashtrim i thjeshtë me të ardhurat, shpjegojnë britanikët.
Jo vetëm që për këto automjete nuk ishin paguar taksat e duhura, por ato as nuk ishin regjistruar në Shqipëri dhe nuk ishin objekt i kontrolleve vjetore për sigurinë e automjetit dhe në shumë raste nuk kishin siguracion të vlefshëm, referohet në raport. “Sigurisht që nuk ekzistonin as në sistemin kombëtar të regjistrimit e për rrjedhojë policia nuk mund të gjurmonte pronarët e tyre në rast se ata kryenin shkelje si dhe shumë prej targave britanike ishin ose të falsifikuara ose të skaduara”, sqaron Crown.
Vetëm në rrugët e Tiranës kemi larguar mbi njëmijë automjete të paregjistruara, për të cilat nuk ishin paguar taksat e figuracioni, ndaj kemi hartuar gjithashtu një Udhëzim të ri, i cili është firmosur nga drejtori i Përgjithshëm, ku jepet më shumë qartësi dhe transparencë rreth kushteve të regjimit, referojnë ekspertët e Crowns. Në maj 2014, një grup operacional i Crown Agents hyri në ambientet e një varreze makinash në zonën e Kombinatit, në Tiranë.
Kjo u pasua nga identifikimi i një sërë automjetesh tregtare të pajisura me targa britanike, të cilat qëndronin të parkuara jashtë. Gjatë kontrollit të ambienteve, grupi operacional mundi të identifikojë edhe një sasi të konsiderueshme pjesësh këmbimi për makina, përfshirë motorë dhe parakolpe të cilat mbanin ende targa britanike. Pronari i varrezës pranoi se nuk ishin paguar detyrimet e importit për asnjë nga automjetet që ndodheshin në ambientet që ai zotëronte.
Ai gjithashtu pranoi se parakolpet me targa britanike u përkisnin disa automjeteve të tjera të cilat kishin hyrë në Shqipëri pa paguar detyrimet, e që ishin blerë (në mënyrë të jashtëligjshme) nga importuesi i parë. Ishte e qartë që ky biznes kishte qenë i përfshirë për një kohë të gjatë në blerjen e automjeteve të importuara nga palë të treta me qëllim çmontimin e tyre për pjesë këmbimi. Ambientet e varrezës u bllokuan dhe detajet e këtij rasti iu kaluan Departamentit Hetimor për procedim të mëtejshëm.
Të gjitha mallrat qëndrojnë tashmë të bllokuara e nën kontrollin e Doganave deri sa ky rast të zgjidhet. “Pas këtij rasti, u gjetën disa ambiente të tilla rreth e qark zonës së Tiranë të cilat kryenin aktivitete të ngjashme (p.sh. automjete me targa të huaja të çmontuara për pjesë këmbimi) pra, automjete që ishin importuar nën Regjimin e Lejimit të Përkohshëm (duke shmangur detyrimet e importit).
Në njërin prej këtyre rasteve u kërcënua edhe familja e njërit prej këshilltarëve tanë nga ana e një shtetasi shqiptar i cili jetonte në Britaninë e Madhe dhe furnizonte një varrezë me makina. Ne mundëm të koordinoheshim me autoritetet britanike dhe ndërmorëm të gjithë hapat e nevojshëm”, thuhet në raport. Monitor