Tre punonjëse të Postës Shqiptare në Durrës janë ndaluar nga policia, pas dyshimeve për shkelje detyre dhe abuzim me fondet e institucionit.
Në pranga kanë përfunduar drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana.
Sipas hetimeve paraprake, tre punonjëset janë përballur me akuzat e ngritura nga institucioni për shkelje detyre dhe parregullsi në administrimin e vlerave monetare.
Ngjarja u bë publike një ditë më parë, pasi pas një kontrolli të zhvilluar në filialin e Postës në Durrës u konstatuan probleme në menaxhimin e fondeve. Sipas të dhënave paraprake, dëmi i dyshuar financiar arrin në rreth 700 mijë euro.
Në një reagim zyrtar, Posta Shqiptare bëri të ditur se gjatë kontrolleve të brendshme janë evidentuar shkelje dhe parregullsi që lidhen me administrimin e fondeve për shërbimet e pagesave.
Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohet përgjegjësia ligjore e personave të përfshirë.
LEXO EDHE:
Dyshimet për abuzim 3 milionë euro, shkarkohet drejtoresha e Postës së Durrësit














