Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të dëshmuar në lidhje me dosjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku pretendon se në të është i implikuar edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Ai është marrë në pyetje nga oficerët e BKH-së si person që ka dijeni për rrethana të hetimit. Dëshmia e Bardhit në SPAK nuk ka zgjatur as 10 minuta, teksa ai ka qenë i vetëm dhe pa asnjë dokument me vete.
Në një prononcim për mediat pas daljes nga SPAK, Bardhi tha se ditën e sotme ka rikonfirmuar informacionin, teksa i kanë bërë vetëm një pyetje, nëse a ka patur gjë për të shtuar. Bardhi deklaroi se SPAK i ka konfirmuar se e ka rihapur dosjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, për të identifikuar personat që janë shpallur si të paidentifikueshëm në dosje.
Gjithashtu, Bardhi rikonfirmoi edhe një herë se nuk është ai kallëzuesi, por ka shkuar si personi në dijeni të çështjes. Ai tha se nuk ka bërë politikë me këtë çështje, teksa kërkoi dhe hetimin e dy prokurorëve që kanë patur nën hetim çështjen, ku një prej tyre është edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
“Siç jeni në dijeni në 29 mars pas një denoncimi publik që kam bërë gjithçka kam denoncuar mbi dyshimin e përfshirjes së vëllait të kryeministrit në aferën e Xibrakës e kam dorëzuar në SPAK. Jam njoftuar nga drejtuesi si SPAK, por edhe nga hetuesit e BKH pas dorëzimit të informacionit nga ana ime, se dosja e Xibrakës është rihapur, ka rinisur hetimi për identifikimin e personave që në dosje ishin cilësuar si persona të paidentifikuar. Indiciet, provat dhe faktet i kam konfirmuar sot pranë Prokurorisë së Posaçme dhe sigurisht që seanca e marrjes në pyetje ishte vetëm një pyetje, nëse kisha gjë për të shtuar. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Siç ju e dini, kallëzues në dosjen e Xibrakës është prokuroria dhe policia e Hanoverit. Unë kam kërkuar rihapjen e këtij procedimi, që çuditërisht ishte pezulluar që në vitin 2018 dhe ishte harruar në sirtarët e Prokurorisë. Persona të përfshirë ishin cilësuar si të paidentifikuar dhe si pasojë nuk kanë marrë atë që meritojnë sipas ligjit, përgjegjësin penale për përfshirjen në laboratorin e Xibrakës. Rikonfirmova atë që kam sjellë dhe përcjellë me shkrim në datën 24 mars 2024.
Nuk i bindem, përveç ligjit dhe Zotit, askush tjetër. Këtë çështje e kam trajtuar në rrugë institucionale. Nuk kam bërë politikë me këtë çështje. Presim që prokuroria e Posaçme të zbatojë ligjin. Të hetohet edhe roli i dy prokurorëve që kanë pasur në dorë dosjen e Xibrakës. Është e pafalshme që një pjesë e grupit kriminal ndoshta kokat e këtij grupi kanë mbetur të paidentifikuar nga Prokuroria. Ajo është çështje me rëndësi themelore publike sepse bëhet fjalë për laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë dhe duhet të kishte pasur një hetim të serioz dhe të gjithanshëm nga prokuroria. Dy prokurorët zgjodhën të merrnin mbështetje nga Edi Rama për ecurinë e tyre në karrierë, në vend se të kryenin detyrën me korrektësi, në përputhje me ligjin për ti shkuar deri në fund të vërtetës.“ – tha Bardhi.
I pyetur nëse ka një kallëzim të dytë nga Olsi Rama kundër tij në SPAK, Bardhi tha se nuk ka interes për propagandën e ditës që bën vëllai i kryeministrit. Sipas tij “letrat e bakallit” kanë për qëllim viktimizimin për t’iu shmangur hetimeve nga Olsi Rama, por as kjo taktikë nuk do e shpëtojë nga llogaridhënia para ligjit.
“Jo nuk ka informacion. Kam zero interes se çfarë bën Olsi Rama ose nxitet të bëjë nga i vëllai për efekt të propagandës së ditës. Nuk mund të ketë kallëzim të rremë sa kohë informacioni që unë kam sjellë është cilësuar nga prokurorët e çështjes si i mjaftueshëm dhe e dhënë konkrete për të rihapur një procedim penal. Kallëzim të rremë është në tre rrethana ku dukshëm nuk ka krim, nuk ka vepër penale, apo ku sajohen provat., Nëse lexoni kallëzimin e Olsi Ramës, shihni se nga njëra anë më kallëzon për kallëzim të rremë, dhe nga ana tjetër i kërkon prokurorit të më pyesë se ku i gjeta dokumentet që kam dorëzuar. Të paktën dy herë ka kryer ai kallëzim të rremë, por unë nuk merrem, pasi hetimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar për laboratorin e kokainës në Xibrakë, që unë e kam përcjellë në SPAK. Kësaj çështje nuk i ikën dot as me letra bakalli, as me propagandë dite dhe as duke bërë viktimën. Marr me dhjetëra ankesa, shqetësime dhe me radhë, edhe nga qytetarët. Për sa kohë jam drejtuar Prokurorisë së Posaçme, e vetmja gjë që bëj është nxitja për të vepruar në përputhje me ligjin. Kam pasur një pretendim ligjor pa asnjë diskutim dhe këtë gjë e kam trajtuar në rrugë institucionale. Jam përpjekur gjithmonë si funksionar publik i përgjegjshëm, që sa herë ka diçka për një institucion, i drejtohet atij institucioni.” – deklaroi Bardhi.
SPAK rihapi dosjen e Xibrakës me kërkesë të Bardhit , duke regjistruar procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, duke rifilluar hetimet e pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dojsa “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë.
Sipas denoncimit të Bardhit, një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.
Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.
Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht.
Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, që sipas Bardhit ishte vetëm një i tillë, i diktuar nga shërbimet e vëzhgimit si drejtues i makinës së mësipërme dhe i përshkruar në dokumentet e prokurorisë si “45-vjeçar me flokë të shkurtra”.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.
Në lidhje me akuzat ndaj Olsi Ramës, Gazment Bardhi kërkoi një interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, por ky e fundit e refuzoi, madje socialistët me në krye kryeparlamentaren Lindita Nikolla e rrëzuan kërkesën që në Këshillin e Mandateve.