Nga Boldnews.al
Në tridhjetë vitet e fundit, “bosët” e politikës shqiptare, Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta e Edi Rama, janë akuzuar e kundër-akuzuar për korrupsion në shifra stratosferike, në miliona e miliona dollarë.
Opinioni publik është bombarduar në mënyrë të pandërprerë me akuza për koncesione, favore biznesmenësh, leje ndërtimi, resorte, miniera, vila, pallate, troje e gjithëfarëlloj pasurish të tjera të paluajtshme e monetare.
Një pjesë e këtyre akuzave të hedhura në eterin publik mbështetet, kryesisht, në pasurimin e drejtuesve të lartë shtetërorë dhe pasuesve të tyre, në krahasim me qytetarët që vijojnë të jenë prej vitesh në një stanjacion të lodhshëm ekonomik.
Me krjimin e “Drejtësisë së Re”, shumëkush priti që “bosët” e politikës të japin llogari përballë fakteve dhe provave konkrete për “akuzat publike”, për pasuritë e tyre, për vendimmarrjen e ndikuar nga interesa okulte e të tjerë të ngjashme.
Dhe, “Drejtësia e Re”, po mundohet ta plotësojë këtë pritshmëri publike, më së pari me drejtuesit kryesorë të opozitës. Sali Berisha prej gati një viti është në arrest shtëpie, ndërsa Ilir Meta prej disa orësh është në arrest në burg.
Akuzat ndaj tyre janë shumë të rënda për funksionarët publikë. Lidhen me korrupsion e pastrim parash. Por, brenda dosjeve gjyqësore, provat dhe faktet e servirura për publikun, tregojnë se “Drejtësia e Re” ka rikthyer modelin e “gjyqeve të kafeve” të Nexhmije Hoxhës.
Në kapërcim të sistemeve, nga ai komunist, në atë pluralist, shqiptarët e varfër dhe të goditur rëndë nga regjimi, e shihnin Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e ish-diktatorit Enver Hoxha, si njeriun që kishte kryer krime kundër njerëzit, si një ideatore dhe zbatuese e dënimeve pa gjyq, internimeve dhe persekutimeve.
Qytetarët besonin dhe ishin të bindur se kishte plot prova për këto krime të rënda të Nexhmijes.
Por, prokuroria e vitit 1992-1993, e drejtuar në atë kohë nga Alush Dragoshi, e hetoi Nexhmije Hoxhën thjesht dhe vetëm për “përvetësim të pasurisë shtetërore”.
Në vendimin e janarit 1993, me të cilin Nexhmije Hoxha u dënua me 9 vjet burgim, e veja e ish-diktatorit u dënua sepse “… në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në shumën 746,192 lekë”.
Sipas akt-akuzës, “…e pandehura Nexhmije Hoxha akuzohet për përvetësim të pasurisë shtetërore, se ajo gjatë periudhës 1986- 1990, ka shtruar dreka e darka, pritje-koktej për persona të ndryshëm në vlerën 506,704 lekë (12,158 persona janë pritur për dreka e darka me kuotë 35 lekë secili dhe 21,662 persona me kuotë 3 lekë)”.
Asnjë akuzë për krime të rënda kundër njerëzimit, genocid, vrasje pa gjyq, dënime kolektive, internime e persekutime.
“Drejtësia e Re” e pas-komunizmit kishte deficenca të mëdha, nuk kishte aftësi të siguronte prova (ose edhe nuk donte t’i gjente faktet), procedurat ishin profane. Aq diti dhe aq bëri, mjafton që t’i hidhte opinionit publik “kockën” e vendosjes pas hekurave të Nexhmije Hoxhës.
Zhvendosemi në kohë, 30 vjet më pas, në këtë “Drejtësinë e Re” alla-europiane e alla-amerikane, e cila, si rregull, duhet të mbështetet në parimet më të mira ndërkombëtare, në prova dhe fakte konkrete, në respektimin e procesit të rregullt ligjor, në barazinë e armëve, në “verbërinë” përballë palëve.
Por, ajo që po shihet është sërish modeli i “gjyqit të kafeve” të Nexhmije Hoxhës. Ai modeli i “hedhjes së kockës” për turmat.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzohet për korrupsion sepse ka ndërhyrë që dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të marrë pronën e të parëve të tij. Me vendime qeveritare, si Malltezi kanë përfituar edhe qindra mijëra shqiptarë të tjerë, për për “Drejtësinë e Re”, vendimet e kabinetit “Berisha” janë marrë vetëm për përfitimet e Malltezit.
Pra, “kocka” për opinionin u hodh, njëlloj si në rasin e Nexhmijes. Berisha u vendos nën arrest (shtëpie), sepse ai “i korruptuari, i keqi” ka pasur dhëndrin e tij, ndërkohë që ai i fundit kishte të gjithë të drejtën e Zotit dhe të ligjit që të merrte pronat e konfiskuara nga sistemi komunist.
Në vijim, u arrestua Ilir Meta. Ndaj ish-kryeministrit, ish-kryeparlamentarit dhe ish-Presidentit, ka pasur akuza të hedhura publikisht pa fund. Janë ca tipa që shfaqen në media vetëm për të deklaruar se “Meta ka vjedhur floririn e Krrabës, ka resorte jashtë Shqipëri, ka biznese, ka troje, pasuri miliona dollar në off-shore”, e të tjera të ngjashme.
Akuzat publike janë shumë të rënda. Por, cila është baza e tyre faktike? Deri më tani, “Drejtësia e Re” ka zbuluar disa fatura shërbimesh shëndetësore, si edhe “thashetheme” për çështjen CEZ-DIA, të pashoqëruara me asnjë lloj prove konkrete korrupsioni.
Prej vitesh, opinioni është mbushur me etiketimin e Metës si ideatori dhe përfituesi i skemës mashtruese “CEZ-DIA”. Opinion ka pritur që “Drejtësia e Re” të zbulojë faktet dhe provat që e lidhin drejtëpërdrejtë Metën me paratë e Kastriot Ismailaj.
Në dosjen hetimore dhe në vendimin e gjykatës së “rrjedhur” në media, për çështjen CEZ-DIA ka vetëm deklarime të disa personave, të cilët shprehen se “e dinë që Meta ka marrë para nga Ismailaj”, por që nuk kanë asnjë provë konkrete për këto akuza.
Natyrisht, individët (kallëzuesit) mund të mos kenë fuqinë dhe pushtetin për të siguruar prova korrupsioni. Ata i janë drejtuar “Drejtësisë së Re” për të gjetur provat dhe faktet.
E, “Drejtësia e Re”, pas më shumë se vjet hetimesh, thjesht ka marrë deklarimet e tyre, i ka kthyer në “akuzë”.
Edhe në këtë rast, “kocka” u hodh. Njëlloj si Nexhmije Hoxha vaktit. “Drejtësia e Re” vijon të mbështetet në “drejtësinë popullore”, e cila ka funksionuar në këtë vendin tonë që me hyrjen e komunizmit, rënien e komunizmit dhe po vijon me stoicizëm edhe në “Shqipërinë e re europiane”.