Kur doli nga zyra në Bashki në datën 10 shkurt, i shoqëruar nga një grup efektivësh, Erjon Veliaj po hidhte hapat e parë si një njeri që e kishte humbur lirinë. E megjithatë ndërsa i afrohej makinës që do ta çonte në drejtorinë e policisë dhe më pas në qeli, ai eci i qetë, nuk shfaqi ndonjë veprim të pakontrolluar dhe thjesht shtrëngoi në duar dosjen, që e kishte marrë sa për t’u dukur sikur po dilte si zakonisht i shpenguar nga zyra, për një çështje pune.
Por realiteti tregoi se që nga momenti që pati kontaktet e para me prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH, kryebashkiaku i Tiranës veproi si një njeri që nuk e ka veten nën kontroll, si një njeri që bën hapa false, të llogaritura keq, me të cilat dogji edhe ato pak shpresa që kishte për t’u gjykuar i lirë.
Lapsi,al ka analizuar disa nga autogolat që ka bërë Veliaj që kur nisi hetimi për të vitin e kaluar, kur ai filloi ta ndjejë se toka po i rrëshqiste nën këmbë dhe për ta ndaluar këtë rrëshqitje, u shndërrua në një njeri të gatshëm për të bërë gjithçka.
Është pikërisht kjo frikë, ky alarmim se mund ta humte pushtet kolosal që kishte pas vetes, që e çoi drejt disa veprimeve të dëshpëruara, që më vonë iu përdorën kundër dhe u shfrytëzuan nga prokurorët për ta mbajtur në burg.
1) Provokimi i parë, kur i quajti prokurorët “kolegë”
Në kontaktet e para që pati me prokurorët, Erjon Veliaj tentoi një qasje pozitive me prokurorët, një fjalë të ëmbël, një përkëdhelje, një kompliment para mediave me idenë që gjithçka mund të mbyllej në qetësi. Për habinë e të gjithëve, kur doli nga SPAK herën e parë pas 7 orësh që ishte marrë në pyetje, Veliaj tha se kishe takuar “kolegët” dhe se ishte ofruar për të dhënë dëshminë e tij në SPAK, sepse për të ndihmuar hetimet Bashkia e Tiranës duhet të kishte një qasje “proaktive”. Ai tha se kishte gjetur njerëz “profesionistë” brenda në institucion dhe se PS kishte bërë shumë mirë me këtë investim. Çështja është që epiteti “kolegë” nuk u pëlqeu prokurorëve. Në publik ata dilnin si ca leshko të keqpërdorur nga kryebashkiaku, ndaj nuk ishte rastësi që në muajt në vazhdim, bënë gjithçka për t’ia zhdukur nga fjalori këtë term.
2) Mbajtja e shumave të mëdha cash
Harrojini për një moment qindra mijëra euro fustane, këpucë dhe bizhuteri të blera me porosi për Ajola Xoxën! Harrojini edhe kompanitë fantazëm, edhe sponsorizimet e biznesmenëve të ndërtimit! Po këta dy të dehur nga pushteti, si nuk i fshehën paratë cash, kur mësuan se ishin nën hetim pasuror nga SPAK? Si shpjegohet që në zyrën e Ajola Xoxës u gjetën 95 mijë euro, të gjitha prerje pesëqindëshe? Si shpjegohet që nuk kishin menduar t’i fshihnin këto para? Apo ishin ende shumë të sigurtë që SPAK nuk do të guxonte kurrë të hynte pa trokitur në kasafortat e tyre? Gazetarët thanë se 500 euro ishin duke u mykur në kasafortat e Ajola Xoxës dhe përveç tyre kishte edhe 15 mijë dollarë dhe 665 mijë lekë cash, që prokurorët sot i kanë sekuestruar si provë kundër tyre.
3) Intimidimi i dëshmitares Ina Goxhaj
SPAK e akuzon Erjon Veliajn se nëpërmjet kompanive të bashkëshortes së tij Ajola Xoxës merrte ryshfet nga biznesmenët e ndërtimit. Në dosje janë edhe dëshmitë e punonjëseve të Ajola Xoxës edhe bisedat e tyre në ëhatsapp. Njëra prej tyre është Ina Goxhaj e cila pasi u rrëfye në SPAK, ka dëshmuar se si Ajola Xoxa dhe deputetja e PS, Klotilda Bushka i kanë bërë presione për të mos dëshmuar. Madje Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka i morën edhe celularin Samsung, i dhuruan një Iphone të ri dhe e instruktuan të thoshte në prokurori se nuk kujtonte detaje nga puna e saj. Vetëm se të gjitha këto, Ina Goxhaj i tregoi në SPAK duke përkeqësuar situatën e të pandehurve.
4) Mesazhi për agjentin e BKH
Një nga arsyet se përse Erjon Veliaj është në qeli, sipas SPAK është intimidimi i agjentit të BKH që ishte i ngarkuar për të marrë në pyetje të Ajola Xoxës. Pasi kërkoi paraqitjen e Ajola Xoxës në SPAK, agjenti u përball me mesazhet nga Erjon Veliaj që kërkonte ta linin bashkëshorten e tij të qetë. Më vonë Veliaj tregoi se i kishte shkruar efektivit të BKH në kushtet kur bashkëshortja e kishte telefonuar e traumatizuar për një seancë të re pyetjesh në SPAK. Veliaj madje e ka pranuar që i ka shkruar agjentit të BKH, duke e ironizuar atë në Facebook.
5) Sulmi publik ndaj Ols Dados dhe Erjon Banit
Menjëherë pas arrestimit, Erjon Veliaj ka shpërthyer në ofendime dhe sharje kundër prokurorit Ols Dado dhe gjykatësit Erjon Bani. Përdorimi i epiteteve si “budallenj”, “violinë”, “shejtan budalla”, “llum”, “palaço” “kasap” etj ishte një strategji me të cilën Erjon Veliaj synonte që të zbythte gjykatësin Engert Pëllumbi, që kishte në dorë vendimin për burgosjen apo jo të tij në Apel. Vetëm se mllefi dhe sharjet, vetëm sa e përkeqësuan situatën. Gjykatësi Engert Pëllumbi la në fuqi të njëjtin vendim, jo vetëm në bazë të arsyetimit të gjykatësit Erjon Bani, por edhe duke parë atë shpërthim kërcënimesh dhe sharjesh nga kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës.
6) Protesta e rrogtarëve të bashkisë para SPAK
Me protestën që organizoi para SPAK ditën kur do të konfirmohej masa e tij e arrestit, Erjon Veliaj tentoi të tërheqë në mbrojtje të tij, forcën politike që deri në atë moment i kishte falur gjithçka. Vetëm se Partia Socialiste nuk iu përgjigj. Madje rreshtimi i forcave të policsë bashkiake përballë prokurorisë dhe gjykatës ishte pika që derdhi gotën. Në mbrëmje vonë, një pjesë e protestuesve nisën të shtyjnë makinat e prokurorëve dhe gjykatësve dhe i bllokuan rrugën në dalje. SPAK e konsideroi protestën si “rrezikim i jetës” së magjistratëve. Sapo mori frenat e Bashkisë, Edi Rama e bëri të qartë se protesta nuk do të përsëritet më, duke e lënë Veliajn të vetëm përballë gjykatësve dhe prokurorëve që u ndjenë të rrezikuar për jetën e tyre.
7) Bisedat e përgjuara, kërcënimet për zyrtarët e burgjeve
Një gafë e pafalshme për kryetarin e bashkisë së Tiranës janë bisedat që ai ka zhvilluar me të vellain e tij, Arbër Veliaj nga qelia e paraburgimit në Durrës. Për çdo të paraburgosur, çështja e të cilit ka rëndësi të veçantë, dihet tashmë që përdoret përgjimi ambjental dhe telefonik nga prokuroria. Por Erjon Veliaj ndoshta nuk e ka besuar se do të trajtohej si një i paraburgosur i zakonshëm. Në komunikimet me të vëllain ka artikuluar kërcënime për zyrtarë të burgjeve që i kishin kontrolluar qelinë dhe për një ministër të qeverisë që e kishte zhgënjyer me trajtimin që i kishin bërë. Kuptohet se dalja e përgjimeve nuk e përmirësoi situatën e tij në qeli.
8) Ndërsimi i mediave ndaj prokurorëve dhe gjykatësve
Në të njëjtat telefonata, Erjon Veliaj ka instruktuar të vëllain se si të dirigjojë sulmet ndaj prokurorëve dhe gjykatësve duke përdorur mediat që ka në shërbim. Fuqia financiare dhe pushteti i kryebashkiakut është pranuar edhe në arsyetimin e gjykatësit Erjon Bani, si rrezik për të ndikuar në hetime. Me përgjimet nga qelia që i “dhuroi” prokurorisë, Veliaj vetëm sa e ka konfirmuar këtë pretendim të prokurorëve.
9) Biseda me telefonin e policit
Njerëzit e dëshpëruar kryejnë veprime të dëshpëruara. Në kushtet e një izolimi ekstrem, kur iu ndërprenë privilegjet si një i burgosur “special”, Erjon Veliaj ka kryer një veprim që rezultoi të ishte autogoli i radhës. Ndërsa udhëtonte me furgonin e policisë nga qelia e Durrësit drejt Gjykatës së Posaçme të Tiranës, ai i mori njërit prej policëve telefonin dhe komunikoi me familjarët e tij. Meqënëse këta ishin nën përgjim, SPAK zbuloi telefonatën dhe arriti tek një prej policëve që shoqëronin Veliajn nga Durrësi në Tiranë. Pas verifikimit, për Veliajn u shtua një akuzë e re që është ajo e futja e sendeve të paligjshme në qeli.
10) Shkarkimi i nënkryetares Anuela Ristani
Ndërsa lufta me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme po shkon drejt humbjes, shpresa e fundit e Veliajt është mbështetja politike që ka nga Edi Rama. Por siç duket, edhe për kryeministrin, Veliaj ka pasur dyshime ndaj disa ditë më parë, tentoi të largonte nga Bashkia e Tiranës, Anuela Ristanin e cila kishte nisur të bashkëpunonte ngushtë me Edi Ramën. Me një shkresë nga qelia, Veliaj zëvëndësoi Anuela Ristanin me Sara Goxhajn, bashkëjetuesen e një prej besnikëve të tij, Alban Dokushin. Mosbindja nuk zgjati as 24 orë. Veliaj u tërhoq me bisht ndër shalë dhe kërkoi ndjesë pas raprezaljes së Ramës në bashki. Por ky veprim shtoi në mënyrë të panevojshme, krisjen mes tij dhe Edi Ramës.
11) Lobimi 300 mijë dollarësh për avokat në USA
Së fundmi, u mësua se për të përmirësuar situatën e tij me drejtësinë, Erjon Veliaj ka lobuar në Shtetet e Bashkuara me një shumë prej 300 mijë dollarësh. Lëvizja duket se ia përkeqëson imazhin. A mundet një zyrtar publik që pretendon se nuk është i korruptuar, të shpenzojë 300 mijë dollarë për një lobim jashtë vendit? Ndoshta krahasuar me faturat e Ajola Xoxës, 300 mijë dollarë mund të jenë pak, por në sytë e qytetarëve kjo është një shumë kolosale që forcon perceptimin e korrupsionit. Dhe dihet se ndonjëherë perceptimi në Shqipëri është më i rëndësishëm se faktet.
/Lapsi.al