Protesta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijon edhe këtë të premte, duke shënuar ditën e 48-të radhazi.
Qytetarët po mbledhen në sheshin “Skënderbej”, prej nga do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimin e përditshëm.
Gjatë protestës pritet të mbahen fjalime dhe të përcillen mesazhe kundër, sipas organizatorëve, keqqeverisjes, korrupsionit dhe vështirësive ekonomike e sociale me të cilat përballen qytetarët.
Protestuesit ritheksojnë se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e saj.
Organizatorët deklarojnë se protesta do të vazhdojë çdo ditë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve t’i bashkohen asaj, duke e cilësuar si një lëvizje qytetare që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.














