Kreu i PD, Sali Berisha, reagoi pas protestës kombëtare të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke e cilësuar atë si “një ditë triumfi” për mbështetësit e opozitës.
Në një komunikim me qytetarët, Berisha tha se protestuesit u përballën “dhëmb për dhëmbë” me atë që ai e quajti “narkoshtet”, ndërsa e përshkroi tubimin si një betejë epike kundër qeverisë.
“Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë, që u përballën dhëmb për dhëmbë, për tre orë, me narkoshtetin, në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe vjedhjeve të tyre të papërmbajtura. Guximi i kryengritësve ishte i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Berisha deklaroi se janë përdorur mjete të forta të shpërndarjes së turmës, përfshirë plumba gome dhe gaz lotsjellës, duke shtuar se dhuna nga ana e policëve nuk kurseu as të miturit.
“Protestuesit u qëlluan me snajperë, me bombola gazi pas koke, madje edhe me shkelma në kokë. Dënoj me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin policor.
Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve me bombola gazi pas koke njërit prej tyre, në gjoks, deputetit të PD-së, Laçiano Boçi dhe të tjerëve me plumba gome, me gaz. Garantoj Edi Ramën se në të gjitha këto do të jetë përgjegjës”, tha ai.














