Nga Boldnews.al
Në një fjalim të gjatë që në fund u mbyll me një ese paçavure që nuk e kalon klasën as në kohë vjeshte, Edi Rama u mundua të bënte një “tablo sinoptikane” për protestat, që sot janë në ditën e 55-të pa pushim. Në fjalimin që në letërsi njihet me zhargon si “përroi psiqik”, pa pikë e presje, por vetëm tjerrje gjuhësore me plot epitete, Rama tentoi të ndante në dy pjesë, si në kohë ashtu edhe në koncepte, të mirën dhe të keqen.
E mira sipas tij ishin ato ditët e para të revoltës së qershorit kur u panë qyterarë të shumtë në shesh, pa e ndezur ende mikrofonin me hitin e verës: “Rama jepe dorëheqjen”. Kjo ishte koha e flamingove, që Rama thotë se e bënë të reflektojë, t’i mirëkuptojë dhe pse jo t’u japë edhe të drejtë.
Pjesa tjetër, që i përkon protestave të korrikut, sipas tij është e “sorrave” dhe “korbave” që nuk e duan vendin, që shfrytëzojnë situatën, e madje janë përfaqësues edhe të agjenturave të huaja, vendeve jo mike, e madje madje edhe të rrymave ekstremiste.
Duke vijuar me ndarjet, Rama bëri edhe një tjetër përçarje në tentativë si me bisturi kirurgjikale mes të “mirëve”, që fut veten, ministrat, deputetët dhe enturazhin e tij dhe të këqinjve “administratës” poshtë, e cila është sipas tij është shkaktare e derdhjes së njerëzve në bulevard.
“Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard”, theksoi Rama.
Gjithashtu hodhi në treg edhe broshurën e tij “Besa”, një lloj “pamfleti qeverisës” i cili do të hidhet për diskutim gjatë gushtit, ku të parët që patën “fatin” të njihen me modelin e ri qeverisës ishin deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së që edhe këtë herë si shumë herë treguan se shqisa e tyre e të menduarit nuk funksionon, para bllokadës që i bën adhurimi për liderin.
Rama tentoi të kapë algoritmin, por në fakt dështimin e ka të garantuar dhe për më shumë që edhe vetë po e beson se “Besa” nuk mund të ofrohet nga individë të superpushteshëm që e kanë treguar shumë herë veten si të pabesë ndaj kontratës qytetare që ndryshe u premton dhe ndryshe bën. Betejën me algoritmin e ka të humbur, pikërisht me këtë të pashpirt që jeton kjo qeverisje.














