Ish-drejtuesi i Policisë, Krenar Ahmeti, reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi protestuesit si “sorra dhe korba”, duke theksuar se qytetarët që dalin në protestë nuk janë as “trushkulur”, as “terroristë”.
Në një lidhje direkte për News24, Ahmeti kritikoi gjuhën e përdorur nga kreu i qeverisë, duke e interpretuar atë si shenjë të presionit politik që, sipas tij, Rama po përjeton përballë protestave qytetare.
Duke iu referuar pasionit të kryeministrit për lojën e shahut, Ahmeti përdori të njëjtën analogji për të përshkruar situatën politike, duke thënë se protestuesit po fitojnë terren dhe se beteja nuk ka përfunduar ende.
Ai theksoi se nuk do të pranonte kurrë të zbatonte urdhra që bien ndesh me ligjin apo cenojnë të drejtat e qytetarëve, duke kujtuar edhe periudhën kur ishte në krye të detyrës.
“Kam sakrifikuar karrierën time, por nuk kam lejuar që të dëmtohej asnjë qytetar. Jam krenar për këtë,” u shpreh Ahmeti.
Në fund, ish-kryepolici kërkoi nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Taulant Balla të tërhiqen nga deklaratat që i etiketojnë protestuesit si “terroristë”, duke theksuar se qytetarët që protestojnë po ushtrojnë një të drejtë demokratike dhe nuk duhet të stigmatizohen me akuza të tilla.














