Një 42-vjeçar i identifikuar si Dritan Ferrunaj është arrestuar nga Policia në Portin e Durrësit, pasi është kapur me drogë, armë dhe para të padeklaruara.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë të hyrjes në Portin e Durrësit, në një autobus të drejtuar nga Dritan Ferrunaj, 42 vjeç, banues në Vlorë, u gjetën dhe sekuestruan: 92 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të fshehur në një çantë marsup, bizhuteri të dyshuara floriri, 29 000 euro të padeklaruara, të gjetura brenda një çante shpine në autobus si dhe një armë zjarri tip pistoletë, së bashku me pesë krehra.
Drejtuesi i autobusit u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për një sërë veprash penale:
-
Trafikim i lëndëve narkotike;
-
Trafikim i armëve dhe municionit;
-
Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara;
-
Kontrabandë me mallra të akcizës dhe mallra të licencuara;
-
Mosdeklarim i të hollave në kufi;
-
Pastrimi i produkteve të veprës penale;
-
Fshehja e të ardhurave.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.














