Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë hapa të mëtejshme për sigurinë e të miturve online. Sipas rregullit të ri, rrjetet sociale nuk do të lejohen nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit për të gjithë të miturit deri në moshën 17-vjeçare.
Kështu, funksionet e tipit lëvizja e pafundme (scrolling) dhe videot që luhen automatikisht do të çaktivizohen.
Qeveria angleze arsyeton se një masë e tillë mbron përdoruesit e rinj nga efektet e përdorimit të platformave gjatë gjithë natës.
“Këto masa janë thelbësore pasi do t’i ndihmojnë të rinjtë të flenë mjaftueshëm, të përqendrohen në shkollë dhe universitet, si dhe të kalojnë më shumë kohë cilësore me familjen dhe miqtë e tyre”, tha Ministrja e Teknologjisë, Liz Kendall.
Një raport qeveritar i publikuar të mërkurën, 15 korrik, zbuloi se kufizimet në mediat sociale kanë çuar në përmirësime në gjumë, përqendrim dhe mirëqenie. Ai gjithashtu zbuloi se një kufizim natën është masa më e lehtë për t’u zbatuar për përmirësimin e gjumit.













