Përtej flamujve dhe sloganeve kombëtare, qëndron një rrjet interesash ekonomikë të lidhur me Grupin Kastrati, një koncesion pa garë dhe një kompani ajrore që nuk ekziston realisht.
Gjatë ceremonisë për nisjen e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, Kryeministri Edi Rama deklaroi se në Aeroportin e Kukësit do të fillojë operimin një kompani ajrore e re me emrin “Air Kosova”. Ai u shpreh se është regjistruar një kompani shqiptare e re, që do të ketë bazën e saj në Kukës dhe do të ofrojë fluturime për qytetarët nga Kosova në mënyrë të posaçme.
Në pamje të parë, “Air Kosova” ngjan si një linjë ajrore e re, e krijuar për të forcuar lidhjet Shqipëri-Kosovë dhe për të gjallëruar Aeroportin e Kukësit. Por faktet tregojnë se ajo është thjesht një produkt brenda grupit që operon vetë aeroportin, pa asnjë investitor të ri dhe asnjë lidhje reale me Kosovën.
Por pas skenës patriotike dhe simbolikës së thellë emocionale, fshihet një realitet shumë më i ftohtë. Kompania nuk është as kosovare, as një linjë ajrore në kuptimin ligjor dhe ekonomik të fjalës. Në fakt, ajo është një zgjatim i drejtpërdrejtë i vetë koncesionarit të Aeroportit të Kukësit, një koncesion i dhënë pa garë reale dhe me lidhje me Grupin Kastrati.
Aeroporti i Kukësit, i ndërtuar fillimisht si dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe për Kosovën pas luftës së vitit 1999, iu rikthye vëmendjes në vitin 2018 kur qeveria shqiptare pranoi një propozim të pakërkuar për koncesion nga një bashkim kompanish të lidhura me Grupin Kastrati dhe partnerë të tjerë teknikë. Qeveria u dha 8% bonus ofertuesit, sipas praktikës së tenderëve të tillë, por kur u hap gara, grupi propozues nuk mori pjesë fare. Në vend të tij garuan vetëm dy kompani: Bami shpk dhe Global Technical Mechanics, të cilat rezultuan fituese për mungesë konkurrence.
“Air Kosova” dhe Aeroporti i Kukësit

Në një fjalim të gjatë, përballë punonjëseve të administratës shtetërore dhe kompanisë ajrore të zotëruar nga Behgjet Pacolli, kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen së shpejti të fluturimeve edhe në Aeroportin e Kukësit.
“Tani ju të Kosovës do të prekeni në mënyrë të posaçme. Një kompani e re shqiptare që do të nisë së shpejti për të mos ndaluar më fluturimet në Aeroportin e Kukësit.
“Air Kosova do të jetë kompania tjetër shqiptare” – tha Rama.
Sipas Kryeministrit, po punohet për sigurimin e avionëve dhe përgatitjet e para-operimit, por Ai nuk dha një datë të saktë për nisjen e fluturimeve.
“Këto data kur i them, më sjellin sy të keq”, shtoi Rama duke njoftuar se kjo kompani është regjistruar në janar 2025 dhe do të ketë si bazë operacionale Aeroportin e Kukësit.
“Ka nisur puna prej kohësh dhe në janar është regjistruar zyrtarisht një kompani e re shqiptare. Tani ju të Kosovës do të prekeni në mënyrë të posaçme. Një kompani e re shqiptare që do të nisë së shpejti për të mos ndaluar më fluturimet në Aeroportin e Kukësit. “Air Kosova” do të jetë kompania tjetër shqiptare dhe këto dy avionë do të jenë avionët e krenarisë sonë të përbashkët. Air Albania që do të ketë bazën e vet dhe Air Kosova që do të ketë bazën e vet në Kukës”, tha Rama.
Dokumentet tregojnë se kompania është pjesë e së njëjtës rrjetë interesash që kontrollon Aeroportin e Kukësit, me lidhje të thella me biznesin e fuqishëm të hidrokarbureve në Shqipëri, konkretisht me Grupin Kastrati.
Personazhi kyç që lidhet si me koncesionin, ashtu edhe me Air Kosova, është Ridgers Mema.
Edhe pse në publik paraqitet si sipërmarrës i ri, ai rezulton të ketë pasur më parë aksione në kompani të tjera të lidhura me Grupin Kastrati, përfshirë Al Global Oil, që bleu uzinën e bitumit në Fier, dhe AK Trade International Oil, ku në bord është shfaqur edhe Shefqet Kastrati vetë, së bashku me ish-deputetin Alket Hyseni.
“Air Kosova” është regjistruar në fillim të vitit 2025 me administrator Ridgers Mema, i cili njëkohësisht është edhe drejtues i Aeroportit të Kukësit.
Aksioneri i vetëm është kompania Global Technical Mechanics, e zotëruar nga Mema dhe e njëjta njëjta që fitoi koncesionin e aeroportit. Nuk ka asnjë pronar kosovar, as ndonjë investitor të huaj strategjik. Nuk ka flotë të vetën, nuk ka licenca operimi si kompani ajrore më vete, është thjesht një emër i stampuar mbi një avion.
Administrator i “Air Kosova” është Ridgers Mema, i njëjti person që menaxhon dhe kompaninë koncesionare të aeroportit, “Kukës International Airport”.
Shoqëria është krijuar për zbatimin e kontratës së koncesionit për “Rikonstruksionin, Operimin dhe Transferimin e Aeroportit të Kukësit”, me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktues. Objektivi është menaxhimi i aeroportit dhe çdo veprimtari ndihmëse e lidhur me të.
Aeroporti i Kukësit u inaugurua me ceremoni të bujshme në prill 2021, në prag të zgjedhjeve parlamentare, dhe u hap zyrtarisht për fluturime më 9 korrik të po atij viti. Ai u promovua nga kryeministri Edi Rama si një qendër zhvillimi që do të sillte vende pune, turizëm dhe biznes në verilindje të vendit.
Në muajt korrik-shtator 2021, në këtë aeroport operuan dy linja ajrore , “Helvetic Airways” dhe “Air Albania”, me fluturime përkatësisht nga Zyrihu dhe Stambolli.
Megjithatë, pas përfundimit të sezonit turistik, aktiviteti ajror në Kukës ra ndjeshëm. Deri në mesin e shtatorit, mbeti vetëm një fluturim në javë, dhe më 21 tetor 2021 ku u regjistrua fluturimi i fundit.
Në vitin 2018, qeveria shqiptare hapi procedurën për dhënien me koncesion të Aeroportit të Kukësit. Fillimisht, një propozim i pakërkuar nga Grupi Kastrati & TMD Systems u pranua nga Këshilli i Ministrave, të cilëve u dhanë edhe 8% bonus konkurrimi. Megjithatë, në mënyrë të habitshme, ky grup nuk mori pjesë fare në tenderin përfundimtar.
Ofertuesit e vetëm ishin dy kompani pa përvojë në aviacion: Bami shpk, ndërtimi dhe Global Technical Mechanics, kompani e sapokrijuar, pa asnjë aktivitet konkret.
Të dyja kompanitë fituan automatikisht, pa konkurrencë reale.
/ Lindita Çela / Shteg.org