Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu
Kryemadhi ka theksuar që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.
“Ishte një proces i një anshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se: Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për tu shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”.
Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me Ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në parlament. Ajo tha se “Gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Ruci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament”, tha Kryemadhi.
“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfide ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi Kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund ti jepej rinisë shqiptare.
Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës. “Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën”, tha ajo.
“Vullneti i LSI-së për të zbatuar një reformë në drejtësi vetëm në respekt të plotë të kushtetutës dhe të ligjit është një vullnet i pa ndryshuar dhe votat e LSI-së në parlament do jenë në shërbim të kësaj sfide. Ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant”, u shpreh Kryetarja e LSI-së