Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë për një aferë korruptive lidhur me termocentralet lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë, duke kërkuar hetim nga SPAK.
Në një deklaratë publike, Bardhi tha se ka depozituar më shumë se një vit më parë në SPAK prova që, sipas tij, ngrenë dyshime serioze për abuzim me pushtetin nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe vendimmarrjen e ministres Belinda Balluku.
Sipas Bardhit, fituesi i kontratës ishte paracaktuar dhe Shqipërisë iu sollën mjete që nuk kanë prodhuar energjinë e parashikuar në kontratë.
Ai pretendoi se nga janari 2024 deri në prill 2026, dy TEC-et lundruese kanë prodhuar rreth 102 mijë megavat-orë energji, ndërsa kontrata parashikonte 850 mijë megavat-orë në vit. Ai tha se prodhimi real përbën vetëm rreth 5 për qind të detyrimit kontraktor.
Deklarata e Bardhit:
Dosja e termocentraleve lundruese në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, është një aferë korruptive që ulëret. Më shumë se një vit më parë kam depozituar personalisht në SPAK provat zyrtare që ngrenë dyshime serioze se qeveria e Edi Ramës, përmes vendimmarrjes së Belinda Ballukut, ka kryer një nga aferat korruptive më të dukshme dhe i ka shkaktuar Shqipërisë një dëm prej të paktën 80 milionë eurosh, nën justifikimin e një krize energjetike imagjinare që nuk erdhi kurrë.
Fituesi u paracaktua kohë përpara se të hapej tenderi dhe në Shqipëri u sollën dy rrangalla energjetike, që prodhojnë shumë më pak nga sa parashikonte kontrata dhe me një kosto shumë më të lartë se tregu. “Tigrat” e Ramës dhe Ballukut provojnë sot të paktën një gjë: kontrata nuk siguroi energjinë e premtuar, por siguroi pagesën e dyshimtë prej 80 milionë eurosh. Se ku përfunduan këto para dhe interesave të kujt i shërbyen, është pikërisht ajo që duhet të hetojë SPAK-u.
SPAK-u i ka të dhënat zyrtare. Nga janari 2024 deri në prill 2026, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” kanë prodhuar vetëm 102 mijë megavat-orë energji. Në 28 muaj kanë prodhuar aq sa Shqipëria konsumon në afërsisht pesë ditë.
SPAK-u e di edhe se kontrata parashikonte 850 mijë megavat-orë në vit. Pra, gjatë kësaj periudhe, është prodhuar vetëm rreth 5 për qind e detyrimit kontraktor.
SPAK-u e di prodhimin. E di kontratën. E di faturën. Por sot nuk ka asnjë akuzë ndaj Edi Ramës apo Belinda Ballukut për këtë aferë flagrante të abuzimit me pushtetin.
Dhe ndërsa SPAK-u fle mbi dosjen apo bën llogari mbi këtë dosje, qeveria ka parashikuar të shpenzojë edhe rreth 20 milionë euro të tjera për operimin dhe mirëmbajtjen e rrangallave që nuk na hyjnë në punë. Ky është rasti, kur SPAK-u, në vend që të mbronte inetresin publik me hetime të shpejta dhe pa llogari politike, jo vetëm nuk ndëshkon dëmin e djeshëm, por lejon të prodhohet dëmi i radhës.
10 vite më parë SPAK u krijua për të bërë të mundur një objektiv kombëtar: që përpara drejtësisë, të mos kishte më të paprekshëm. Që përpara ligjit, të gjithë të jenë të barabartë. SPAK-u u krijua pikërisht për këtë provë: që ligji të arrinte atje ku më parë ndalej, te korrupsioni në majën e pushtetit dhe tek njerëzit që konsideroheshin të paprekshëm.
Misioni i SPAK-ut nuk matet vetëm me “sa”. Matet me “kë”: kë ka guxuar të hetojë e ta çojë para drejtësisë, deri ku e ka çuar hetimin, sa para ka zbuluar dhe konfiskuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe tek dera e kujt është ndalur. Fatkeqësisht kjo aferë na tregon se dhjetë vjet pas miratimit të reformës në drejtësi dhe gjashtë vjet pas fillimit të punës së SPAK-ut, të paprekshmit vazhdojnë të jenë të paprekshëm. Dhe të paprekshmit nuk janë statistika. Ata kanë emër: Quhen Edi Rama dhe Belinda Balluku.














