Metamorfoza e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Nga fitorja e bashkisë në vitin 2007, në kthimin e tij me bekimin e Edi Ramës si numrin 1 i qarkut më të rëndësishëm në vend. I tërhequr zyrtarisht nga PS, Dako është i vetmi rast që kryeministri Rama nuk e anatemoi si pjesën tjetër të ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë që u përballën me drejtësinë.
Me 308 vota më shumë se rivali Armand Teliti, kandidati i PS-së Vangjush Dako ishte befasia më e madhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Fitoi Bashkinë Durrës, dy vite pasi e majta ishte dërmuar në këtë qytet. Sot, 17 vite më pas, Dako qëndron në “arrest shtëpie”, duke pasur llogari të hapura me drejtësinë shqiptare dhe njëkohësisht është një nga tre personat e parë të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të paktën dy episode, Vangjush Dako del në disa përgjime të grupeve të struktura kriminale, veçanërisht me ata të Shijakut, por akuzat ndaj tij nuk kanë lidhje me atë që shumë flasin në qytetin bregdetar të Adriatikut, por edhe përtej Atlantikut.
Pavarësisht akuzave publike për lidhje me grupe kriminale të organizuara dhe shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me motivacionin për “korrupsion madhor”, SPAK e akuzon Vangush Dakon vetëm për “shpërdorim detyre”, vepër penale që dyshohet ta ketë kryer në dy raste gjatë kohës kur drejtonte Bashkinë e Durrësit.
Akuzat ndaj Dakos
Dikur Vangjush Dako shihej me “zili” në radhët e socialistëve, për shkak se konsiderohej një prej njerëzve më të besuar të kryeministrit, ndërsa qarku Durrës, fitonte bindshëm vota nën drejtimin e tij. Zbulimi i përgjimeve të dosjes së bujshme 339, ku Dako bisedonte me pjesëtarëve të grupit Avdylaj nga Shijaku, të cilët dyshohen se ndikuan dhe në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 2017, duket se ndikoi që karriera e Dakos të merrte tatëpjetën vetëm zyrtarisht, pasi “de facto” vijoi të ketë ndikimin e tij.
Në korrik të 2019, departamenti i shtetit njoftoi publikisht se ish-kryebashkiakut të Durrësit dhe familjes së tij i ndalohej hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës”.
Vendimi i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo bënte me dije se Dako penalizohej për shkak të përfshirjes në korrupsion. Sipas njoftimit ligji i lejon Sekretarit të Shtetit të vendosë këtë sanksion “Kur ka informacion të besueshëm që zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose në kanë dhunuar të drejtat e njeriut”.
Në listë, ishin përfshirë fëmijët dhe bashkëshortja e tij të cilëve u ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E ndërsa DASH e përshkroi vendimin për Dakon si “një sinjal i fortë i angazhimit të SHBA kundër korrupsionit”, kryeministri Edi Rama do të deklaronte hapur miqësinë e tij më kryebashkiakun e Durrësit.
“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit Amerikan kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër, do jetë miku im,” – do të shprehej Rama në shkurt 2020 në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Po në këtë vit, nga Prokuroria e Posaçme do të merrej nën hetim kryebashkiaku, por jo për veprat penale për të cilat ai përflitej qoftë edhe nga Departamenti i Shtetit.
Hetimi penal ndaj Dakos nisi mbi bazën e një kallëzimi të banorët e një pallati në lagjen nr.5 në Durrës, ndërtuar nga shoqëria “Fakle shpk”, i cili kishte pësuar dëmtime nga tërmeti.
Sipas prokurorisë, Vangjush Dako e zbardhi lejen e ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle shpk”, dy vite pasi pallati kishte përfunduar dhe banorët kishin nisur të banonin në të. Këto veprime të Dakos të kryera në kundërshtim me ligjin i hapën rrugë legalizimit të objektit të ndërtuar pa leje. Ndërsa rezulton se pallati nuk është ndërtuar bazuar në projektin e dorëzuar nga ndërtuesi, dokument që rezulton të jetë miratuar nga Bashkia.
Rasti i dytë i hetuar nga prokurorët e për të cilin u kërkua që ish-kryebasiaku Dako të shpallej fajtor lidhet me procedure e prokurimit “projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, që u kallëzua nga Ferdinand Xhaferri kryetar i PD-së dega Durrës. Sipas akt-akuzës, Vangush Dako ka urdhëruar ngritjen e një komisioni duke u përcaktuar detyra konkrete, si termat e referencës dhe përllogaritjen e fondit limit.
Prokuroria arsyeton se gjatë hetimeve është provuar se fondi limit nuk është përcaktuar sipas kritereve të asnjë procedure ligjore, mbi bazën e asnjë llogaritje konkrete logjike por në mënyrë deri diku “arbitrare”.
“Si pasojë e këtij veprimi në kundërshtim me VKM shoqëria projektuese SPHAERA ka përfituar padrejtësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Bashkisë vlerën prej më shumë se 18 mln lekësh”, thekson SPAK.
Prokurori Sotir Kllapi thotë se pavarësisht se shkeljet janë konstatuar nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, Vangjush Dako nuk ka marrë asnjë masë ligjore për rikuperimin e dëmit dhe ka vijuat me zbatimin e kontratës.
Arrestimi
Vangjush Dako u arrestua pasditen e 6 qershorit 2023 në qytetin e Durrësit, mbi bazën e një urdhër arrestit të Prokurorisë së Posaçme. Ai u shoqërua për në qelitë e izolimit në Tiranë për tu përballur dy ditë më vonë me gjykatën e ku iu komunikua masa e sigurisë.
Ndryshe nga zyrtarët e tjerë të lartë që kur përballen me drejtësinë “braktisen” nga mbështetësit, krejt ndryshe ndodhi me Vangjush Dako. Kur ish-kryebashkiaku doli për herë parë para gjykatës, jashtë dyerve të godinës së xhamtë ishin mbledhur shumë miq e mbështetës të tij.
Qëndrimi në qeli për ish-kryebashkiakun nuk zgjati shumë.
Tetë muaj më vonë, ai u lirua nga paraburgimi, pasi gjykata zbuti masën e sigurisë për atë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, për shkak se prokuroria nuk mundi të përfundojë hetimet brenda afateve ligjore. Arsyet e këtij “dështimi” të prokurorisë janë të paqarta, por kjo shërbeu që Dako të shlyej “masën e arrestit” në ambjentet e shtëpisë së tij në një nga pallatet shumëkatëshe pak metra nga Torra Veneciane në Durrës.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës shpalljen fajtor të ish-kryebashkiakut të Durrësit dhe dënimin e tij me 4 vite heqje lirie. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ndaj Dakos ulet në 2 vite e 8 muaj burg. Gjatë shpalljes së pretencës, Dako nuk ishte i pranishëm dhe pse që nga shkurti 2024 ai mbahet në arrest shtëpie.
Për tre bashkë të pandehurit e tjerë në të njëjtin proces, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 3 vite burg për secilin, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ky dënim reduktohet në dy vite burg për secilin, përderisa iu nënshtruan gjykimit me procedurë të shkurtuar.
Prokurori Sotir Kllapi kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit për të tre këto të pandehur, teksa argumentoi para gjyqtares Elsa Ulliri, se ata kanë pranuar fajësinë, ndërsa vuri në dukej moshën e tyre të thyer, problemet shëndetësore të tyre dhe pjesëtarëve të familjes. Në seancës e radhës që pritet të zhvillohet më datë 26 nëntor Dako dhe të pandehurit e tjerë pritet të paraqesin argumentet e mbrojtjes.
Non grata
Që nga viti 2007 e deri më sot, dikur bastioni i së djathtës, Durrësi u kthye në kontrollin e plotë të Partisë Socialiste. Ishte pikërisht Vangjush Dako që kuptoi se forma për të qenë në pushtet nuk ishte vetëm “programi i mirë i partisë” por përzgjedhja e disa individëve me shumë ndikim ekonomik, politik, dhe njohës së botës së zezë të krimit.
Dako ishte një ndër emrat më të akuzuar nga opozita për përfshirje në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017 duke përdorur krimin e organizuar. Ai po ashtu rezulton i përgjuar në një sërë bisedash me vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli si pjesë e hetimit të njohur si “Dosja 339”, të arrestuar dhë nën akuzë për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal.
Ndërsa në vitin 2019, Departamenti Amerikan i Shtetit e sanksionoi Vangush Dakon person të padëshirueshëm dhe i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara me motivacionin për korrupsion madhor.
Dako i mohoi akuzat. “Jam njeri me ndjenja, jam njeri që kam reputacion, jo në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë. Me njohin njerëzit, për akullore, unë jam akullore, i shikon këto duar, janë akullore këto. S’kam prekur as drogë, as pistoleta, as lekë të pista” – do të deklaronte ai gjatë një interviste televizive.
Më shumë se për t’i mbushur mendjen “votuesve të tij” se ishte i pastër, Dako qëllonte më larg, për të kuptuar sjelljen e kryeministrit ndaj tij. Në fakt Rama ndryshe ngase ka bërë me të tjerët, qoftë edhe një herë të vetme nuk e ka anatemuar Dakon.
Rama ka një arsye shumë madhore për të mos e anatemuar mikun e tij dhe këtë arsye në mënyrë direket e ka thënë vetë Dako.
“Unë lëviz vetëm me një shofer, shoferin tim. S’më përballon dot njeri. Në fushatë jam supermen. Bëj takime me 20 vetë, me 50 vetë”, deklaroi atëkohë Dako.
Për për implikimet e tij me botën e krimit, të dhëna këto që dilnin nga dosja 339, Vangjush Dako u pyet nga prokurorët e Krimeve të Rënda, por ndaj tij nuk u ngrit akuzë zyrtare.
Pas shpalljes person i padëshirueshëm në SHBA, Edi Rama e spostoi mikun e tij nga të qenit i pari i socialistëve në Durrës, por kjo sa për imazh publik pasi dokumentet tregojnë për pushtetin e tij në zonë.
Në një tjetër hetim të Prokurorisë, mbi bazën e të cilit u arrestua edhe Jurgis Çurbja, ish-deputet i Partisë Socialist, dyshohet se filet edhe për ndikimin që vijonte të kishte Vangjush Dako.
Prokuroria dyshon se Çurbja u rendit në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë në qarkun Durrës, në zgjedhjet parlamentare të 2021, nga ndikimi i grupeve kriminale.
Në komunikimet e disa pjesëtarëve të grupeve kriminale me kandidatin për deputet në vitin 2021, Ergys Çurbja, tregohet frika e tyre ndaj ish kryetarit të bashkisë për vendosjen e mikut të tyre në listën e sigurtë për deputetëve të Partisë Socialiste në Durrës.
“Se mos na mërzitet dhe Gjushi” – thuhet në një nga mesazhet e komunikuara nga SKY mes Ergys Çurbjes dhe miqve të tij.
/ Klodiana Lala / Shteg.org