Nga Boldnews.al
Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të Enjte që ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nuk është më e detyruar të qëndrojë e mbyllur në një nga pesë shtëpitë e deklaruara zyrtarisht prej saj.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për daljen jashtë shtetit” për Karçanajn, e dyshuar për “korrupsion pasiv” në kuadër të “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në 16 Dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit për Mirlinda Karçanaj, e cila në kohë mbante postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shooqërisë së Informacionit (AKSHI). Bashkë me Karçanaj, masa u caktuan edhe për zëvendësen e saj, Hava Delibashi, për sipërmarrësit Ermal Beqiri, Ergys Agasi, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta, Andis Papa, si edhe për oficerin e policisë, Erion Ismaili.
Goditja e SPAK-ut tek “AKSHI” shkaktoi reagimin e fuqishëm të kryeministrit Edi Rama. Një reagim, që duket i kuptueshëm, nëse kujtohen fjalët e ish-zëvendësit të tij, Arben Ahmetaj, i cili e konsideroi këtë institucion si “kopshti privat” i kryeministrit.

Në një dalje publike, Rama u detyrua të mbrojë vartësen e tij, Karçanaj, me të dhëna të rreme. “Në krye të skuadrës së AKSHI-t është një grua që ka respektin e padiskutueshëm. Linda Karçajan, që ka një masë sigurie, me një shtëpi me qira ku jeton, pasi më parë jetonte në një shtëpi të postkomunizmit në banesën e prindërve të tij”, deklaroi Rama në një konferencë për fundvitin me median.
Por, një raportim i mëvonshëm i “Boldnews.al” tregoi se Mirlinda Karçanaj, jo vetëm që nuk ishte një e pastrehë që jetonte “me qira”, por ajo dhe familja e saj kishin në zotërim pesë apartamente, në Tiranë dhe në bregdet.
Liria nga Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë shqyrtoi mesditën e datës 7 maj 2026 rekursin e dorëzuar për ndryshimin e masave të sigurimit, të dorëzuar nga Mirlinda Karçanaj, si edhe Hava Delibashi, Andis Papa, Roger Rryta, Erion Ismaili dhe Gëzim Hoxha, ky i fundit vëllai i Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.
Në vendimin e tij, Kolegji Penal vendosi ndryshimin e masës së sigurimit për Karçanaj, ndërkohë që la në fuqi vendimet për “pezullim nga detyra” për zyrtarin policor, Erion Ismaili, si edhe “ndalim dalje jashtë shtetit” për të tjerët.

Tashmë, Karçanaj, e cila u shkarkua nga drejtimi i AKSHI-t në shkurt të këtij viti, do të duhet të paraqitet dy herë në muaj para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Sekuestro 40 mln euro pasuri
Rreth dy javë më parë, Prokuroria e Posaçme mori lejen e gjykatës për sekuestrimin e rreth 40 milionë eurove pasuri të paluajtshme e të luajtshme në pronësi të personave të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal “AKSHI”.
Ndër pasuritë e sekuestruara janë apartamente, troje, ullishte, automjete e llogari bankare.
LEXO EDHE:
Dosja AKSHI/ SPAK sekuestron mbi 40 mln € pasuri, Karçanajt i bllokohen prona e llogari bankare
Mashtrimi i Ramës: “Mirlinda Karçanaj jeton me qira”. Drejtoresha e AKSHI-t ka 5 shtëpi (dokumentat)














